English

Java e bashkimit dhe e ndarjes

Kjo javë do të hyjë në historinë e Ballkanit si java që bashkon shumicën e vendeve të këtij rajoni me Evropën, ndërsa për Shqipërinë si java që na rikthen në pikën poshtëruese të inferioritetit tonë kombëtar në raport me fqinjët sllavë. Këtë javë qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedoni filluan të lëvizin pa viza në Evropë fal qeverive të tyre, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë, mbeten përfundimisht të izoluar megjithë premtimet false të qeverisë së tyre se në vitin 2009 do të liberalizohen vizat

Mero Baze*

Të hënën në mëngjes një shqiptar nga Ulqini, një shqiptar nga Struga, apo një shqiptar nga Presheva, mund t'i hipte avionit dhe të udhëtonte ku të dëshironte në Bashkimin Evropian. Këtë gjë nuk mund ta bëjë ende vetëm një qytetar i Shqipërisë. Shqiptarët e tjerë, që qeverisen nga serbë, malazezë dhe maqedonas, 20 vite pas rënies së Jugosllavisë, janë sërish përpara shqiptarëve të Shqipërisë.

Kjo garë e humbur me kohën, na ritkhen në një pikë poshtëruese dhe është gjyqi më i madh që duhet t'i bëhet politikës shqiptare.

Partia Demokratike ka ardhur në pushtet në vitin 2005 dhe gjatë 5 viteve i ka pasur të gjitha shanset që këto krishtlindje të mos i ndëshkonte qytetarët e Shqipërisë. Të gjitha premtimet ndërkombëtare dhe të gjitha objektivat tona kombëtare ishin që në vitin 2009 do të fitonim liberalizimin e vizave.

Këtë nuk e quanim, as dhuratë nga Sali Berisha, as dhuratë nga Jozefina Topalli, por e quanim një stacion normal në rrugën tonë drejt Evropës. Ky stacion u prish duke u hedhur në erë nga kjo qeveri. Dhe sikur të mos mjaftoj kjo gjëmë, dëgjova para disa ditësh Jozefina Topallin, të shfytyruar nga shterpësia e ideve dhe mungesa e argumenteve, t'u drejtohej shqiptarëve se, nëse nuk liberalizohen vizat as në korrik të 2010, fajin e ka Edi Rama.

Debati sot nuk është kush do na e prishë stacionin tjetër, atë të korrikut 2010, por kush na e prishi sot stacionin tonë, kur bashkë me shqiptarët e tjerë në Ballkan do të ishim të lirë të udhëtonim si qytetarë të lirë në Evropë.

Sali Berisha ua ka borxh qytetarëve shqiptarë këtë datë të zezë, kur e riktheu Shqipërinë në klasifikimin e para viteve '90, kur të gjithë ëndërronim të kishim qoftë dhe aq pak liri, sa kishin shqiptarët nën Jugosllavi.

Sot jemi sërish në atë gjendje, sot jemi sërish aq të poshtëruar sa atëherë. Dhe në vend të dalë e të kërkojë ndjesë të thellë për këtë gjëmë që na ka bërë, na paralajmëron një gjëmë tjetër dhe përsëri duke e para-hequr përgjegjësinë nga vetja. Na paralajmëron se vizat mund të mos na I heqin as në korrik dhe për këtë e ka fajin Edi Rama.

Mungesa e sensit të përgjegjësisë për kohën që qeveris, dhe vendin ku qeveris, është një dimension i qartë antiperëndimor, që e kanë tipar vetëm regjimet e korruptuara parademokratike. Kjo fyerje kombëtare, që sot ne po e gëlltisim në heshtje, është në të vërtetë ilustrim i gjithë tezave antishqiptare që janë përdorur deri më sot kundër nesh dhe që provojnë shprehjen e famshme se, armiku më i madh i shqiptarëve është vetë shqiptari.

Aty ku shqiptarët qeverisen nga shqiptarët, s'ka liri për të lëvizur, pasi qeveritë janë të korruptuara, pasi fëmijët e Familjes në pushtet e konsiderojnë vendin bahçe të tyre, pasi korrupsioni dhe inkriminimi është mjet politik që të hap rrugët e karrierës, pasi të kufizon lirinë politike për t'i rrezikuar pushtetin pashallarëve të rinj të mafies në Ballkan.

Tani ne kemi një fajtor konkret dhe një armik të lëvizjes së lirë të shqiptarëve dhe ajo është qeveria shqiptare, e cila po provon me fakte se shqiptarët janë më privilegjuar dhe më të lirë si qytetarë nën qeveritë serbe, malazeze dhe maqedonase sesa nën qeverinë që quhet shqiptare.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE