Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Blendi Fevziu: Çfarë solli Lëvizja Dhjetori '90
English

Blendi Fevziu: Çfarë solli Lëvizja Dhjetori '90

Intervistë me gazetarin dhe analistin e njohur Blendi Fevziu, drejtues i emisionit "Opinion" në Tv Klan, dhënë për gazetën "Koha Jonë", në kuadrin e përvjetorit të Lëvizjes së Dhjetorit '90 ku ai ishte një ndër protagonistët, në rreshtin e parë të atyre që kërkonin ndryshimin e madh për Shqipërinë

Më 8 dhjetor mbushen 19 vjet nga dita kur në Shqipëri, duke nisur nga Qyteti Studenti, nisi lëvizja studentore e cila solli pluralizmin. Sot shumëkush kujton faktin se ishin kohë vërtet të vështira. Regjimi komunist, ndonëse në grahmat e tij të fundit, përpiqej të mbahej me çdo kusht. Policia dhe strukturat e tjera të afërta me to, ishin plotësisht në shërbim të shtetit dhe të dilje në protesta ishte më shumë se një guxim i çastit.

Megjithatë, 8 dhjetori dhe mëngjesi i të nesërmes 9 dhjetor me marshimin e studentëve në rrugë duke nisur nga Qyteti Studenti e më tej, i hapi rrugën 3 ditë më vonë shpalljes zyrtarisht të pluralizmit politik dhe një ditë më pas, u lajmërua krijimi i Partisë Demokratike, e cila pak javë më vonë nxori dhe organin e saj "Rilindja Demokratike". "RD", ishte në atë fillim, gazeta që përpihej nga shqiptarët, e etur për ndryshim.

Blendi Fevziu ishte ndër ata studentë që pse jo, bënë historinë pasi u rreshtua përkrah të rinjve të tjerë që donin mëse të bindur, që në Shqipëri të vinte demokracia, për më tepër në kushtet kur ndryshimi, në thuajse të gjitha vendet e tjera të rajonit, kishte nisur ose ishte në precipitim e sipër.

Kanë kaluar 19 vjet, megjithatë, si një ngjarje unike, ka interes të veçantë për t'u treguar qytetarëve, jo vetëm atyre që nuk i kanë përjetuar ato ditë të mëdha por edhe të tjerëve që kanë qenë kaluar nën ankth dhe gëzim njëherësh, detaje nga ato ditë të ftohta të dimrit '90 kur askush nuk e dinte me siguri se si do të përfundonte kjo Lëvizje.

Në një bisedë me "Koha Jonë", gazetari Blendi Fevziu kujton ato ditë që ndryshuan Shqipërinë.

Sot, 19 vite pas Dhjetorit '90, cila mendoni se ishte arritja më e madhe e lëvizjes studentore?

Ka vetëm një arritje të asaj lëvizjeje, që i sfumon gjithë të tjerat dhe i bën ato periferike, Pluralizmi politik. Kjo është e para, e dyta, e treta dhe e fundit!

Ju ishit në vitin e diplomimit por, ashtu si në shkollë të mesme, kishit marrë mësime ideologjike komuniste përmes lëndëve të shumta që regjimi detyronte të studioheshin, si Histori e PPSH, Marksizëm-Leninizëm, etj.. Madje dhe letërsia që studiohej ishte e politizuar dhe shumë kryevepra botërore konsideroheshin dekadente. Pse mendoni se nuk ndikoi gjithë ai "terror ideologjik" në vendimin tuaj për t'iu bashkuar lëvizjes për ndryshim?

