English

Urdhëri i Infermierit shpall vitin 2010 si "Viti i Infermierisë"

Tiranë, 22 dhjetor, NOA - Gjatë një mbledhje të posaçme të Aktivit të tij Kombëtar me 100 përfaqësues të degëve si edhe të institucioneve kryesore shëndetësore në vend, Urdhëri i Infermierit të Shqipërisë publikoi strategjinë e tij për vitin e ardhshëm.

"UISH në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor në kuadrin e reformave në sistemin shëndetësor shpall vitin 2010, Vitin e Infermierisë. Nëpërmjet këtij projekti dhe aktiviteteve të ndryshme e të shumta që do të zhvillojmë gjatë këtij viti, synojmë të arrijmë ndryshimin e cilësisë së kujdesit infermieror në Shqipëri", ka pohuar lidhur me një fakt të tillë, presidenti i UISH-së, Sabri Skënderi.

Sipas tij, në kuadrin e reformës në shërbimin shëndetësor në Shqipëri duke parë se kujdeset infermierore zënë një vend të rëndësishëm në kujdesin shëndetësor dhe ndryshimi i cilësisë së tyre do të çojë në ndryshimin e cilësisë së këtij kujdesi në të gjithë vendin prandaj UISH inicion vitin e ardhshëm një projekt ndryshimi.

Ai bëri me dije më tej se kujdeset infermierore në Shqipëri aktualisht nuk janë në nivelin e duhur kjo për arsyet e trashëguara si dhe për vlerësimin e pakët që kanë pasur ato ndër vite dhe në trazicionin e gjatë që po kalojmë.

"Prandaj objektivat që duam të arrijmë nëpërmjet nismave tona në Vitin e Infermierisë kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë së kujdeseve infermierore në nivelin e kolegëve europianëm, si edhe përmirësimin e nivelit të sjelljeve etiko-profesionale në shërbim të pacientit dhe në zbatim të Kodit Etik-Deontologjik të infermierit etj", tha ndër të tjera Skënderi.

Konkretisht, ai bëri me dije se gjatë vitit të ardhshëm UISH do të organizojë takime dhe seminare në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit, për t'u fokusuar në specifikat e veçanta për çdo institucion.

Sikundër do të organizohen edhe 12 konferenca rajonale për t'u finalizuar me Konferencën Kombëtare të Infermierisë.

Por një synim tjetër i UISH-së në vitin 2010 është edhe zbatimi i dokumentit themeltar "Kujdesjet infermierore" me anë të të cilit synohet që detyrat e profesionistëve të kujdesit në të gjitha nivelet të cilat çdo profesionist t'i ketë të afishuara në vendin e punës për të qenë të njohura edhe për pacientët.

Ndërkaq, do të botohet edhe shpërndahet për të gjithë profesionistët e kujdesit Kodi Etik Deontologjik të infermierit në formën e një libri xhepi, si edhe përfundimi i regjistrit kombëtar me të gjitha të dhënat profesionale të këtyre profesionistëve dhe të vazhdojë përditësimi i tij nga përfaqësuesit e UISH.

n.e/NOA

KOMENTE