English

"Onufri 2009" në edicionin e 16-të me pikturë, foto, videoinstalacione

Tiranë, 23 dhjetor NOA - Galeria Kombëtare e Arteve do të mirëpresë konkursin"Onurfi" që vjen në edicionin e tij të 16-të këtë vit, i gjithi shqiptar, me pjesëmarrjen e rreth 20 artistëve.

"Onufri" aktiviteti më i madh i artit pamor në harkun e një viti do të presë vizitorët për më shumë se një muaj nga data 24 dhjetor 2009 deri më 4 shkurt 2010. Gjinitë me të cilat artistët marrin pjesë në këtë ekspozitë konkurruese janë të ndryshme. Nuk përfaqësohet vetëm piktura, por edhe mediumet e tjera si fotografia dhe videoinstalacionet.

Kurator i këtij edicioni është Parid Teferiç, poet , piktor, njohës dhe ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve të artit. Parid Teferiçi tregon rreth prurjeve të këtij viti në "Onufër", sa të vështirë e ka patur për të zgjidhur rolin e kuratorit, por jo të diktuesit, duke mos caktuar asnjë koncept rreth ekspozitës, por duke pasur aleat të tij kuriozitetin se çfarë ndodh realisht në artin pamor shqiptar sot.

Disa nga emrat e artistëve pjesëmarrës flasin për: piktorin Gazmend Leka dhe "triptikun që shënon një fazë të re në trajektoren e tij artistike"; Hasan Nallbanin dhe "rikthimin e tij tek tema e erotizmit"; Vladimir Myrtezain që prezantohet me një video-instalacion; piktorin Zini Veshi që vjen nga Amerika dhe artistët e rinj Enkelejd Zonja dhe Genti Pipa.

Sivjet konkursi është punuar pa një koncept kuratorial, me një titull "Dëshira dhe dëshmi", Teferiçi shpjegon se "Do të ketë njëlloj rikthimi të pikturës dhe në këtë pikë isha i qartë që kur grupi organizator më besoi kurimin e ekspozitës.

Sivjet vihen re prurje nga artistët që krijojnë jashtë Tiranës. Kjo për arsyen se "Metropoli I Shqipërisë ka një lloj atraksioni manjetik, që e bën Tiranën laboratorin më të madh krijues në vend. Ndërsa në rrethe ka individë pothuajse heroikë që në vetminë e tyre, në atë ‘dëshpërimin' e provincës, arrijnë të bëjnë një punë që meriton të përshëndetet dhe të lëvdohet. Por që ka ngelur gjithsesi peng i një komercializmi dhe i një lloj shijeje që lë pak për të dëshiruar".

Onufri i këtij viti është I pasur në gjini të ndryshme si fotografia dhe videoinstalacionet, por pa sjellë skulpturën. Teferiçi shënon një pikë të rëndësishme të konkursit emrin e artistit " Gjelosh Gjokaj, një piktor me emër dhe një njeri i mrekullueshëm . Një nga ato figurat e mëdha të artit evropian, që përbënte atë treshen e famshme, Muslim Mulliqi, Ibrahim Kodra dhe Gjelosh Gjokaj'

Duke qenë një konkurs pa koncept kuratorial, Teferiçi shpjegon ekspozitën në tërësi "Jam përpjekur që të ketë njëlloj koherence formale, e cila do ti vijë si pasojë e vendosjes në trajtë mozaiku. Pavarësisht kalimeve të serta nga një zhanër në tjetrin, ekspozita është kërkuar të ketë më tepër efektin e ndërrimit të një kanali në TV. Sensi i ekspozitës është paraqitja e një panorame".

 Kështu publiku do të ndeshet me atë që kuratori e ka menduar si pjesa më produktive dhe më kreative në Shqipëri.

Parid Teferiçi, poet, përkthyes, në diskutimet me artistët e artit pamor ka menduar se do të ishte interesante në këtë moment historik ku jetojmë, 19 vjet pas rrëzimit të murit të Berlinit të shohim se në ç'pikë jemi përsa i përket tranzicionit. Ai shpjegon se "Ne e dimë që artisti shqiptar pas rrëzimit të sistemit komunist u përball me një mënyrë tjetër të jetuari, me një atmosferë lirie që u bë pothuajse mbytëse për të, paradoksalisht. Ishte mësuar me kalendarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, me direktivat që jepeshin vit për vit, me lejet letrare... Qëllimi im ishte, a e ka superuar artisti shqiptar atë anonim, pra sensin e të qenit i pranishëm në një ambient ku normat që e rregullojnë atë janë të padurueshme për ty, pra e ka superuar artisti këtë ndjenjë anonimie?

"Onufri", i organizuar për herë të parë në vitin 1993, mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës së shekulli XVI.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 4 shkurt 2010.

m.s/NOA

Â

KOMENTE