English

Tragjedia rrugore e Dervenit, lot dhe dënesë mes banorëve të Krujës

Nga korrespondenti i agjencisë NOA

Krujë, 1 Dhjetor NOA - Pesë djem, shokë mes tyre, që të gjithë nga fshati Bushnesh i Krujës, sot u përcollën që të gjithë, për në banesën e fundit.

Një kortezh mortor i përbashkët që u shoqërua me "lumë" lotësh, një ditë pasi ata u bënë viktima të tragjedisë rrugore që ndodhi mbrëmjen e djeshme në superstradën Fushë Krujë-Laç, në fshatin Derven, ku "lumë" gjaku mori jetën e gjashtë personave.

Në banesën e fundit, u përcollën Glorian Muzhaqi, Indrit Kaçi dhe dy vëllezërit Ernes dhe Fali Murati (i shihni në fotot).

Ata kanë lënë banesat e tyre, duke u shoqëruar nga qindra njerëz që i ndoqën drejt varrezave të fshatit Thumanë.

***

Familja Murati, është e prekur tragjikisht nga ky aksident. Ajo ka humbur dy djemtë e mitur, Ernestin ende pa mbushur 18 vjeç dhe vëllain e tij më të vogël, Faliun 14 vjeçar.

Vlash Suti (në foto), nuk u përcoll sot në banesën e fundit. Ai pritet të dërgohet në varreza ditën e nesërme (e Mërkurë), pasi shumë të afërm të tij janë emigrantë jashtë vendit dhe janë thirrur të vijnë para se të bëhet përcjellja në banesën e fundit e të ndjerit.

Edhe për familjen Suti dhimba është e madhe, pasi vetëm dy vite më parë, drejtuesi i ambulancës kishte humbur djalin e tij pas një aksidenti në rrethrrotullimin e doganës në Tiranë.

***

Tragjedia krejt e papritur, erdhi në çastet kur pesë shokët ishin nisur për të luajtur futboll në një minifushë në Tiranë.

Ata kishin marrë leje nga prindërit dhe u nisën me një makinë që e drejtonte Indrit Kaçi.

Familjarët e viktimave kanë përjashtuar mundësin e pirjes së alkoolit apo ndonjë lënde tjetër që mundë të ketë pasur aksidentin.

Ndërkohë policia ka nxjerrë edhe shkakun e aksidentit, ku shpejtësia e madhe e drejtuesve të dy mjeteve, ishte një shkak kryesor.

Vlash Suti, drejtuesi i ambulancës ishte duke udhëtuar në drejtim të shtëpisë së tij në Laç, ndërsa pesë të rinjtë po shkonin për në Tiranë.

Policia beson shumë se ka qenë një tentativë për parakalim e drejtuesit të ambulancës i cili ka dalë përballë "Benz"-it duke u përplasur kokë më kokë.

Kjo ka bërë që të ketë përplasje fatale e cila i mori jetën të pesë të rinjve që gjendeshin në veturë dhe shoferit të ambulancës.

***

Banorët shprehen se në këtë aksident kanë ndikuar edhe shenjat e sinjalistikës. Sipas tyre rruga edhe pse quhet autostradë, nuk është e tillë, pasi ajo ka shumë ndërprerje dhe njëkohësisht nuk ka ndriçim.

"Vetëm në Shqipëri ndodhë që anash rrugës nacionale të mbushet anash autostrada me kallamishte dhe varreza makinash, duke bërë që drejtuesit e mjeteve të kenë edhe pamje të kufizuar", - shprehet i zemëruar një banor vendas.

"Aty ku ndodhi tragjedia e mbrëmshme, kanë ndodhur shumë aksidente dhe të mendosh që është i njëjti vend, ku dikur kanë qenë varreza dhe shumë njerëz e mendojnë këtë fakt dhe e lidhin me serialin e aksidenteve që e kanë shndërruar rrugën në superstradën e vdekjes", shprehet një banor tjetër krutan.

"Rruga në dukje është shumë e gjerë dhe për këtë arsye, edhe pse nuk është e ndarë me korsi, parakalimet janë të shpeshta dhe syri të gënjen duke shkaktuar shpesh fatalitete", - vë në dukje një tjetër banor i zonës.

"Problemi këtu në këtë rrugë nuk është vetëm parakalimi", - ndërhyn një tjetër, por shpejtësia shumë e lartë për shkak se për një copë herë të mirë, rruga vjen drejt por duke qenë se ka shumë zona të banuara përreth, shpesh dalin njerëz apo mjete bujqësore që në disa raste bëhen pjesë fatkeqësish".

"Rruga këtu siç e shihni", - thotë një tjetër banor i zonës, - janë në ndërtim dhe zgjerimi i saj ka bërë që në pjesën ku po punohet mjetet të ecin avash dhe sapo ata dalin në rrugë të mirë, nxitojnë për të ecur sa më shpejt, si të thuash të fitojnë dhe kohën e humbur te rruga e keqe apo në punime e sipër. Kështu mendoj se mund të ketë ndodhur edhe me ata që vdiqën mbrëmë".

/e.r/e.l/NOA/

KOMENTE