English

Ministrat bullgarë, ndër më pasanikët në Evropë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Bullgarisë dhe ministri i Financave, Simeon Djankov, ka lajmëruar se gjatë vitit 2001 ka blerë në Uashington një shtëpi me vlerë 2,150,000 levë, gjegjësisht 1.075,000 euro.

Djankov posedon ehe një veturë Volkswagen (me vlerë 20,000 euro), e cila është e regjistruar në emër të gruas të tij, Caroline Louis Freund, por edhe aksione në pesë kompani amerikane, me vlerë të përgjithshme prej 45,000 eurosh, si dhje mbi 50,000 euro aksione, gjegjësisht 49% pronësi në ekoprojektin bullgar Aprilci. Ministri i financave ka të kursyera 43,820 levë dhe 170,000 dollarë, kurse gruaja e tij 72,000 dollarë. Aktualisht është duke paguar kredinë me vlerë 540,000 dollarë. Zëvendëskryeministri tjetër, që është edhe ministër i Brendshëm, Cvetan Cvetanov, i ka lajmëruar gjashtë banesa në pronësi të tij, të gruas ose vajzës së tij në Sofje. Ai posedon dy garazhe në kryeqytetin bullgar, por edhe një shtëpi me oborr në fshatin Suma. Në një bankë i mban 46,000 levë dhe rreth 29,000 euro. Ka kredi prej 59,000 eurosh, ndërkaq gruaja e tij aktualisht e paguan një lizing prej 24,500 levash.

Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Trajco Trajkov, posedon tri banesa dhe një shtëpi në Sofje. Vitin e kaluar ka blerë një Mitsubishi Pajero dhe ka 15,500 euro, 13,200 dollarë dhe 16,00 levë para të kursyera. Aktualisht paguan një kredi prej 32,000 levash. Trajkov posedon edhe aksione në 13 kompani bullgare. As ministri për Zhvillim Rajonal, Rosen Plevneliev, nuk mbetet prapa tyre. Bashkë me gruan i ka dy shtëpi në Malinovj Dolina dhe në Residential Park në Sofje, një shtëpi me oborr në det, afër Sozopolj, një shtëpi në fshat, si dhe një shtëpi në Greqi, në gadishullin Halkidiki. Posedon edhe aksione në gjashtë kompani bullgare. Rekordmen për nga numri i banesave megjithatë është zëvendësministri i Pelvneliev, Georgi Pregov. Ai vetëm gjatë viteve 2006-2007 ka blerë 22 troje dhe për këtë ka shpenzuar mbi gjysmë milioni leva, gjegjësisht 250,000 euro. Pregov është pronar i nëntë banesave në Sofje, Blagoevgrad, Bansko dhe në Sandanski. Në Blagoevgrad posedon edhe katër lokale, të cilat i ka blerë në vitin 2006. Vezdi Rasidov, ministër bullgar i Kulturës, posedon dy banesa dhe katër troje në Sofje, një garazh dhe një oranzheri. Bashkë me gruan është pronar i nëntë arave, ndërkohë që bashkë me gruan Snezana në vitin 2008 ka blerë dy vetura, një Mercedes për 150,000 leva dhe një BMW për 74,000 leva. Rasidov ka edhe mbi 1.5 milionë leva të kursyera.

Ministri i Sportit, Svilen Nejkov, ka lajmëruar se posedon para të kursyera në dy banka, me vlerë prej 400,000 levash. Ministri i Arsimit, Sergej Ignatov, ka një banesë 79metra katrorë, të blerë në vitin 1993 dhe një veturë Lancia. Ministri i Mbrojtjes së Mjedisit, Nona Karadjova, posedon një shtëpi, një banesë dhe një truall. Ministri i Shëndetësisë, Bozidar Nanev, bashkë me gruan Ina, ka dy lokale dhe katër troje në Varna. Ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve nuk posedon as ara as pyje, por një banesë në Sofje dhe një shtëpi me oborr në fshatin Celopec. Gruaja e tij është pronare e një ndërtese ku ndodhet klinika e veterinarisë, në qytetin Vraca.

Ministri pa portofol, Bozidar Dimitrov, posedon një shtëpi me oborr në Sozopolj, në det, dhe një banesë në Sofje. Kryeministri Bojko Borisov nuk posedon pronë si kolegët e tij. Në deklaratën për këtë vit ai ka pohuar se në raport me vitin e kaluar, kur e kishte lajmëruar pasurinë e tij derisa ishte kryebashkiak i Sofjes, nuk ka ndodhur asnjë ndryshim. E vitin e kaluar ai kishte lajmëruar pronësinë mbi një truall në lagjen Bankja afër Sofjes dhe para të kursyera me vlerë 125,000 leva, që i kishte fituar me shitjen e një prone në lagjen e Sofjes Dragalevci. Asgjë më tepër.

Për nga pasuria, prapa ministrave të Qeverisë bullgare nuk mbeten as deputetët në Parlament.

(*) SRNA

KOMENTE