Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Praktikat korruptive, pse kaq të vështira për t'u ndaluar
English

Praktikat korruptive, pse kaq të vështira për t'u ndaluar

Për shkak të mungesës së transparencës dhe për shkak të një baze të paqartë ligjore për të përcaktuar qartë të drejtat e pronës, praktikat korruptive janë më të vështira për t'u ndaluar duke penguar arritjen e qëllimit për krijimin e një tregu funksional të tokës

Nga Robert Bosch* (Foto: NOA/LSA)

Sot në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, trajtojmë së bashku sfidat që shtrihen përpara në luftën kundër korrupsionit në këtë vend.

Duke qenë e lidhur drejtpërdrejt me stabilitetin ekonomik dhe shoqëror, lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet e mëdha të OSBE-së.

Është gjithashtu shprehimisht e deklaruar në mandatin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Për këtë arsye ne jemi duke ndihmuar institucionet vendase dhe shoqërinë civile për të nxitur parimet e qeverisjes së mirë dhe për të marrë masa të tjera në luftën kundër korrupsionit.

Duhet të përmend në mënyrë të veçantë bashkëpunimin tonë të ngushtë gjatë këtyre viteve të fundit me Inspektoratin e Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive (ILDKP) për ndërgjegjësimin e zyrtarëve publikë mbi çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit.

Shpresoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë duke qenë se ILKDP është një aktor parësor në luftën kundër korrupsionit.

Më lejoni të theksoj që asnjë vend - sado demokratik - nuk mund të jetë plotësisht i çliruar nga sëmundja e rëndë e korrupsionit.

Gjithsesi, kur korrupsioni "zë rrënjë" ai ka një ndikim negativ në çdo aspekt të jetës.

Korrupsioni shkatërron ekonominë e vendit, minon stabilitetin shoqëror dhe gërryen besimin e publikut.

Korrupsioni ul të ardhurat nga taksat, fryn kostot e shërbimeve publike, shfytyron konkurrencën në sektorin privat, dhe në shfaqjen e tij më të shëmtuar i dënon me varfëri grupet vulnerabël të shoqërisë.

Shqipëria vitet e fundit ka ndërmarrë disa masa të guximshme kundër korrupsionit -

- miratimi i Strategjisë për Parandalimin dhe Luftën kundër Korrupsionit dhe për Qeverisjen Transparente 2007-2013;

- miratimi i një numri të konsiderueshëm ligjesh të përputhshme me legjislacionin e BE-së;

- krijimi i sistemeve online për regjistrimin e bizneseve dhe për prokurimet;

- politika e decentralizimit që po vazhdon në vend siguron gjithashtu garanci nëpërmjet angazhimit civil në proceset vendimmarrëse të qeverisë vendore;

- janë parashikuar gjithashtu edhe masa më të mëdha kontrolluese për të kontrolluar pasuritë e zyrtarëve publikë.

Megjithë këto që përmenda, ne të gjithë e dimë nga një sërë raportesh të kohëve të fundit, disa nga autorët e të cilëve ndodhen me ne sot këtu, që korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë sektorë të jetës në Shqipëri.

Çfarë dua të them me këtë?

Për shkak të mungesës së transparencës dhe për shkak të një baze të paqartë ligjore për të përcaktuar qartë të drejtat e pronës, praktikat korruptive janë më të vështira për t'u ndaluar duke penguar arritjen e qëllimit për krijimin e një tregu funksional të tokës.

Një shqetësim tjetër mbetet edhe transparenca e financimit të partive.

Megjithëse Kodi Zgjedhor parashikon që Komisioni Qendror Zgjedhor ka për detyrë të mbledhë bilancet financiare të partive politike, atij i mungojnë instrumentet e duhura për hetimin e burimeve të financimit, dhe mungon detyrimi për të raportuar dhurimet që vijnë nga sektori privat.

Veç kësaj, angazhimi i institucioneve në luftën kundër korrupsionit shpesh nuk reflektohet në mënyrën e duhur për zbatimin konsekuent të legjislacionit ekzistues dhe në zbatimin e tij të detyrueshëm.

Lufta kundër korrupsionit nuk mund të fitohet pa një gjyqësor funksional. Gjyqësori shqiptar duhet ta vendosë veten si një organ plotësisht të pavarur. Kjo do të thotë të pavarur nga ndikimet politike, por do të thotë gjithashtu edhe që gjyqtarët nuk mund të blihen apo t'u bëhet presion nga palët në gjykim. Vetëm një gjyqësor i tillë mund të trajtojë me efektivitet çështjet e korrupsionit që vijnë nga administrata publike.

Kohët e fundit kemi parë një farë mungese transparence në trajtimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Kjo gjë i sjell gjyqësorit një reputacion të keq. I krijon publikut përshtypjen se personat që mund të jenë fajtorë nuk janë dënuar. Për më tepër krijon një hije dyshimi mbi personat e pafajshëm të cilët janë akuzuar për korrupsion.

Ky fjalim do të ishte i mangët pa e përmendur rëndësinë e medias së lirë si një instrument bazë për të krijuar më tepër transparencë në procesin vendim-marrës.

Media e lirë duhet të shërbejë si një mjet i fortë dhe e fuqishme për të vënë në dukje korrupsionin e mundshëm në jetën publike dhe për këtë meriton një mbrojtje të veçantë.

Sidoqoftë, edhe mediat kanë përgjegjësi të raportojnë faktet dhe jo të marrin përsipër rolin e gjyqësorit.

Qëllimisht e kam lënë pa përmendur deri tani shoqërinë civile sepse mendoj se kemi të bëjmë me një potencial të madh të papërdorur sa duhet në luftën kundër korrupsionit.

Megjithëse Shoqëria Civile ka shënuar progres të ndjeshëm vitet e fundit në shumë fronte të ndryshme, angazhimi i tyre në qeverisjen vendore mbetet ende i dobët.

Proceset decentralizuese nuk kanë të bëjnë thjesht me decentralizimin e kompetencave pushtetore, por edhe me decentralizimin në nivelin e shoqërisë civile.

Jashtë qyteteve të mëdha, OJQ-të dhe opinioni publik nuk e shfrytëzojnë si duhet shansin për t'u përfshirë me efikasitet në proceset pjesëmarrëse dhe as u kërkojnë llogari të zgjedhurve të tyre.

***

Teksa Shqipëria i afrohet vitit 2010, në 20-vjetorin e rënies së komunizmit, do të ishte sigurisht një zhgënjim i madh po qe se progresi i madh i shënuar në reformat ekonomike, politike dhe sociale do të pengohet nga paaftësia për t'i eliminuar shkaqet rrënjësore të korrupsionit, duke vonuar kështu momentin kur Shqipëria i realizon më së fundi aspiratat e saj të integrimit në BE.

Kështu, le ta shfrytëzojmë ngjarjen e sotme, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, për një debat serioz rreth arritjes së qëllimit për një shoqëri më transparente dhe llogaridhënëse, në mënyrë profesionale duke mos përdorur gjuhë të vrazhdë dhe gjuhë që përmban akuza të pabazuara.

Opinioni publik shqiptar pret pikërisht këtë prej nesh.

(*) Fjala e kryetarit të Prezencës së OSBE, në tryezën e rrumbullakët "Së bashku në luftën kundër korrupsionit"

KOMENTE