English

Bashkia e Tiranës: Qeveria po na përbalt, do të ketë punë me drejtësinë

Tiranë, 21 Dhjetor NOA - Bashkia e Tiranës, tha sonte se Qeveria po vazhdon politikën e saj të përbaltjes kundër këtij institucioni dhe Kryetarit Edi Rama, kurse shprehet se është e vendosur t'i përgjigjet përbaltjes së përditshme me ligjin dhe drejtësinë. "Një tjetër aktor, i ri në moshë, por i vjetër në mendime e shpifje doli sot për të hedhur baltën e radhës mbi punën e Bashkisë së Tiranës, e cila, fatkeqësisht për politikën e korruptuar të përbaltjes, nuk eklipsohet, as nga shpifjet e as nga urrejtja e korit të laraskave të Sali Berishës", - thuhet në deklaratën e para pak minutave duke iu referuar Gert Bogdanit.

"I bëjmë me dije, Gerti Bogdanit ish Kryetarit të dështuar të Njësisë Bashkiake Nr.10, se tashmë, edhe ai do të bëhet pjesë e grupit "Na bashkoi Prokuroria", - vijon deklarata duke siguruar se një kallëzim po përgatitet në ngarkim të tij, shpifje për shkak të detyrës.

Gjithashtu shtetasi Ferdinand Njazi Poni mbi të cilin rëndon kallëzimi me numër 1875E vazhdon të hedhë sërish baltën si ndotës kampion që është, vë në dukje Bashkia e Tiranës duke shtuar se pa u lodhur i jep të njëjtën përgjigje:

"Shtetasi Ferdinand Njazi Poni drejtohuni organeve ligjore për të dhënë sqarime mbi shpifjet e ulëta që bëni çdo ditë dhe mos harroni drejtohuni në njësinë tuaj bashkiake", - duke i kujtuar në fund se "keni tre vjet pa paguar taksat dhe tarifat vendore".

e.r/NOA

KOMENTE