Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha: Rama, si po lobon kundër heqjes së vizave
English

Berisha: Rama, si po lobon kundër heqjes së vizave

Partia Socialiste dhe eksponentë të saj të porositur nga kryetari Edi Rama, po bëjnë një lobin të fortë që Shqipërisë mos t'i hiqen vizat me vendet e Bashkimit Evropian.

Këtë akuzë ka bërë sot Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me gazetarë në Elbasan, ku iu përgjigj një seri pyetjesh të cilat i gjeni më poshtë:

Z.Berisha, a keni një koment për hyrjen sot në fuqi të Traktatit të Lisbonës?

Unë konsideroje se kjo është një ditë historike kjo për Bashkimin Europian, për qytetarët e Europës, por edhe për të gjithë ata qytetarë që aspirojnë anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Europian, siç janë qytetarët shqiptarë.Â

Nga kjo ditë, Bashkimi Europian, ndofta mrekullia europiane e të gjitha kohërave, është tjetër, ka presidentin e vet, të zgjedhur me konsensus të plotë nga të gjithë kryetarët e shteteve dhe vendeve anëtare, me kompetenca të qarta që i jep ligji, që i jep Traktati i Lisbonës, me kompetenca të reja për Parlamentin Europian, shumë më të fuqishme se ato para datës 1 dhjetor, me një përfaqësues të lartë që ‘de facto' është ministri i Jashtëm i BE-së. Pra, për ne, shqiptarët, që kemi projektin tonë më madhor, projektin ëndërr, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kjo është një ditë shumë e rëndësishme, pasi miratimi i traktatit të Lisbonës dhe konstituimi i institucioneve të reja e bën procesin e zgjerimit të Bashkimit evropian për vendet e rajonit tonë një proces në qendër të vëmendjes, një proces me mbështetje, një proces, i cili jam i bindur se do të ecë më shpejt nga sa parashikohej. Natyrisht, i konceptuar nga qeveria ime si një proces që duhet të bazohet dhe do bazohet kryekëput në performancën tonë.

A do të ndikojnë qëndrimet e opozitës në lehtësimin e marrjes së vizave në BE?

Përpjekjet e opozitës, misionarët e saj të dërguar në Bruksel nga Edvin Rama, siç ka dërguar të birin e Sul Bushatit për të lobuar kundër liberalizimit të vizave, ju garantoj se do të shumëzohen me zero dhe kjo jo se Brukseli nuk vlerëson dhe nuk konsideron opozitën, por kur opozita u bie bilbilave, kur opozita mbush faqe dhe defterë të tërë me shpifje e trillime, vetëm e vetëm që të mos liberalizohen vizat, trillimeve dhe shpifjeve askush nuk mund t'u besojë dhe nuk mund t'i vlerësojë. Dje, në Bruksel, ishte i ftuar edhe ministri ynë i Brendshëm, momenti për tre vendet që ishin parashikuar. Ne po ecim me seriozitetin më të madh në plotësimin e të gjitha kushteve dhe gjej rastin të ftoj qytetarët shqiptarë të bëjnë çdo përpjekje për të marrë pasaportat biometrike. Shpreh kënaqësinë që numri i tyre është rritur me shpejtësi dhe nuk lind asnjë nevojë që t'i imponohet asnjë qytetari të vetëm marrja e pasaportës. Sidoqoftë shpresoj që çdo qytetar e ka të qartë se me marrjen e pasaportës investon, jep kontributin e vet në vendimmarrjen europiane për heqjen e vizave për shqiptarët.

Zoti Kryeministër, a do të ketë ndarje të mandateve në PD, në kuptimin që ka anëtarë të qeverisë që kanë edhe mandatin e partisë?

Është një grup që po punon për statutin. Unë nuk jam anëtar i atij grupi.

A do të veprojë ligji nëse opozita nuk do të hyjë në parlament?

