English

Thaçi: Nuk lejoj mbylljen e objektivave shqiptare në kontestin ndëretnik

Shkup, 30 nëntor, NOA - Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi sërish ka reaguar lidhur me zhvillimet aktuale politike në Maqedoni duke nënvizuar se asnjëherë nuk do të lejojë që të mbyllet kontesti ndëretnik, pa i arritur shqiptarët objektivat e tyre kombëtare.

Kreu i PDSH-së ka dhënë sinjale të reja lidhur me zhvillimet aktuale në vend, duke theksuar se shqiptarët në mënyrë paradoksale festuan festën e Flamurit, për shkak se në këtë shtet nuk i mundësohet e drejta ligjore për të shënuar këtë festë dhe përdorimin e flamurit.

"Ky paradoks ngërthen në vete shumë paqartësi. Pala maqedonase thotë se përdorimi i flamurit të një shteti të huaj e rrezikon sovranitetin e shtetit duke injoruar me vetëdije faktet historike dhe marrëveshjet paraprake që legalizonin përdorimin e tij.

Suspendimi arbitrar i flamurit kombëtar nga ana e konjukturave të ndryshme politike flet për shkeljen, për ndryshimin e njëanshëm të marrëveshjeve paraprake me peshë historike", ka theksuar Thaçi, duke shtuar se qeveria e sotme e Maqedonisë i shkel ligjet dhe mekanizmat që duhet të pengojnë votimin e shumicës kundër kërkesave të pakicës parlamentare. Ai ka shtuar se asnjë projekt maqedonas për anulimin e të drejtave të trashëguara apo të fituara falë sakrificës së shqiptarëve, nuk do të mund të realizohej, sikur mos e kishte pajtimin e heshtur të partnerit qeveritare, BDI-së.

"Fuqia apo thënë më saktë arroganca politike maqedonase ngjallet kur përulet qëndrimi dhe morali i partnerit të tyre qeveritar, me këtë rast të BDI-së", deklaroi kryetari i PDSH-së. Sipas tij, politika shqiptare asnjëherë nuk ka qenë në një pozitë kaq inferiore si sot, edhe pse në të kaluarën ka pasur ngritje dhe ulje në varësi të faktorëve veprues.

"Kjo qeveri nxjerr, modifikon ose abrogon ligje me rëndësi strategjike për shqiptarët, pa debate dhe pa u konsultuar fare me partnerin e tyre në qeverisje. Partia shqiptare në pushtet le që nuk pengon këto procese të retarduara, por i afirmon ato përmes një retorike sipërfaqësore", ka theksuar Thaçi.

Ai ka bërë me dije se vetëm PDSH-ja që drejton ai ia thyente dhëmbët politikës maqedonase.

"Për t'i ikur duelit me PDSH-në, pala maqedonase përdor të gjitha mjetet, të hollat, represionin, stimulimin e kundërshtarëve politik, ose më saktë thënë të sajesave të tyre politike, manipulimet elektorale, bllokimin informativ dhe të tjerë", ka theksuar kryetari i kësaj partie, duke shtuar se PDSH gjatë kohë kultivon parimin që në zonën ku merren vendimet strategjike të mos depërtojnë ata që e kanë kurrizin e kalueshëm, defetistët, oportunistët , ata që gjithmonë gjejnë arsye për t'i ikur ballafaqimit me kundërshtarët.

NOA-INA

KOMENTE