English

Emigracioni, raporti i PNUD: Një e treta e shqiptarëve jeton jashtë

Tiranë, 18 dhjetor NOA-Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në Shqipëri prezantuan sot Raportin e PNUD-it mbi Zhvillimin Njerëzor.

Raporti i Zhvillimit Njerëzor i vitit 2009 eksploron se si politika më të mira drejt lëvizshmërisë së njerëzve mund të rrisin zhvillimin njerëzor, duke shtuar përfitimet e migracionit, duke mbështetur dëshirën e njerëzve për të lëvizur në kërkim të një jete më të mirë dhe duke minimizuar aspektet negative.

 "Ne jetojmë në një botë shumë të lëvizshme ku migracioni është një dimension i rëndësishëm i zhvillimit njerëzor", tha Nicoletta Giordano, Shefe e Misionit të IOM në Shqipëri.

Rreth një miliard, ose një në shtatë persona janë migrantë.

Në rastin e Shqipërisë, një e treta e popullsisë jeton jashtë vendit.

Raporti i Zhvillimit Njerëzor argumenton se në mënyrë që migracioni të luajë një rol pozitiv në zhvillim, konceptimet e gabuar mbi migracionin duhet të qartësohen dhe vendet duhet të marrin në konsideratë efektet pozitive të migracionit në kombinim me politikat sociale dhe ekonomike.

Paketa e reformave të propozuara nga Raporti mbështetet në gjashtë shtyllave kryesore duke nisur nga hendeqet ekzistuese për më shumë punëtorë, veçanërisht për ata me nivel të ulët profesional, e deri tek shtimi i migracionit si një komponent i strategjive zhvillimore të vendeve të origjinës.

Disa vende i kanë lidhur me sukses politikat e migracionit me strategjitë e tyre për reduktimin e varfërisë. Ndërsa vende të tjera, sikurse Shqipëria, inkurajojnë kontributin pozitiv të diasporës për zhvillimin e vendit të tyre dhe e pranojnë rolin e rëndësishëm të dërgimit të parave.

Këtë vit Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI) është përllogaritur për 182 shtete dhe territore, mbulimi më i gjerë që është bërë ndonjëherë.

HDI i referohet të dhënave të vitit 2007, thekson hendeqet e mëdha që ekzistojnë në mirëqenien dhe mundësitë në jetë, të cilat vazhdojnë të ndajnë botën tonë e cila po ndërlidhet gjithnjë e më shumë.

Indeksi i Zhvillimit Njerëzor për Shqipërinë është 0.818.

b.m/NOA

KOMENTE