English

Pse nuk ka vend për Hasan Prishtinën

Në këtë spektakël nuk ka vend për historinë. Prandaj, nuk ka vend as për Hasan Prishtinën. Mund të thuhet edhe e kundërta: nuk ka vend për Hasan Prishtinën, figura e të cilit nuk i konvenon asnjë politikani zyrtar, prandaj nuk ka vend as për historinë e cila s'bën pa Hasan Prishtinën

Nga Albin Kurti

Në një pamflet të studentëve të universitetit të Strasburit nga viti 1966, thuhej që "E mbrojtur nga historia, e tashmja është një trans mistik." Atëbotë, ky pamflet u shpërnda në 10.000 kopje gjatë ceremonisë së fillimit të vitit akademik. Menjëherë, me vendim të gjykatës në Strasbur, mbyllet unioni studentor në atë universitet.

Kjo fjali m'u kujtua sot në mëngjes teksa lexoja dy lajme të cilat tregonin për atë që nuk do të ndodh. Së pari, që institucionet e Republikës së Kosovës nuk do ta kremtojnë 28 Nëntorin. Dhe, së dyti, që shtimi i policëve kufitarë nuk do të nis në kufirin me Serbinë, por në kufirin me Shqipërinë.

Politika zyrtare për Kosovën e ka shpërfillur historinë e Kosovës. Që nga teksti i Deklaratës së Pavarësisë e deri te ligjet e mbrama të Kuvendit. Kjo politikë bazohet në një të ardhme të largët evropiane. Që nga flamuri e himni i ri deri te gjuha e lustruar e politikanëve. Për pasojë, e ardhmja e afërt është shumë e pasigurt, kurse e tashmja është interval spektakli ndërmjet së tashmes si moment teknik dhe kësaj të ardhmes së afërt. Pra, një trans mistik, mu ashtu siç e kishin quajtur studentët nga Strasburi.

Në këtë spektakël nuk ka vend për historinë. Prandaj, nuk ka vend as për Hasan Prishtinën. Mund të thuhet edhe e kundërta: nuk ka vend për Hasan Prishtinën, figura e të cilit nuk i konvenon asnjë politikani zyrtar, prandaj nuk ka vend as për historinë e cila s'bën pa Hasan Prishtinën.

Këtë na e dëshmojnë edhe këto kujtimet e ribotuara të tij për kryengritjen shqiptare të vitit 1912. Këto kujtime janë mënyra se si historia na e sulmon të tashmen. Ama, për shkak se e tashmja e ka sulmuar historinë paraprakisht. Historia nuk sulmon, historia vjen si kundërsulm. Kujtimet e Hasan Prishtinës nuk janë reagim vetëm ndaj së tashmes së tij por sidomos ndaj së tashmes tonë. Hasan Prishtina është veprimtari të cilin ky ribotim e aktualizon si historian. Sepse, mu ashtu siç na mëson Pierre Bourdieu, i gjithë progresi në njohjen e objektit është progres në njohjen e subjektin njohës dhe anasjelltas. Pra, faktet e historisë, në fakt, janë faktet e historianit. E, nëse më shumë fakte e përmbysin një koncept, kjo gjë, para së gjithash, flet për konceptin e deriatëhershëm.

Këto kujtime të Hasan Prishtinës nuk janë të plota. Por, kjo s'ka aq rëndësi. Ato na e përkujtojnë të paplotën. Dhe kjo ka shumë rëndësi. Një shekull më vonë, ideali i kryengritjes së vitit 1912 për lirinë e shqiptarëve, është po aq aktual. Shqipëria vazhdon të jetë e rrethuar me shqiptarë të cilëve nën sundime të huaja u rrudhet territori, ndërkohë që edhe ajo vet është e rrezikuar nga kapitali i huaj dhe nga politikanë që nuk i dalin zot.

Tamam sikurse në kohën e Hasan Prishtinës, shqiptarëve përgjithësisht u mungojnë dy aspektet thelbësore të mirëmbajtjes së sovranitetit: armatimi adekuat dhe shkollat cilësore. Asgjë nuk e unifikon popullin e kombin sikurse arsimi e ushtria. Ato e bëjnë organizimin dhe diciplinën, forcimin fizik dhe ngritjen intelektuale. Shteti është ushtri ashtu siç është edhe burim i arsimit legjitim. Perandoria Osmane nuk u lejonte shqiptarëve armë dhe shkolla. Sot, shqiptarët kanë edukim të varfër gjithandej kufijve që i ndajnë, ndërkaq njohuritë ushtarake kurrë nuk i kanë pasur më të mangëta: Shqipërisë i ka mbetur një ushtri veçse simbolike, kurse shqiptarëve tjerë në Ballkan u lejohet të shërbejnë vetëm në ushtri të huaja.

