English

Operacioni "Borxhi i vjetër", zbardhet grabitja e Përrenjasit

Elbasan, 13 Dhjetor NOA - Policia e Elbasanit tha sot se ka arritur të zbardhë ngjarjen e katër ditëve më parë të ndodhur në qytetin e Përrenjasit ku një çift u dhunua në banesën e tyre nga persona të cilët i shkaktuan plagë serioze ndërsa i grabitën me armë. Drejtori i Policisë së Elbasanit, Drejtues Saimir Muçaj, i tha agjencisë së lajmeve NOA se "si rezultat e një pune të mirëfilltë investigative, nëpërmjet metodave speciale të hetimit si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rruge operative nga Seksioni Kundër Pronës te drejtoria për Krimet e Rënda, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, u finalizua me sukses operacioni i koduar "Borxhi i vjetër".

Muçaj konfirmoi se në këtë aksion u bë i mundur arrestimi i 29 vjeçarit Damo Agim Lengo, lindur e banues në Elbasan në lagjen "5 Maji".

Për shkak se nuk u arrit kapja e të dytit të grabitjes, policia tha se u bë shpallja në kërkim për shtetasin Hektor Pëllumb Dyrmyshi, 20 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në lagjen "Syrja Dylgjeri" në Elbasan.

Dy të rinjtë, akuzohen se në bashkëpunim me njëri - tjetrin, kanë vjedhur me arme zjarri banesën e shtetasve A.RR dhe L.RR në qytetin e Përrenjasit, duke u shkaktuar këtyre të fundit dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit.

Policia siguroi se po punohet intensivisht për kapjen e shtetasit Hektor Dyrmishi, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, mësohet se materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale ‘Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim" dhe akuzën tjetër për "Armëmbajtje pa leje".

a.k/e.r/NOA

KOMENTE