English

Privatizimi etnik

Nga Vetëvendosje

Ndërmarrjet turistike në Brezovicë prapë u hoqën nga vala e 41'të e privatizimit, faza e tenderimit për të cilën përfundon më 9 dhjetor të vitit 2009. Njëlloj ishin hequr edhe nga vala paraprake, ajo e 40'ta, e cila kishte përfunduar më 11 tetor të këtij viti.

Dhe kjo nuk është e tëra: ndërmarrjet hotelierike-turistike në Brezovicë ka tash 3 vite që po synojnë të privatizohen. Dhe çdo herë pas vendosjes fillestare në listë të privatizimit ato tërhiqen nga valët e privatizimit. Dhe atë përherë për shkak të kundërshtimit të strukturave paralele të Serbisë.

Kompleksi turistik në Brezovicë nuk po privatizohet për shkak se këtë nuk po e lejon Serbia. Ky kompleks edhe pas vitit 1999 ka mbetur nën menaxhimin e ndërmarrjes GENEX të Beogradit.

Tërë përfitimi nga kompleksi i ka shkuar kësaj ndërmarrjeje. Kompleksi turistik i Brezovicës madje nuk e paguan as rrymën e Kosovës të cilën e konsumon (e të mos flasim për tatime).

Gjatë vitit 2008 Serbia ka deklaruar se do t'i investojë 40 milionë dinarë më Brezovicë. Me planin e Ahtisaarit janë komunat ato që e kanë kompetencën e menaxhimit të turizmit. Në komunën e Shtërpcës kjo nënkupton se është Serbia ajo që e ka ketë kompetencë. Investimet aty janë tejet frytdhënëse, për shkak të shfrytëzimit të madh të kapaciteteve për turizëm dimëror që i ofron Brezovica.

E çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës në këtë mes? Po heshtin? JO. Ato në të vërtetë po e ndihmojnë këtë gjendje. Dorëzimi para kundërshtimit të Serbisë për privatizim nuk është heshtje por hapje e rrugës së ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë.

Përveç kësaj institucionet e Kosovës edhe po krijojnë komuna të reja me shumicë serbe sipas planit të Ahtisaarit, komuna këto me kompetenca shtesë. Pra, institucionet e Kosovës po krijojnë situata të njëjta me Shtërpcën dhe pjesën veriore të Kosovës nëpër Anamoravë. Qysh se ka filluar procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, asnjë nga ato që ka rastisur të jetë në territoret e banuara me serb nuk është privatizuar.

Për shkak të kundërshtimit të strukturave paralele nëpër këto vendbanime. Tash avansimi i këtyre në komuna do ta vështirësojë një gjë të tillë. Ne jemi kundër privatizimit të pronës publike dhe shoqërore në Kosovë në mënyrën se si është bërë ai deri tash: pa një plan paraprak ekonomik, pa proces të dekolonizimit, pa marrjen në kontroll dhe shfrytëzimin paraprak të fondin të privatizimit të deritashëm.

Ne jemi po ashtu kundër privatizimit të resurseve strategjike të Kosovës (burimeve të energjisë, atyre të ujit, pasurive minerare, kompanive të komunikimit dhe telekomunikimit). Prona publike dhe shoqërore e Kosovës duhet t'i shërbejë popullit të Kosovës. Jo ndërmarrjeve të Serbisë të cilat me Milosheviqin na e uzurpuan dhunshëm pronën.

Ndërmarrjet e tilla, siç janë këto në Brezovicë, në raport me popullin e Kosovës janë sikur ndërmarrje private: ato janë fitimprurëse për ndërmarrjet e Serbisë, ndërkohë që për ne janë eksploatim kolonial. Ne jemi edhe kundër këtij lloj privatizimi. Sepse jemi kundër eksploatimit.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

KOMENTE