English

Banorët e Roskovecit, peticion me 1500 firma Ina Ramës për zbardhjen e çështjes "Xhindi"

Tiranë, 23 dhjetor, NOA - Një peticion i firmosur nga 1500 banorë të Roskovecit i është drejtuar sot në mënyrë zyrtare Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, me kërkesën e zbardhjes sa më parë të vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi.

Të indinjuar për enigmën që fsheh ende akti i vrasjes së deputetit të zonës së Roskovecit disa muaj më parë, banorët që kanë firmosur peticionin në fjalë, i kërkojnë organit të akuzës që t'i japë prioritet këtij procesi.

"Të zbardhet e vërteta e deputetit Fatmir Xhindi, e cila ende nuk ka dalë në dritë nga organet e drejtësisë", mësohet se citohet në peticionin e lartpërmendur.

Ndërkaq, banorët e qytezës së Roskovecit ku Xhindi kishte fituar mandatin e deputetit kanë zhvilluar në fillim të nëntorit edhe një protestë me anë të së cilës kanë kërkuar zbardhjen e vrasjes.

Dhjetëra banorë janë mbledhur në qendër të Roskovecit ku i kanë bërë thirrje shtetit të zbardh sa me parë vrasjen e deputetit, ndërsa kanë firmosur edhe një peticion i cili tashmë u ka mbërritur autoriteteve në Tiranë.

Xhindi u vra më datë 2 maj të këtij viti në oborrin e banesës së tij sapo ka zbritur nga automjeti.

Persona të panjohur kishin pritur kthimin e deputetit dhe e kanë qëlluar atë pas shpine me automatik.

Deputeti gjeti vdekjen e menjëhershme ndërsa autorët mundën të largoheshin për tu shpëtuar prangave të policisë, ndërsa liria e tyre ende vazhdon.

n.e/NOA

KOMENTE