Personalisht besoj se kjo pyetje nuk më përket. Unë vija nga një familje që nuk e donte komunizmin, që nuk e kish dashur që në fillimet e tij dhe si e tillë, besonte se komunizmi ishte një filozofi e gabuar, e keqe, që do të binte një ditë. Rrëzimi i tij, dhe më herët degradimi i tij, ishte një nga fitoret morale të atyre që më kishin mësuar të besoja se çdo gjë e keqe, pavarësisht triumfit të përkohshëm, bie një ditë. Ky besim më është ngulitur thellë, dhe sot, besoj edhe më shumë se diçka abuzive, nuk mund të triumfojë kurrë përfundimisht. Në fakt, historia nuk lidhet vetëm me 8 dhjetorin, apo 9 dhjetorin. Historia nis më herët. Më 1989 - 1990, ne kuptuam se ata që nuk e donin komunizmin, nuk ishin më pakicë, por shumica e popullatës në Shqipëri. Perestrojka dhe Gllaznosti, figura e Gorbaçovit dhe shumë detaje të tjera, edhe pse pa lidhje direkte me Shqipërinë, e kishin shkërmoqur në sytë e njerëzve komunizmin tonë. Ngjarjet e Polonisë, ato të Murit të Berlinit dhe sidomos vrasja e Çausheskut, i bindën njerëzit që komunizmi shqiptar ishte vetëm çështje kohe. Pastaj erdhën ambasadat. Problemi nuk ishte se ç'do të ndodhte, por kur do të ndodhte. Dhe ndodhi nga data 8 deri më 12 dhjetor 1990!

Në prag të ndërrimit të viteve, kujtoj mesin e dhjetorit, në disa qytete kryesore të vendit, shpërthyen protestat. Në ato ditë të vështira shteti nuk ngurroi dhe nxori tanket në rrugë. Shumë njerëz u konfrontuan me to dhe kjo erdhi në situatën kur pluralizmi ishte shpallur dhe de jure. Pse mendoni se precipitoi situata në atë mënyrë?

Ajo situatë është ende kaotike sot, por besoj se shumë vetë nuk kishin besim se komunizmi do të ikte me votë dhe me zgjedhje. Për shumë njerëz pluralizmi ishte diçka që nuk iu duk se do të ndëshkonte një klasë politike që ata e bënin përgjegjëse për urinë, shkatërrimin ekonomik, moral, izolimin dhe dhunën. Mendonin se vendi kishte nevojë për një zgjidhje më radikale dhe ndoshta tentuan ta bënin këtë. Nuk besoj se kjo ishte zgjidhja më e mirë, por mund të ishte shfrytëzuar politikisht. Në këto kushte PPSH nuk do t'i fitonte zgjedhjet e 31 Marsit 1991 dhe Shqipëria nuk do të humbte një vit tjetër të vlefshëm deri më 1992.

Në lëvizjen e dhjetorit spikatën me shpirtin rebel, i ndjeri Azem Hajdari, por edhe kryeministri aktual madje dhe kryetari i sotëm i PS, Edi Rama dhe një sërë emrash të tjerë. Si i keni njohur në atë periudhë dhe sa mendoni se i kanë qëndruar afër ose larg atyre aspiratave?

Të gjithë i kam njohur personalisht dhe nga afër kryesisht në ato ditë, ose ato që pasuan. Azem Hajdarin e kam parë fillimisht në demonstratën e datës 9 dhjetorit tek Liceu Artistik. Ishte dita që kish veshur një xhup inkeliti dhe një palë pantallona blu xhins të zbardhura, një luks i rrallë për kohën. U ngrit mbi supet e disa djemve dhe replikoi me Lisen Bashkurtin në një mënyrë befasuese. Rininë shqiptare, e përfaqësojmë ne, tha, jo një çoban! Nuk e harroj dot atë moment dhe kam bindjen se Hajdari i takon asaj kategorie personalitetesh, që gjithë karriera e mëpasme, iu sfumohet nga momenti që i nxori në pah. Gjithë karriera e mëvonshme e Hajdarit, nuk e kapi kulmin e atyre 4 ditëve. Katër ditë që i kanë siguruar një vend kyç në historinë e Shqipërisë. Berishën e kam njohur më 10 dhjetor, paradite në Qytetin Studenti dhe mbaj mend se ma ka prezantuar Besnik Mustafaj. Ishte një moment tensioni, por edhe kaosi. Një gjë s'duhet ta harrojmë: Në dhjetor 1990, nuk mendonim si mendojmë sot dhe nuk i dinim gjërat siç i dimë tani. Kam parë kujtime që më befasojnë. Kam parë ish-protagonistë të asaj kohe që flasin sikur e dinin jo atë që po ndodhte, por edhe atë që do të vinte 20 vjet më pas. Kjo është absurde. Askush nuk e dinte se ç'do të sillte e nesërmja dhe kishte vetëm një bindje: Shqipëria nuk mund të mbetej Kuba e Ballkanit dhe duhej të ndryshonte. Kam përshtypjen, nga sa e kam parë edhe këto 20 vjet, që Berisha ishte njeriu më i qartë në atë dhjetor. Ai kishte një lloj projekti politik. Dy persona mendoj se kanë pasur më shumë aftësi të shikonin përtej atyre ditëve: Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Edi Ramën e njihja nga basketbolli i Dinamos, por personalisht jam prezantuar një muaj më vonë. Ai mungoi rastësisht ato ditë, por mendoj se Blendi Gonxhe përfaqësonte edhe frymën e tij. Mbaj mend mbledhjen nga e cila ai u largua mes kaosit dhe fjalëve të kota që prodhonte çdo njeri që e ndjente veten protagonist. Rama donte të angazhohej, ai ndihej i ngarkuar politikisht dhe këtë e tregoi edhe më vonë, kur u bë mjaft aktiv në politikë.

Disa ditë pas 8 dhjetorit, ju keni shkruar një artikull të cilin, më saktë më 24 dhjetor 1991, që e publikuat në gazetën "Studenti". Ishte ky, shkrimi juaj i parë? Mund të na përmblidhni disa nga pikat që parashtruar në atë artikull?

Nuk ka qenë shkrimi im i parë dhe datën e detajet nuk i mbaj mend, por me siguri, duhet të ketë qenë shkrimi i parë i lirë. Shkrimi që mbaj mend shumë mirë, ka qenë "4 ditët e mëdha të studentëve", që botova bashkë me Ben Blushin në numrin e parë të gazetës "RD", organit të parë të opozitës në Shqipëri pas thuajse 70 vitesh. Ishte shkrimi im i parë në një organ të vërtetë dhe besoj se ndoshta kurrë në jetë nuk do kem më një tirazh dhe lexim të atillë. 100 mijë kopje të prodhuara dhe një uri për ta gjetur dhe lexuar që nuk besoj se rikthehet sërish një ditë. E kujtoj atë ditë, kujtoj Frrok Çupin e Preç Zogajn që qëndronin në një tavolinë me 3 studentë për të bërë, me 5 - 6 vetë, gazetën më të kërkuar të historisë së Shqipërisë. Me atë shkrim, hyra në gazetarinë e vërtetë, një profesion ku qëndroj ende.

Ndonëse sot ju jeni në mënyrë konstante larg politikës, nuk mendoj se gaboj nëse them se në ato vite të para të pluralizmit shqiptar, jeta juaj ishte e përfshirë shumë nga atmosfera politike. Keni përjetuar të gjitha ndryshimet që ndodhën në këto 19 vjet por sërish mbetët jashtë politikës. Pyetja ime është: Kjo zgjedhje u ndikua vetëm nga fakti se ju përqafuat profesionin e gazetarit dhe analistit, apo parapëlqyet të mos përfshiheni në politikë, duke e ndjekur atë nga afër përmes profesionit të zgjedhur.

Nuk ka qenë as kaq e menduar dhe as kaq e prerë! Kam tentuar të merrem me politikë, por kjo kërkonte braktisjen e plotë të profesionit që e kisha me shumë pasion. Mendoj se që nga viti 1996 e këtej, kur politika e angazhuar nuk ka qenë më pjesë e jetës sime, nuk kam pushuar asnjëherë të ecuri në kufijtë e politikës. Janë ca kufij jo të qartë, kur ti nuk e kupton dot se ku mbaron gazetaria dhe ku fillon politika. Por ka edhe diçka, s'ka asnjeri tjetër që merret me politikë më shumë se sa një gazetar politik. Ndaj mund t'ju them se tani, dita ime është e gjitha e mbushur me diskutime politike dhe jo vetëm. Prej thuajse një viti, po shkruaj një libër të ri, një ditar politik që përmbledh ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë, që nga 9 nëntori 1989 deri më 31 dhjetor 2009. Janë ngjarje ku kryesisht kam qenë dëshmitar i vëmendshëm si pasojë e profesionit dhe pasionit tim. Në të kuptohet se sa të lidhur janë gazetarët me politikën dhe se sa ndikojnë direkt apo indirekt, me artikujt e tyre në të.

