Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Mbijetesa, uria dhe frika
English

Mbijetesa, uria dhe frika

Mungesa e shtresave shoqërore vetvetiu e bën individin, sado i fuqishëm të bëhet ai, të mbetet akoma i pasigurt dhe i paqartë në të ardhmen që i planifikon vetes. Këtu ndërhyn frika, e cila e thellon krizën e identitetit dhe e bën qytetarin të ndjehet gjithmonë i mjerë me ankthin e humbjes

Nga Elsa Ballauri

Sa më shumë kalon koha, aq më shumë më thellohet përshtypja se një nga pengesat kryesore që nuk na le të ngremë kokën është i pambarueshmi proces i mbijetesës. Herë duket sikur këtë e dimë prej kohësh, e herë sikur sapo e kemi dëgjuar. Situatat e çuditshme politike e sociale, që precipitojnë si të përshkruara nga një magji e zezë nga njëra ditë në tjetrën, ngrenë dhe ulin diafragmat e njerëzve duke u tallur me ankthin e tyre të sinqertë. Njerëzit duan të jenë të qetë, të jetojnë normalisht në ato vite kohë që iu ka bërë kismet zoti, t'i gëzojnë Krishtlindjet duke menduar se një vit më vonë ato patjetër duhet të jenë më të bukura, të punojnë e të lodhen, të fitojnë e të harxhojnë, të dashurojnë e të udhëtojnë; të gjitha këto që i kemi ëndërruar nga romanet e bukura, por që kur na u dha mundësia ta realizojmë, e grisëm librin dhe e grisëm me dorën tonë. Nuk është e natyrshme që kur të jepet mundësia të ndërtosh diçka, befas nuk arrin dot ta kapësh siç duhet veglën e punës, dhe në vend që ta drejtosh atë nga sendi që duhet rregulluar, e drejton mbi një ballë njeriu. Është një pyetje gati pa përgjigje: Pse? Një nga përgjigjet, ndër të shumtat që mund të renditen si në një analizë psikologjike, është filozofia e mbijetesës. Shqiptarët janë të gjithë në një proces mbijetese psikologjike, të gjithë përpëliten në kthetrat e saj pa e kuptuar, madje shpesh duke u gëzuar që është e kundërta. Nuk është fjala këtu për konceptin e mbijetesës si një veprim i drejtpërdrejtë, i përcaktuar nga kushtet reale, konkrete. Natyrisht që ka shumë banorë të Shqipërisë që përpiqen të mbijetojnë në këtë formë: s'iu mjaftojnë paratë për të mbyllur javën, s'shkollohen dot, s'kanë mundësi punësimi, s'kurohen dot. Jo s'e dua t'i shmangem këtij lloj diskutimi, por mendoj se në fund edhe kjo është pjesë e pandashme dhe rrjedhojë e asaj që më shqetëson më shumë: mbijetesa psikologjike. Mbijetesa është e lidhur ngushtë me urinë dhe frikën. Po t'i analizosh, si njëra edhe tjetra janë pjesë e pandashme e historisë sonë. Uria. Ajo e vërteta, realja që të bën të të dridhen gjunjët dhe të luftosh me çdo mjet për të mos u shuar, që pastaj është shndërruar edhe në urinë psikologjike, është një nga tiparet që megjithëse e kemi ngritur në art me "bukë, kripë dhe zemër", na ka munduar për shumë e shumë shekuj dhe ende na mundon shumë. Ajo krijoi nga njëra anë boshllëk intelektual, e nga ana tjetër hipokrizi intelektuale, duke thelluar krizën tonë të identitetit. Erik Erikson, një nga psikologët më të njohur neofrojdianë, i njëjti që ka krijuar termin "krizë identiteti", sugjeronte se "njerëzit shprehin krizë identiteti kur ata humbin ndjenjën e ngjashmërisë dhe vazhdimësisë historike". Sidomos kjo e dyta na ka ndodhur edhe ne shqiptarëve. Ndërprerja e detyruar dhe e fortë e zhvillimit natyral historik pas Luftës së Dytë Botërore, krijoi gradualisht një krizë të fortë identiteti. Kjo krizë identiteti sidomos shprehet shumë konkrete me mungesën totale të krijimit të shtresave shoqërore. Një nga gjërat më të rëndësishme që e kuptoi shumë shpejt gjenia diabolike e Enver Hoxhës ishte shkatërrimi në embrion i klasës së pasur e të mesme, i shtresës së intelektualëve dhe zanatçinjve. Zëvendësimi u bë me të tjerët që prisnin radhën, por që nuk mund ta zëvendësonin dot atë që ishte krijuar deri atëherë. U kthyem në monstra dhe pastaj bëmë sikur krijuam shtresën e intelektualëve, e tani bëjmë sikur krijojmë të pasurit, e bëjmë sikur krijojmë të diturit... Një falsitet që, nëse nuk e kuptojmë me kohë, do të na shfaqë gjithmonë e më shumë humnera të pakapërcyeshme. Pasiguria nuk i ngriti dot klasat. Krijoi vetëm pseudo-klasa që mbështeteshin në një pseudo-kulturë patriotike. Mungesa e shtresave shoqërore vetvetiu e bën individin, sado i fuqishëm të bëhet ai, të mbetet akoma i pasigurt dhe i paqartë në të ardhmen që i planifikon vetes. Këtu ndërhyn frika, e cila e thellon krizën e identitetit dhe e bën qytetarin të ndjehet gjithmonë i mjerë me ankthin e humbjes nesër: askush s'e ndihmon atë, s'ka asnjë grup shoqëror më vete që t'i dalë krah kur të jetë në të keq, sepse të gjithë janë në fazën e mbijetesës së tyre. Të pasurit, të varfrit, të punësuarit, të papunësuarit, të rinjtë, të vjetrit: të gjithë e shohin me dyshim jetën e tyre, sepse janë të pasigurt. Shteti përbëhet nga shtetarë që janë edhe vetë në procesin e mbijetesës. Si të tillë iu duhet të vazhdojnë të merren me filozofinë e urisë: harrojnë se ato që kanë rrëmbyer janë më se të mjaftueshme për 5 breza, por në fakt s'është ashtu, ata nuk i le frika të jenë të sigurt për të nesërmen. Të tjerët, ata që lidhen më njerëz të fuqishëm, të gjithë luftojnë si e si të rrëmbejnë të mira materiale. Kështu ata ndjehen të sigurt për momentin, por nuk e zëvendësojnë dot frikën gjenetike të urisë. Ky qark i mbyllur funksionon në një mënyrë shumë perfekte, krejt instinktivisht e për fat të keq me një rregull konservator të përsosur: uria gjenetike ushqen frikën e ajo mban në qark identitetin e tulatur. Mungesa e shtresave të vërteta sociale do ta mundojë të ardhmen e Shqipërisë shumë gjatë. Gjithmonë është koha të mendojmë dhe të shqetësohemi.

KOMENTE