Opozita është e lirë të përzgjedhë rrugë parlamentare, rrugë jo parlamentare për opozitarizmin. Këtu nuk mund të ketë asnjë lëkundje në respektimin tonë ndaj saj. Ajo çka ne kemi denoncuar dhe kemi deklaruar është se një aleancë punisto-mafioze, e konsoliduar dhe e shfaqur, e kryesuar nga zoti Rama, nuk do të mund të imponojë asgjë dhe kjo qeveri është e vendosur të përballet me të gjithë forcën e ligjit me mafian, me klanin punisto-mafioz. Të jeni të sigurt se këto nuk janë shpifje, por realitete. Dua të sjell vetëm një moment. Ishte terroristi Gramoz Ruçi, ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit, në vitin '96, që, me një skenar të kobshëm për vendin, tërhoqi Partinë Socialiste, dy orë para mbylljes së kutive të votimit. Sot, ky punist, me dy tre-pinjollë të bllokut, siç janë Edi Rama e ndonjë tjetër si ky fatziu që shkon në Bruksel për të trilluar për vizat, në traditën e etërve të tyre nuk munden kurrë që të pranojnë votën e lirë. Këta duan pushtet dhe vetëm pushtet. Këta dhe vota janë dy gjëra të kundërta, të papajtueshme. Është mendësia e tyre puniste, ishte punizmi, ai që bëri Gramoz Ruçin t'i japë urdhrin në vitin '96, në orën 4, komisionerëve të vet që të largohen nga komisionet. Është punizmi që shtyn Edi Ramën të thotë: o të shkelim vendimet e gjykatave, ose do të rrëzoj qeverinë. Është mendësia dhe mentaliteti punist, por, kësaj here, i ngërthyer me interesat e mafias më të rrezikshme të Ballkanit dhe të Europës, siç është mafia e ndërtimit të Tiranës. Pra, gazetarë të nderuar, e vërteta është se kemi të bëjmë me një aleancë që nuk ka asnjë interes demokratik, në traditën më të shëmtuar të paraardhësve të Edi Ramës, të atit të tij shpirtëror dhe atit të tij biologjik. Mos mendoni se i ati i tij u fut për konceptet demokratike në Presidiumin e Kuvendit Popullor, ose për koncepte demokratike skaliste shtatoret e diktatorit. Jo! Për bindjet që ndante me të dhe krimet që miratonte me ta. Kjo është e vërteta. Asnjëherë nuk kam marrë dhe nuk marr kurrë përgjegjës djalin për të atin, por, kur djali dëshmon se është i ati i ‘nxjerrë nga hunda', unë nuk kam ç'ti bëj. Një ministër i Enver Hoxhës është punisti tjetër, Skënder Gjinushi.

Një proces zgjedhor i certifikuar nga mbarë Europa, një proces zgjedhor të certifikuar nga 20 mijë anëtarë të PS-së në komisionet zgjedhore, një proces zgjedhor të certifikuar nga të gjithë komisionerët e PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, punistët në krye të PS-së nuk duan ta njohin. Një proces zgjedhor të certifikuar nga OSBE/ODIHR, të certifikuar nga Parlamenti Europian, Këshillit i Europës, Asambleja Parlamentare e NATO-s, aleanca punisto-mafioze nuk do ta njohë. Ata nuk mund ta njohin, sepse Tiranën e kanë pasur pre të kthetrave të tyre. Por ka filluar procesi i transparencës dhe unë, edhe një herë, i garantoj qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë shqiptarët se mafia do të luftohet me zero tolerancë.

A do të realizohen në kohë të gjitha projektet e nisura nga qeveria në qytetin e Elbasanit, si dhe kur do të bëhet realitet rruga me tunel që do të na lidhë me Tiranën?