Dy vite pas lëvizjes dhjetoriste që i çeli rrugën demokracisë në Shqipëri, në vitin 1993 ju publikuat librin "Piedestalë pa statuja". Për lexuesit ka interes të kujtoni tani pas 16 vitesh si lindi ideja për ta shkruar?

E kam shkruar në pranverën e vitit 1992, kur filluan shkrimet e para debatuese dhe denigruese për shumë protagonistë të lëvizjes së dhjetorit 1990 që nuk ishin më dakord me drejtimin politik të PD së asaj kohe. Ishin deformime të frikshme, që vijojnë ende sot në shtyp, nisur nga pasione politike apo preferenca personale. E shkrova në 3 muaj dhe besoj se është një dëshmi korrekte, e asaj që kam parë unë, nga këndvështrimi im. Nuk është një histori që i përfshin të gjithë, por një version i personalizuar i asaj ngjarjeje të rëndësishme. Sot, thuajse 19 vjet më pas, është një nga tre botimet e vetme për atë kohë.

Po bëhen gati dy dekada të përmbysjes së regjimit totalitar, atëherë, me moton "E duam Shqipërinë si gjithë Europa". A mendoni se afro 20 vjet ishin shumë që ëndrra juaj e asaj kohe të nisë të bëhet realitet, fillimisht më 2010 me liberalizimin e lëvizjes në Evropë dhe ndoshta pas 5 vjetësh me hyrjen në BE? Cilët kanë qenë sipas jush, faktorët që ngadalësuan procesin dhe a shihni mundësi përshpejtimi në të ardhmen?

Nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria ka ndryshuar shumë. Mund të ishte bërë më shpejt, më mirë? Padyshim po. Por mund të kishte ecur dhe më keq. Unë besoj se në përgjithësi, ritmi i ecjes këto 19 vjet, është më i larti në historinë e shtetit shqiptar, i ngjashëm me atë të viteve 1925-1939. Debatet e tjera padyshim që vlejnë, por askush nuk mund të thotë se e dinte me saktësi rrugën në atë dhjetor të 1990, kur vendi dilte nga një izolim politik 50 vjeçar dhe një izolim gjeografik shumë shekullor.

Një pyetje e fundit: A do të merrni pjesë sivjet në përvjetorin e Lëvizjes? Në mos gaboj, vitet e tjera ju keni refuzuar ta bëni këtë...

Jo, nuk besoj se do të marr pjesë. Që prej vitit 2000 nuk marr pjesë në asnjë festim. Më duket gjithçka banale dhe pre e protagonizmit të disa njerëzve që s'kanë bërë më dot asgjë në jetë dhe që e përdorin këtë datë si një flamur që e ngrenë në ballkonin e jetës së tyre, çdo 8 dhjetor për t'u kujtuar. Mbaj mend se hera më e bukur që kujtoj ka qenë viti 1994, kur të mbledhur në kioskën e Blendi Gonxhes, shumë vetë që kanë qenë atje në dhjetor, treguan se si kishin ardhur dhe ku kishin qenë atë javë. Atë ditë, zbulova se rrugët e mbërritjes, shtysa dhe protagonizmi kishte qenë shumë i ngjashëm për shumë nga ne që as e njihnim njëri - tjetrin. Fati na kish bashkuar pa dashje, ashtu si di ai, në Rrugën e Elbasanit apo në sheshin e Qytetit Studenti, për të projektuar të ardhmen tonë të përbashkët dhe për të na arshivuar në kujtesë, padyshim 4 ditët më të bukura të jetës...

Bisedoi: Edison Kurani

KOMENTE