English

Dje pacifist, sot lugat

U ngjall nga idealistët.

U ruajt nga rastet.

U vra nga politikanët.

Faik Konica

Agim Jakupi*

Në këta momente, kur po e shkruaj këtë ese, diçka po përzihet në Kosovë. Më ngjan sikur është zgjuar lugati dhe kërkon viktimën e radhës. Po habitem, lugati u zgjua në një kohë delikate, ende pa përfunduar zgjedhjet lokale dhe në momentin kur duhet të fokusohemi në procesin e Hagës. Andaj, të shkruash për gjendjen në Kosovë është një punë me përgjegjësi morale. Kosova është viktimë e atyre që janë të ngarkuar me mllef dhe përçmim, të atyre që përbuzin vlerat e UÇK-së, të atyre servilëve që paraqiten para ekraneve televizive vetëm për me u bë të njohur në serbi. Nëse e marrim mendimin politik të Faik Konicës, atëherë për Kosovën mund të themi:

U ngjall nga idealistët. Çdo herë kur Kosova është gjendur buzë greminës, afër vdekjes, idealistët i kanë dhënë frymë, e kanë ngjallur. Shpirti i tyre ka qenë i qetë, të frymëzuar me atdhedashuri. Nuk është thënë kot se: " Topi më i fuqishëm që shembë kalatë më të qëndrueshme është atdhedashuria". Këta janë shpirtdhënësit dhe shpresëdhënësit që nuk kanë kursyer asgjë për të mirën e Kosovës. Me penë e pushkë, duke sakrifikuar pasurin dhe jetën e tyre ata, idealistët e sollën Kosovën në shekullin e ri me pavarësi.

U ruajt nga rastet. Më shumë se 2 milionë shqiptar që jetojnë në Kosovë kanë vuajtur nën sundimin serbë. Kosova u shndërrua në laborator të presionit, keqtrajtimeve, dhunës, terrorit. Atje u përdornin metodat më antinjerëzore. Shqiptarët ishin viktimë e politikës djallëzore të Beogradit, ku kundër tyre u përdornin materie kimike helmuese. Terrori politik dhe shtetëror serb ishte përfshirë në çdo aspekt. U asgjësua Autonomia, me dhunë u mbyllë Universiteti i Prishtinës, Akademinë e Shkencave dhe Arteve, Radiotelevizioni dhe gazetat, shumë libra u djegën. Ata donin ti zhdukin vlerat universale kombëtare dhe qytetëruese. Mendonin se me shkeljen e të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive, me suspendimin nga puna, me burgosjet, vrasjet, me terrorin ata do ti shuajnë aspiratën e shqiptarëve për vetëvendosje. Shqiptarët asnjëherë nuk janë mposhtur, por kanë qëndruar si heronj për të mbrojtur të drejtat e tyre, pavarësisht nga masakrat që kanë përdorur serbët për shkombëtarizimin e tyre. Shqiptarët krijuan kodin moral, por ndryshe nga të tjerët kodi shqiptar ishte krijuar nën emblemën e UÇK-së. Kjo emblemë lindi nga mesi i atij populli shumë të përvuajtur që historinë e shkruan me mundin, djersën dhe gjakun e atyre që dhanë jetën.

U vra nga politikanët. Nuk mund të ketë politikë të mirë, produktive duke harxhuar kohë në vajtim, mandej habitem pse nuk e kuptuan se "durimi" dhe "pacifizmi" i pavend shpie ujë në mullirin e tiranëve dhe fanatikëve serbë. Ç'është e vërteta, pikërisht ishin këta politikanë që ushtrinë pushtuese e ekspozonin të pa prekshme. Kjo ishte shfaqje fatale. Kosova u përballua me vdekjen. Ajo u frymëzua nga idealistët dhe formoi kodin e saj, UÇK-në dhe ia arritën qëllimit, erdhi pavarësia. Por sot çka ndodhë? Menjëherë pas shpalljeve të rezultateve të zgjedhjeve lokale, dikush duke mos u përballuar me realitetin, me humbjet në zgjedhje do ta marre pushtetin politik duke ngritë zërin kundër ushtarëve dhe ushtarakëve të UÇK-së. Ata duan të zhdukin mendjen dhe shpirtin e Kosovës. Mirëpo, e keqja duhet përballuar. Pretekstet artificiale duhet mënjanuar. Nuk është politikë nëse paraqitesh para televizioneve dhe thua se je viktima. Kjo është dëshmi se po luan rolin e tellallit serb, ngase antivlerat po i kthen në kult, kurse vlerat e vërteta ulen për toke. Kështu nëse vazhdojnë do e vrasin Kosovën. Sidoqoftë, sado që aktualiteti ynë është tepër i rëndë, ne duhet të gjejmë forcë që të çojmë përpara çështjen tonë me bindje të plotë te idealistët dhe krijuesit të kodit - UÇK. E sa u përket pseudopolitikanëve, puna e tyre dihet. Kur dje Kosova kishte nevoje për sakrificë ata bënin thirrje për "durim", kur sot Kosova ka nevoje për hapa integruese, ata bëhen lugat.

(*) Dërguar nga autori, student në UEJL, studime për master: Drejtimi Diplomaci

KOMENTE