English

Meta takohet me kreun e Partisë Liberale Serbë në Kosovë, Sllobodan Petroviç

Tiranë, 22 dhjetor NOA - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti sot në një takim përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh, Kryetar i Partisë Liberale Serbë në Kosovë, Sllobodan Petroviç.

Meta pasi vlerësoi se komuniteti serb në Kosovë përbën një vlerë shumë të rëndësishme për një Kosovë demokratike, përshëndeti rritjen e pjesëmarrjes së këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, shprehje e qartë kjo e ndërgjegjësimit të tyre se vetëm në këtë mënyrë ata do të marrin në dorë fatet e tyre dhe do të bëhen pjesë e proçeseve integruese evropiane.

Meta ripërsëriti premtimin se dhe Qeveria e Shqipërisë do të japë kontributin e saj për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit dhe për ndërtimin e objekteve social-kulturore në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Më tej Meta rikonfirmoi mbështetjen maksimale për institucionet kosovare, në ndërtimin e një shoqërie demokratike, në forcimin e së drejtës dhe zbatimin rigoroz të ligjit, ku, pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo banor i saj ta ndjejë veten qytetar të lirë në shtëpinë dhe pronën e tij.

Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera dhe shprehën angazhimin e përbashkët për t'i zgjeruar më tej ato në të gjitha fushat. Në këtë kuadër, ministrat theksuan se në takimet me homologët e tyre do të diskutojnë edhe për rinegocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për bashkëpunimin midis ministrive respektive.

"Komuniteti serb në Kosovë përbën një vlerë shumë të rëndësishme për një Kosovë demokratike. Pjesëmarrja e këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, është shprehje e qartë e ndërgjegjësimit të tyre se vetëm në këtë mënyrë ata do të marrin në dorë fatet e tyre dhe do të bëhen pjesë e proçeseve integruese evropiane" tha Meta gja një konference të përbashkët për shtyp.

k.k/NOA

KOMENTE