Kushtet kur mungon kapaciteti mbrojtës ushtarak dhe arsimimi i duhur masiv, janë kushte të dobësisë, janë kushte të përshtatshme për të përfunduar i eksploatuar prej të tjerëve, kushte me elitë shumë të pasur mbi popullatën gjithnjë e më të varfër, kushte me udhëheqje politike e cila shumë më tepër i merr atdheut sesa që i jep atij, kushte në të cilat pas luftës nuk është ndërruar klasa sunduese por sundimtarët e rinj e kanë ndërruar klasën, kushte sikurse këto në të cilat është mbërthyer Kosova.

Por, përkundër ngjashmërive të epokave, kontrasti ndërmjet Hasan Prishtinës dhe parisë së sotme të institucioneve, na i sqaron të dytit si asgjë tjetër. Shumë veprimtarë të çështjes shqiptare sot janë pozicionuar në majat e sistemit. Për dallim nga Hasan Prishtina që ishte një veprimtar i rregullt këta që i kemi tash janë veprimtarë me korrespondencë. Gjithnjë në rininë e tyre, porsa e hetuan që prapa ua afruan e ofruan një kolltuk, ata s'menduan dy herë: u ulën në të. Në vend se të qëndrojnë lart në këmbë, sot ata e lartësojnë kolltukun ku janë ulur.

Përderisa Hasan Prishtina e shihte postin si mjet për çështjen kombëtare, këta e kanë bërë çështjen kombëtare mjet për postin e tyre. Hasan Prishtina nuk ka zgjedhur mjete për lirinë e kombit në kurriz të fatit personal, këta nuk zgjedhin mjete për postin personal në kurriz të fatit të kombit. Vetëm dashuria e pakufishme e Hasan Prishtinës për çlirimin e kombit ka mundur t'ia zvogëlojë atij cilësinë në përzgjedhjen e mjeteve për të arritur këtë qëllim madhor. Vepronte legalisht e ilegalisht për atë që e donte më së shumti: lirinë. Por edhe këtu ai na del i kundërt me veprimtarët e sotshëm. Nga legaliteti ai kaloi në ilegalitet, nga posti i lartë legal në Perandori ai zbriti te populli poshtë për organizim ilegal. Dhe kjo gjë natyrisht se nuk e pasuroi por e varfëroi. Ajo çfarë kemi parë në këtë periudhën tonë është drejtimi i njejtë por kahja e kundërt: veprimtarët duke kaluar nga veprimtaria ilegale tek ajo legale, duke katapultuar nga shtresa e varfër te ajo shumë e pasur, për të na e rrëfyer pamjaftueshmërinë e veprimit legal. Mbase, ka përjashtime, ndonëse shumë më vështirë është të na kujtohen përjashtimet sesa përjashtimi kryesor, Ukshin Hoti, i cili me vetë jetën e tij na e rrëfeu pikërisht të kundërtën: pamjaftueshmërinë e veprimit legal.

Përkundër sakrificës e vetëmohimit të tij, Hasan Prishtina, i cili edhe mbiemrin e mbante të vendit që përfaqësonte e jo të familjes së tij, dhe teksa i copëtohej shpirti kur shihte më shumë luftëtarë për pushkë sesa pushkë për luftëtarë, pikërisht këtij patrioti të pashembullt i duhej ta dëshmonte që nuk ishte i shitur. Pra, këtij që kishte shitur gjithçka si rezultat i patriotizmit të tij, i duhej dëshmuar që s'ishte i shitur. Situatë më bizare nuk mund të paramendosh. Por, çuditërisht, situatë që na është përsëritur shpesh gjatë historisë. Ndoshta shpjegimin për këtë e gjejmë sërish te kujtimet e Hasan Prishtinës. Për shkak të robërisë shumë të gjatë, shqiptarët kanë shpërthyer nga tepria e dhunës, e jo nga dhuna si e tillë. Kur dhuna ngjan për një kohë shumë të gjatë, përshtatja që është mbijetesë bëhet e vetmja jetesë. Vetëdija kolektive për lirinë degradon dhe atëherë mbesim në pritje të kalimit të pragut kur përshtatja s'është e mundur më. Kur ky moment i teprisë së dhunës mbi popullin përputhet me kundërthëniet brenda sistemit shtypës, siç ishte rasti Perandorinë Osmane në kohën e xhonturqve, pikërisht ky moment është shansa historike, është momenti i hapjes së historisë për një popull. Hasan Prishtina e ka ditur shumë mirë këtë. E ka ditur se ky ishte momenti historik për kryengritjen si intervenim politik. Ne të tjerët mund të mësojmë nga ai.

(*) Fjalim me rastin e ribotimit të kujtimeve të Hasan Prishtinës mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912)

KOMENTE