English

Rruga e UÇK-së

Politika ndërkombëtare dhe ajo vendore në Kosovë formësohen duke e pasur për pikënisje qendrore të veprimit të tyre moscenimin serb me çfarëdo çmimi. Nuk ka kurrfarë pikëreference të veprimit politik vendas në mbrojtjen, promovimin dhe avancimin e interesit shqiptar, por vetëm dhe vetëm në moslëndimin e vetëkonceptit serb

Nga Glauk Konjufca

Nuk ka shumë kohë kur komuna e Prishtinës u pajtua me një vendim të zyres së Komisionit Evropian në Kosovë, i cili nuk qe pjesë e trajtimit medial për shkak se Kosova gjendej nën ethet histerike të zgjedhjeve lokale të nëntorit. Komisioni Evropian në Prishtinë ndodhet (apo së paku është ndodhur deri para pak ditësh) në "Rrugën e UÇK-së", që shtrihet parapa lagjes "Qafa" të kryeqytetit.Â

Komisionit Evropian i ka penguar ky emërtim i tillë, meqë sa herë kanë lëshuar dokumente në të cilat patjetër është nevojitur të figurojë edhe adresa e saktë e vendndodhjes së ndërtesës së këtij komisioni në kryeqytet, është dashur të shkruhet "Rruga e UÇK-së". Dhe Komisioni Evropian në Kosovë në vend që ta heq vetveten nga ajo rrugë, e hoqi UÇK-në. Meqë po të përpiqeshin t'ia ndërronin emrin krejt rrugës, do të mund të bëhej problem më i madh politik, dhe populli do të reagonte fuqishëm, Komisioni bëri trysni mbi komunën e Prishtinës që t'i ndërrohej emri vetëm rrugicës në të cilën gjendet ndërtesa e Zyres së KE-së në "Rrugën e UÇK-së". Praktikisht duhet ta zbulonin një rrugë të re për ta hequr qafe UÇK-në. Rrugica e re u quajt "Kosova". Ajo i ka veç 20 metra! Pa dyshim që është rruga më e shkurtër dhe më e çuditshme në Kosovë. Nuk e dimë ende nëse është edhe më e shkurtra në botë.

Është afërmendësh që për heqjen e emrit të kësaj rruge të ketë ndikuar vetë Serbia e cila mund të jetë ankuar që akronimi i UÇK-së i cili figuronte nëpër dokumentet e KE-së në Kosovë, kërcënon serbët dhe Serbinë. Kurse vetë komisioni do ta ketë arsyetuar këtë vendim të padrejtë dhe tinëzar me politikat e tij të multietnicitetit dhe neutralitetit. Politika ndërkombëtare dhe ajo vendore në Kosovë formësohen duke e pasur për pikënisje qendrore të veprimit të tyre moscenimin serb me çfarëdo çmimi. Nuk ka kurrfarë pikëreference të veprimit politik vendas në mbrojtjen, promovimin dhe avancimin e interesit shqiptar, por vetëm dhe vetëm në moslëndimin e vetëkonceptit serb. Zyret e Quintit në Kosovë nuk çajnë kokën fort për korrupsionin e politikanëve të lartë, lëre më për varfërinë e papunësinë e popullit, por ata janë këtu për ta detektuar me llupë dhe për ta matur me miligramë diskursin e politikanëve tanë lidhur me serbët. Prandaj fusha e politikës në Kosovës vetëdefinohet si përcaktim negativ - jo çka duhet bërë, por çka nuk duhet bërë. Lejohet të vjedhësh, ta ndash Kosovën, ta shesësh historinë dhe t'i falësh pasuritë e Kosovës, por gjithsesi ndalohet të thuash diçka e cila eventualisht do të mund t'i hatronte serbët.

Vendimi i KE-së në Kosovë për ta hequr UÇK-në nga emërtimi i rrugës ku vetë ndodhet, e sublimon në mënyrë të përkryer kthesën e gabuar që lufta jonë çlirimtare dhe proceset politike e morën në vitin 1999. Heqja e UÇK-së nga rruga tregon për rrugën e dhimbshme të UÇK-së. Udhëheqja politike që dalëngadalë erdhi në krye të kësaj lufte çlirimtare, u ngarkua me misionin e mallkuar të ndërprerjes së kësaj lufte të shenjtë, çarmatosjen dhe shuarjen e UÇK-së, si dhe në fund krijimin e një partie politike e cila degjeneroi në biznes politik dhe shërbim informativ.

