English

PS, Tahiri: Korrupsioni elitar i pandëshkuar

Tiranë, 23 dhjetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku u shpreh se Shqipëria është vendi ku korrupsioni jo vetëm që nuk luftohet nga qeveria por përhapet pasivisht për shkak të saj.

"Viti 2009 jo vetëm që nuk shënoi përmirësim të treguesve në luftën kundër korrupsionit por shënoi rënien më drastike ndonjëherë në klasifikimin e vendi tonë nga Transparency International, duke e renditur Shqipërinë të fundit në Evrope, si kampion të parajsës korruptive të atyre që gëzojnë pushtet.

Mbi kokën e Sali Berishës dhe qeverisë së tij, rrinë ende si hije të zeza skandalet e njëpasnjëshme për të cilat askush deri më sot nuk ka dhënë llogari para drejtësisë. Tragjedia e Gërdecit dhe 26 viktimat e pafajshme, Rruga Durrës Kukës dhe mbi 300 milion euro dëm, shembja e Tunelit të Thirrës dhe 300 milion euro të tjera dëm, korrupsioni me tokat në bregdet, me prokurimet dhe investimet publike në çdo sektor shtetëror, janë vetëm disa nga dhuratat që Sali Berisha i ka bërë gjatë vitit 2009, vetes dhe shërbëtorëve të tij, duke vjedhur xhepat e qytetarëve shqiptarë" tha Tahiri.

Sipas tij, Sali Berisha nuk ka vullnet të luftojë korrupsionin, por më keq akoma, ka shfaqur shenja të qarta se korrupsioni në të shumtën e rasteve lind nga zyrat e qeverisë e përfundon në xhepat e qeveritarëve.

"I bëjmë thirrje të përsëritur Kryeministrit të mos fshehë pas imunitetit parlamentar por të dorëzojë para drejtësisë Ministrat Mediu, Basha dhe Olldashi të akuzuar për korrupsion, si dhe të përgatitet ai vetë të shkojë para drejtësisë për të dhënë llogari një herë e mirë për gjithçka ka thënë e ka bërë në kurriz të popullit duke abuzuar me detyrën dhe interesat publike.

I bëjmë thirrje të përsëritur Prokurorisë së Përgjithshme të ndërmarrë veprime konkrete dhe decizive për të filluar hetimet mbi të gjithë ata që sot nuk duhet të ishin në qeveri por duke dhënë llogari përpara drejtësisë" përfundoi Tahiri.

k.k/NOA

KOMENTE