English

FRESSH i drejtohet Metës: I fundit je ti, jo Shqipëria

Tiranë, 26 dhjetor, NOA - Të rinjtë eurosocialistë të FRESSH-it kanë shprehur përmes një tubimi indinjatën e tyre për deklaratat aspak dinjitoze dhe absurde sipas tyre të Ministrit të Jashtëm, Meta për Shqipërinë se nuk paska qenë ndonjëherë e para në rajon për zhvillimet. Me moton " I fundit je ti, jo Shqipëria" të rinjtë eurosocialistë kanë shprehur revoltën e tyre ndaj deklaratave të tilla të zv/ministrit Meta, duke e cilësuar atë si të fundit dhe jo Shqipërinë.

Përfaqësuesja e këtij forumi, Elisa Spiropali është shprehur për mediat se "kutia e madhe e mbyllur dhe e vjedhur pranë së cilës jemi mbledhur është Ministria jonë e Jashtme e dallavereve të brendshme".

"Nga kjo kuti e mbyllur dhe e heshtur para disa ditësh doli një zë. Ky zë i shpëlarë na tha se ne shqiptarët nuk mund të lëvizim lirisht në Europë për një arsye absurde; Sepse jemi të fundit! Z.ministër i Jashtëm, nuk jemi të fundit ne por i fundit je ti që i konsideron të gjithë shqiptarët të fundit për të vetmen arsye sepse je i paaftë. Nuk jemi të fundit ne. I fundit është zhgani yt që nuk hap kutitë ku fshihet e vërteta e popullit", i është drejtuar ajo publikisht numrit dy të qeverisë.

Sipas saj, të fundit janë ministrat e qeverisë që mbetën të tillë edhe pasi shpërthyen Gërdeca dhe vodhën miliona.

"Nuk jemi të fundit ne. E fundit është administrata jote e kësaj ministrie që nuk e kemi dëgjuar kurrë të japi ndonjë zgjidhje inteligjente apo të tregojë ndonjë shkathtësi diplomatike në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nuk jemi të fundit ne. E fundit është drejtësia jote që shtrembëron edhe ligjet më të qarta", tha ajo ndër të tjera.

Duke shtuar se shqiptarët meritojnë të lëvizim të lirë si një popull evropian.

n.e/NOA

KOMENTE