Sot jemi dëshmitarë të gjallë të faktit të palejueshëm se UÇK-ja nuk është hequr vetëm nga rrugët. Ajo është hequr nga institucionet politike, nga shkollat, nga librat, gjithnjë me përpjekjen e pandalshme që një ditë të heqet nga historia, dhe përfundimisht nga kujtesa e zemrat tona. Përpjekja jonë çlirimtare iu dorëzua tjetërkujt. Prandaj ne sot nuk kemi asgjë më shumë se një paqe dhe stabilitet të brishtë.

Ç'do të thotë ta shlyesh të kaluarën?

Para 23 vjetëve, shkrimtari i madh hebraik, Elie Wiesel mori çmimin Nobel për letërsi. Ai aty mbajti një fjalim të shkëlqyer ku e dënon kategorinë e neutralitetit si doktrinë të qasjes ndaj konflikteve që e përmbajnë padrejtësinë e situatës së strukturuar si shtypës/i shtypur. Kurse shpëtimin e sheh te institucionalizimi i kujtesës. Ai thotë: "kam luftuar kundër atyre që do të harronin. Sepse nëse harrojmë jemi të fajshëm, jemi bashkëfajtorë. […]. Gjithmonë duhet të marrim anë. Neutraliteti i ndihmon shtypësit dhe asnjëherë viktimës. Sepse e trimëron persekutuesin dhe jo të persekutuarin". Pas këtij fjalimi, Wieseli mbajti një ligjëratë të titulluar "Shpresa, Dëshpërimi dhe Kujtesa", lidhur me konstitucionin identitar dhe aksiomatik të njerëzimit nga aspekti kohor. Ai aty e thotë një gjë shumë të rëndësishëm: "E kundërta e të shkuarës nuk është e ardhmja, por mungesa e ardhmërisë; e kundërta e të ardhmes nuk është e shkuara, por mungesa e të kaluarës".

Te ne, ligjërimi politik vendas dhe ndërkombëtar qëllimisht e kundërpozicionon të shkuarën ndaj të ardhmes. Të shkuarën na e konstruktojnë si kategori brenda të cilës mund ta gjesh vetëm dëshpërimin cfilitës, tmerrin tronditës, vuajtjen e thellë dhe turpin gërryes, prej të cilës duhet domosdo të arratisesh në lumturinë e sotme paqësore dhe drejt ardhmërisë së patrazuar. Kjo është pikërisht strategjia e harresës. Duke na detyruar të harrojmë ata po na e garantojnë "mungesën e ardhmërisë".

Në anën tjetër gjithnjë e më pak po ka emisione televizive të cilat e tregojnë të kaluarën e lavdishme dhe luftën çlirimtare, por vetëm të shkuarën e hidhur e tronditëse të dëbimit, ikjes, statusin e refugjatit, dhe krejt në fund vetë ‘mrekullinë' dhe ardhjen e Mesias: ndërhyrjen e NATO-s, arritjen e të ‘huajve', zbarkimin e Evropës në Kosovë. Ky është edukimi i vazhdueshëm që na bëhet me identitetin e viktimës ekzistenca e të cilës varet nga ndihma e jashtme, por kurrsesi me atë të ushtarit e luftëtarit që përpiqet vetë. Politikanët e Kosovës disa prej të cilëve kanë qenë udhëheqës politikë të UÇK-së e komandantë luftë tërësisht e kanë shndërruar imazhin e tyre të dikurshëm: sot nuk mund t'i shohim veçse me kollare e tesha kat. Ata ligjërojnë se si lufta duhet harruar, se ajo ka qenë një ndodhi që kurrë më nuk do të përsëritet, se ushtarët duhet t'i kthehen jetës së tyre ‘normale'… Nuk ka asgjë në konceptin e tyre politik që e reflekton vazhdimësinë historike të përpjekjes, unitetin organik të historisë, por vetëm thyerjen, ndërprerjen, harresën, të renë ex nihilo.

Â

KOMENTE