English

Akuza personale dhe politike, mazhoranca vijon fushatën anti-Rama

Berat, 1 dhjetor NOA - Akuzat ndaj kreut të opozitës, Edi Rama nuk i ka kursyer sot edhe ministri i Shtetit, Genc Pollo.

Prej gjashtë ditësh, që prej deklaratës së kryeministrit Berisha në foltoren e Kuvendit ku ai akuzoi rëndë për vepra antimorale Ramën, deputetë dhe ministra të mazhorancës kanë vërshuar me akuza të rënda ndaj kreut të PS-së në çdo dalje të tyre para gazetarëve.

Pavarësisht se cili është qëllimi i politikanëve të djathtë para gazetarëve ata nuk ngurojnë që gjatë deklaratave të zbrazin një "mal" me akuza për Ramën duke e quajtur të pamoralshëm pasi sipas tyre ka nxjerrë nudo bashkëshorten në plazhet e botës, ka dhunuar gratë e tij, madje edhe se nuk ka njohur ligjërisht djalin e tij.

Por veç akuzave me karakter personal, deputetët e djathtë kanë akuzuar Ramën se po bën përpjekje vetëm për tu bërë kryeministër i vendit duke lënë mënjanë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

Kështu ka deklaruar sot ministri i Shtetit, Genc Pollo në kuvendin e degës së Partisë Demokratike në Berat.

Ai e akuzoi Ramën si aventurier që sheh ëndrra me vitin ‘97 dhe me Gërdec vetëm e vetëm që të parashutohet kryeministër, edhe kur këtë nuk e do populli. "Shqipërisë nuk i duhen as rrugë, as viza e as Evropa, i duhem vetëm unë kryeministër. Kjo është motoja e Edi Ramës që duhet refuzuar nga socialistë dhe demokratë në Berat dhe në gjithë Shqipërinë" deklaroi Pollo.

k.k/NOA

KOMENTE