English

Berisha: Qeveria dhuron një fond prej 400 mijë euro për Komunën e Graçanikës

Tiranë, 23 dhjetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha priti sot në një takim përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh, Kryetar i Partisë Liberale Serbë në Kosovë, zoti Sllobodan Petroviç.

Duke e cilësuar historike vizitën në Shqipëri të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Kosovë, Kryeministri Berisha i shprehu vendosmërinë e tij për të dhënë të gjithë kontributin e mundshëm në interesin më të mirë të bashkëjetesës së qytetarëve të Kosovës, pa dallim nga origjina e tyre etnike. Gjithashtu, Kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria shqiptare do të kontribuojë me një fond modest prej 400 mijë euro për Komunën e Graçanicës.

"Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe dua t'ju them se ne po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti Tadiç e ka mirëpritur shumë ftesën për të vizituar Shqipërinë" tha Berisha.

Nga ana e tij, zoti Petroviç vlerësoi vizitën e fundit të Kryeministrit Berisha, si dhe vizitën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në Kosovë, të cilët në këto vizita kanë krijuar edhe një lloj besimi brenda komunitetit serb.

"Pikërisht në atë kohë ka ardhur edhe ideja, nga Kryeministri Berisha dhe zv/kryeministri Meta, që qeveria e Republikës së Shqipërisë të jetë një nga vendet që do të ndihmojë komunat e reja të krijuara në Kosovë. Ne e vlerësojmë këtë gjest më shumë sesa simbolik, vetëm me faktin duke e ditur se edhe në vendin tuaj situata ekonomike nuk është më e mira dhe në një situatë të tillë ju jeni të gatshëm t'i vini në ndihmë edhe atyre që kanë nevojë. Ndaj, dhe ky gjest i juaj është shumë i rëndësishëm. Unë jam i sigurt se në këtë drejtim ne dërgojmë një mesazh të qartë, i cili do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të Shqipërisë dhe në rajon. Dëshiroj të besoj se shtetet në rajon do të marrin shembullin e qeverisë së Shqipërisë dhe jam i sigurt se edhe miqtë tanë nga Brukseli dhe nga Uashingtoni do ta vlerësojnë shumë pozitivisht këtë projekt të përbashkët tonin", u shpreh Petroviç.

k.k/NOA

KOMENTE