English

EasyJet, aplikimi fillestar është kryer, në dhjetor shpallet vendimi

Prishtinë, 30 Nëntor NOA - Menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës është në përpjekje ta sjellë në Prishtinë edhe kompaninë tjetër të njohur për linja të shumta dhe për çmime të lira "Czech Airlines", kompani e cila pas disa takimesh me menaxhmentin e kompanisë ka futur Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës në listën e ngushtë të aeroporteve, prej ku mund të fillojë linjë të re të fluturimeve.

Përfaqësuesit e njërës prej aviokompanive më njohura dhe me shërbime më të lira në botë Â "EasyJet", thanë se gjatë muajit dhjetor kompania që ata drejtojnë do të marrë vendime konkrete lidhur me numrin e fluturimeve dhe detajet e tjera të bashkëpunimit me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

"Muaji dhjetor 2009 është koha kur EasyJet merr vendimin për hapjen linjave të reja për sezonin veror 2010 dhe se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës si destinacion i ri për këtë kompani, ka gjasa shumë të mira të jetë i përfshirë në listën e destinacioneve për të ofruar shërbime të transportit ajror nga muaji qershor i vitit 2010. Për këtë është bërë edhe aplikimi fillestar për sllote (koha e arritjes dhe shkuarjes) në ANP nga ana jonë", - deklaroi z.Paul Croft, përfaqësuesi i EasyJet.

Pohimi i tij, u bë gjatë një takimi që pati me delegacionin e ANP në konferencën e IATA për ndarjen e slloteve që u mbajt javën që shkoi në qytetin Montreal të Kanadasë. Përfaqësues të EasyJet-it, kontaktet me menaxhmentin e ANP -së i kanë filluar që në mesin e vitit 2008, ndërsa para dy javësh EasyJet kaloi në veprime konkrete duke aplikuar për të marrë sllote të fluturimeve dy herë në javë, në relacionin Gjenevë - Prishtinë dhe anasjelltas.

"Aplikimi i kompanisë shumë të njohur EasyJet për të operuar në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës dëshmon se ky aeroport është ndër më atraktivët në rajon. Ne si menaxhment së bashku me bordin e kompanisë, përveç kalimit në 24 orë operime pa ndërprerë, kemi miratuar Programin Nxitës dhe Stimules për aviokompanitë, ku aviokompanive të cilat vinë të fluturojnë në Kosovë iu ofrohen beneficone dhe stimulime të ndryshme dhe ky program prej të cilit përfitojnë shumë kompani veç se ka dhënë efektin e vetë.

Numri i fluturimeve është rritur për 17 për qind në saje të këtij programi ", tha Agron Mustafa, Drejtor Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas tij, menaxhmenti i ANP-së është duke bërë përpjekje për ta sjellë në Kosovë edhe kompaninë tjetër të njohur për flotën e madhe dhe çmimet e lira, Czech Airlines.

"Kësaj kompanie i është bërë i njohur Programi Nxitës dhe Stimulues për Aviokompanitë që ne kemi miratuar dhe kjo kompani ka futur ANP në „short listing" apo thënë shqip në listën e ngushtë të aeroporteve nga ku ata mund të fillojnë linjën e re të fluturimeve nga Praga dhe anasjelltas", - ka deklaruar Mustafa.

Qëllimi ynë si menaxhment i ANP-së është ta rrisim sa më shumë konkurencën dhe pasagjerëve tanë t'i ofrohen mundësi të mira dhe më të lira për të fluturuar në destinacione të ndryshme", - tha më tej drejtori Mustafa.

Në fakt, në çdo vend ku operon EasyJet, si strategji të saj ka aplikuar çmimet e lira karshi konkurrencës.

Vetëm në nëntëmujorin e parë të këtij viti, kjo kompani ka realizuar të hyra prej 2.6 miliardë funta dhe u ka shërbyer 45.2 milionë pasagjerëve.

Gjatë këtij viti, biletat e kompanisë EasyJet nuk kanë qenë më të shtrenjta se 30 funta angleze.

Fluturimi nga Londra për në Itali kushton vetëm 30 funta angleze, kurse për në Gjermani kushton 29 funta.

EasyJet aktualisht mban linja të rregullta fluturimi në më shumë se 100 qytete në 27 shtete të Evropës.

Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës pas fillimit të punës non-stop 24 orë dhe miratimit të Programit Nxitës dhe Stimulues për Aviokompanitë gjatë vitit 2009, ka patur një rritje të shkëlqyer të numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve.

Vetëm gjatë muajit nëntor dy aviokompani me reputacion të madh ndërkombëtar, Swiss Intenational dhe Air Berlin, filluan linja të rregullta në relacionin Zvicër- Kosovë.

Kompania zviceriane ka filluar thuajse me dy fluturime në ditë, një paradite dhe një pasdite, ndërsa Air Berlin me 1 fluturim në ditë.

e.l/NOA

Â

KOMENTE