Së pari, ju garantoj që asnjë projekt i nisur nga kjo qeveri nuk mund dhe nuk do të mbetet kurrë në mes, sikundër çdo premtim i imi do të bëhet realitet. Së dyti, tuneli do të bëhet. Nuk ka qenë zgjedhje e lehtë. Unë dua të jem i hapur me ju. Çmimi ka të ngjarë të jetë tre herë më i lartë, sesa varianti tjetër. Them ka të ngjarë të jetë, se nuk është shumë e sigurt kjo që po ju them, por mund të jetë tre herë më i lartë. Megjithatë sot ne festuam në këtë qytet 100 vjetorin e Normales që ka dhënë kaq shumë për kombin dhe kombi duhet të japë për të dhe ne atë çmim, do ta paguajmë. E theksoj nuk ka qenë vendim i thjeshtë dhe jam i hapur me ju, se njeriu dëshirat i ka të mëdha, por duhet t'i modelojë ato me mundësitë. Por vendimi është përfundimtar dhe tuneli do të bëhet. Tani jemi në atë pikë të procesit që duhet të përfundojë projekti. Së dyti, Elbasan-Tiranë do të jetë me katër korsi, sepse fluksi i trafikut nga Elbasani deri në Leskovik, Përmet, nga Elbasani në Kuçovë, Berat, Tepelenë, Sarandë, Delvinë, pra, nga e gjithë juglindja dhe i gjithë jugu do të kalojë në këtë tunel. Rruga e Arbrit bën që një pjesë e trafikut të bjerë, por Boshti i Jugut, që është edhe projekti numër një dhe vetëm tuneli si pjesë e tij i shkurton jo vetëm qytetarëve të Elbasanit, por të gjithë qytetarëve të juglindjes dhe jugut të vendit me mbi gjysmë orë kohën e arritjes në kryeqytet. Kështu që tuneli do të bëhet, sapo të mbarojë projekti që po e bën Komisioni Europian. Ne kemi filluar mobilizimin e fondeve dhe jam i sigurt se do t'i gjejmë.

Si do ta komentoni thirrjen e opozitës që i ka bërë të zgjedhurve të saj vendorë për bojkotimin e shërbimeve ndaj qytetarëve?

Unë shpresoj që të zgjedhurit vendorë vendosin të parin qytetarin dhe jo karrigen e Edi Ramës dhe interesat e aleancës punisto-mafioze.

Ne i faktojmë çdo qytetari shqiptar që kemi tre deri në pesëfishuar fondet për pushtetin vendor. Cilido që shkon në Berat, hyn në qytet me një nga hyrjet më moderne, kalon lumin me një urë të mrekullueshme dhe po marr qytetin e Beratit dhe jo investimet në rrugica e të tjera me radhë. Dhe këto nuk u bënë asnjëherë në 8 vjet të qeverive socialiste dhe në Berat është kryetar bashkie një socialist. Cilido që shkon në Vlorë, nuk po merrem me investimet në rrugë dhe rrugica, do të gjeni një nga rrugët më të gjerë të këtij kombi, për të cilën ishte folur për 25-30 vjet dhe e bëmë ne realitet dhe Vlora qeveriset nga një kryetar bashkie socialist. Cilido që shkon në Fier, sheh një qytet me hyrje moderne. Dhe të gjitha këto kushtojnë, kanë një çmim jo të vogël. Nuk po marr investime të tjera. Edhe bashkisë së Tiranës i janë rritur nga kjo qeveri fondet grant 4 herë.

Në rast se të zgjedhurit vendorë vendosin interesin e qytetarit të parin, ata nuk duhet dhe nuk mund të imagjinojnë të ndërpresin shërbimet ndaj tyre. Ka një problem dhe ky problem është se ne kemi vendosur uljen e taksave dhe kjo është një politikë për të cilën shqiptarët kanë votuar. Ajo ku qëndroj unë dhe qeveria ime është të kompensohet qindarkë për qindarkë e gjithë shuma e munguar në arkën e tyre, nga ndërhyrja jonë me politikën fiskale të uljes së taksave, një politikë që e kemi bërë në interesin më të madh të qytetarëve, se ketë besojmë ne. Ne besojmë se duke ulur taksat, bizneset zgjerohen dhe është, absolutisht, trillim vulgar se duke shtrirë TVSH-në ia heqim bizneset e vogla bashkive. Jo, kategorikisht jo! Ata do të paguajnë taksën e biznesit të vogël tek bashkia. TVSH-ja, të nderuar gazetarë, nuk është taksë e biznesit, por është e konsumatorit. Janë vende të tëra që e shtrijnë atë në çdo nivel biznesi dhe këtë e bëjnë për të luftuar informalitetin. Kjo është edhe një kërkesë ultimative e biznesit të madh, i cili thotë se nëse më kërkon mua fatura, atëherë duhet t'i kërkosh fatura. Biznesi i vogël nuk humbet asnjë qindarkë nga kjo praktikë që ne fusim. Bashkitë nuk humbasin as edhe një qindarkë të vetme. Pastaj, spekulimi është tjetër.

Zoti Kryeministër, keni premtuar që qyteti i Elbasanit do të ketë një park industrial, si dhe një fushë për mbeturinat, që është një problem shumë i madh për Elbasanin.

