English

Kur kriza ekonomike dhe politike kryqëzohen

Debati për krizën ekonomike në vend ka pushtuar sot qeverinë dhe opozitën, në përpjekje për të shpjeguar efektet e para të rënda të saj tek qytetarët siç janë rritja e çmimit të energjisë elektrike, mungesa e pareve për të paguar buxhetorët në fund të vitit dhe efektet ende të pallogaritura të inflacionit që mund të përkeqësojë dhe më shumë situatën. Kryeministri Berisha është përpjekur të qetësoj qytetarët për rritjen e çmimit të energjisë duke premtuar ndryshimin e llambave ndriçuese, ndërsa opozita ka dhënë alarmin për udhëkryqin ku qeveria ka futur qytetarët shqiptarë me këtë situatë ekonomike

Mero Baze*

Qytetarët shqiptar po shkojnë drejt Krishtlindjeve më të trishtuara të tyre në këto vitet e fundit për shkak të lajmeve të këqija që kanë për financat e tyre dhe shqetësimin për përballimin e pasojave të krizës ekonomike që po prek çdo segment të jetës së tyre.

Qeveria shqiptare njoftoi thuajse zyrtarisht vonesën e pagave për punonjësit e sistemit buxhetor për muajin Dhjetor, një ngjarje kjo e pazakontë për administratën shqiptare, ndërsa ka përgjysmuar pagesën e fundvitit të garantuar nga Kodi i Punës.

Në përpjekje për të qetësuar qytetarët e shqetësuar nga rritja e çmimit të energjisë elektrike kryeministri është përpjekur të miminizojë efektet e saj në ekonominë e qytetarëve, dhe ka shpallur si masë priroritare, tendencë për të kursyer energji në institucione publike, duke ndryshuar llambat e ndriçimit, një masë kjo e tipit kinez të viteve 70-të.

Por kur kriza pranohet në nivele të tilla zyrtare dhe për punonjësit buxhetorë, ajo është shumë më e rënde në sektorin privat. Dhjetëra kompani ndërtimi rrugësh të cilat janë mobilizuar në këtë vit elektoral për të filluar të ndërtojnë rrugë të papaguara, kanë mbetur pa u paguar dhe punonjësit e tyre po ashtu po përjetojnë dyfish krizën e punonjësve buxhetorë.

Qindra punonjës të ARMO që është privatizuar në mënyrë jo transparente kanë mbetur mbi një vit pa rroga dhe pa sigurime shoqërore ndërkohë që biznesi i familjes Berisha që ka privatizuar kompaninë harxhon miliona për fondacion e gruas së kryeministrit.

Mbi mijëra biznese të vogla dhe të mesme që po mbijetojnë në këto kushte krize, ka vërshuar një fushatë gjobëvënie nga strukturat financiare të pushtetit për të mbushur arkën e boshatisur duke përkeqësuar dhe më tej gjendjen e tyre financiare thuajse drejt kolapsit në këtë fund viti.

E njëjtë është situata dhe në bizneset e tjera për shkak të efektit zinxhir të mungesës së likujditetit të bizneseve ndaj njëri-tjetrit. Në këto kushte efekte te krizës janë shumë herë më të mëdha se ato që pranohen publikisht nga qeveria, dhe janë shumë më kapilare se sa vetëm piramida e punonjësve të administratës apo pensionistëve.

Por shqetësimi më i madh nuk është prekja e krizës nga çdo qytetar por e ardhmja e saj. Ajo që tremb më shumë sot, është mungesa e një plani të qeverisë për të dal nga spiralja e kësaj krize ekonomike. Në vend të reformave të guximshme dhe të përballimit me të vërtetën, qytetarët shqiptarë po përballen me një kryeministër që gjithë energjitë e veta i harxhon për të denigruar opozitën dhe faktorët publik në shoqëri të pavarur prej tij.

Në vend të përgjigjeve për krizë financiare, mungesën e rrogave, rritjen e energjisë elektrike, gjobat ndaj biznesit dhe kolapsin financiar, kryeministri Berisha jep përgjigje për çështje që nuk u interesojnë qytetarëve, por thjesht betejave që ai shpik për të mos u ballafaquar me problemet reale të vendit. Ky sfond i krizës ekonomike, do të ishte shumë i rëndë edhe sikur vendi të ishte stabël dhe të mos kishte krizë politike. EÂ kombinuar me një krizë të thellë politike në vend dhe me sheshe të mbushura me protestues kundër qeverisë, kjo krizë do të bëhet edhe më e shtrenjtë për xhepin e çdo qytetari.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE