English

Kullat binjake, Krimet e Rënda 4 vjet burg jordanezit Abu Rayan

Tiranë, 22 Dhjetor NOA - Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi sot me burg dhe gjobë, jordanezin Hamzeh Abu Rayan i njohur si administrator i pronave të Jasin Al- Kadi (Yasin Al-Qadi) në Shqipëri. Ai është shpallur fajtor për fshehje të fondeve dhe pasurive të tjera që financojnë terrorizmin. Nën këtë akuzë, gjykata vendosi ta dënojë atë me 4 vjet burg dhe 600 mijë lekë gjobë.

Një seancë më parë për jordanezin, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 6 vite burg dhe 5 milionë lekë gjobë.

Sipas prokurorisë, Abu Rayan i ka shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 80 mijë euro. Abu Rayan, ka qenë i punësuar si administrator i shoqërisë "Loxhall" sh.p.k me pronar sheikun arab Yasin Al-Qadi i cili ndodhet që nga 17 shtatori 2001 në listën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si i dyshuar për financimin e terrorizmit.

Kjo shoqëri, nën administrimin e Abu Rayan, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, vazhdonte prej kohësh të ushtronte aktivitetin e biznesit nëpërmjet dhënies me qira të pasurive të paluajtshme.

Nga hetimi gjyqësor është provuar se vetëm në kryeqytet, shoqëria "Loxhall" sh.p.k. ka 19 objekte, të cilat janë dhënë me qira, ku të gjitha pagesat për këto aktivitete janë kryer kesh dhe nuk kanë kaluar nëpërmjet sistemit bankar.

Sipas akuzës në tërësinë e provave të administruara në këtë proces gjyqësor, provohet se i pandehuri ka fshehur të ardhurat dhe fondet e kësaj shoqërie.

e.r/NOA

KOMENTE