Të dyja këto çështje do t'i zgjidhim. Ku qëndron pengesa për parkun industrial? Të jeni të sigurt se më shumë se me çdo park tjetër, unë jam marrë me parkun e Elbasanit. Pengesa qëndron tek garantimi i standardeve më të larta mjedisore. Kjo është një kërkesë dhe unë kam insistuar gjithmonë. Janë bërë investime të mëdha nga kompanitë që operojnë këtu dhe ju garantoj se nuk do të toleroj të pengohemi, për shkak të mosrespektimit të standardeve për të ngritur parkun. Parku është i domosdoshëm. Por që investitorët e huaj të vijnë të instalohen këtu, kërkojnë që standardi i mjedisit të jetë i respektuar. Kjo është arsyeja që lidhet me parkun.

Përsa i përket çështjes së plehrave, pa diskutim që do të zgjidhet. Ajo është më thjeshtë. Ka dy variante. Një variant është që bashkia kërkon një dam në metalurgjik dhe varianti tjetër është në një fshat afër. E rëndësishme është që Elbasanit do t'i japim një zgjidhje dhe do të bashkëpunojmë me bashkinë. Ka një gjë, që po dhamë damën, nuk ka më park industrial aty. Ky është i gjithë problemi. Dama do të ishte e përshtatshme, por projekti i parkut merr fund. Ne duhet të financojmë e të ndërtojmë në një fshat këtu afër, një landfill për Elbasanin.

Këto ditë është diskutuar shumë për çështjen e trojeve publike që zoti Rama ka shitur te Tajvani. A mendoni se raste të tilla ka edhe në bashkitë e tjera të qeverisura, si nga bashkitë e majta, ashtu edhe të djathta?

Një vit e gjysmë më parë, kam deklaruar në qeveri dhe e deklaroj sërish se abuzimi më i madh në këtë vend dhe mafia më e rrezikshme e këtij vendi është mafia e tokave dhe se strumbullari i kësaj kanë qenë pushtetarët. Njerëzit e thjeshtim nuk është se nuk kanë marrë pjesë tek-tuk, por shtylla kryesore kanë qenë pushtetarët. Imagjinoni kur vetëm njëri nga këta ‘kocka' mendon se do të përvetësonte në zemër të Tiranës 54 mijë metra katror, atëherë llogariteni. Qeveria, në mënyrë absolute, nuk do të bëjë kompromis. Pas bandave, pas Aldo Bareve, radhën e kanë aldo baret e tokave. Por përse e vlerësoj kështu? Ai, atje, mund të ketë pasuri të mëdha që do të dalin, mund të ketë prej tyre më të pasur se ai, në mënyrë të paligjshme. Atëherë duhen çmontuar me darën e ligjit dhe dara e ligjit do të veprojë. Kur përdora termin ‘gërshërët e ligjit për duart e zeza të zyrtarëve që futen në xhepat e qytetarëve', nuk pati asnjë reagim. Kur përdora termin ‘darët e ligjit për dhëmballët dhe dhëmbët e mafias', mafiozët kërcyen të gjithë. Ju e patë si reagoi mafia, po i shihte darët në dhëmbët e vet. Por u treguan edhe budallenj. Unë e kisha fjalën për ligjin. Për zyrtarët, ata thonë, mirë e ka, t'u bjerë, por ligji është për të gjithë njëlloj. Ligji është ligj dhe shteti ligjor kërkon që të veprohet me të gjithë forcën e ligjit dhe do të veprojë. Unë jam optimist. Edhe kur bisedoj me drejtues të agjencive, - ju duhet ta dini se ata pësojnë presione të jashtëzakonshme, se nuk ka më çnjerëzore, më të egër, më barbare dhe të pashpirt se mafia e tokave - ajo që më inkurajon mua është se gjej tek ata një vendosmëri e besim të plotë se do të arrijnë të bëjnë ligjin. Detyra jonë është të bëjmë ligjin. Ju keni bërë pyetje me dhjetëra herë përse nuk ka ecur më shpejt problemi i pronësisë, por ky problem ecën më shpejt kur t'i shkulësh dhëmbët, ndofta dhe nofullën, me darët e ligjit mafias. Ndryshe nuk zgjidhet problemi, sepse ata janë ngulur aty.

FUND

KOMENTE