Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ramush Haradinaj: 2009, vit mjaft i vështirë për Kosovën
English

Ramush Haradinaj: 2009, vit mjaft i vështirë për Kosovën

Prishtinë, 30 dhjetor, NOA - Kryetari i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, thotë në një intervistë për BBC-në se viti 2009 ishte një vit i rëndë për Kosovën. Sipas tij, udhëheqja në Prishtinë nuk e ka shfrytëzuar gjendjen e favorshme për të paraqitur një pozicion më të fortë ndërkombëtar për Kosovën.

Z.Haradinaj, cili është vlerësimi juaj për zhvillimet e vitit 2009?

- Ishte një vit jo i lehtë për Kosovën. Ka qenë një vit sfidues. Jemi sfiduar nga shumë trende, veçanërisht nga trendet jo të mira qeverisëse në vend, sfida të brendshme që kanë reflektuar jo mirë edhe në pozicionin e jashtëm të vendit.

Por, megjithatë, mendoj se ia vlen me konsideru se e kemi përmbyllur ciklin e demokracisë bazë me zgjedhjet komunale, edhe pse ky proces nuk ka përfunduar tërësisht. Pra, në përgjithësi, një vit jo i lehtë dhe me trende jo të mira, një vit që unë besoj që qytetarët e vendit kanë dëshirë për ta zëvëndësuar me një vit më të mirë.

Kosova po mbush gati dy vjet si shtet, por akoma nuk po funksion si një tërësi e vetme, me, ndoshta, një të tretën e territorit që nuk e kontrollon pushteti qendror. Është ky një dështim i politikës në Prishtinë?

- Them se është mungesë e fillimit të Prishtinës zyrtare që të ushtrojë funksionet e veta në territorin e vendit, kjo edhe në veri. Mendoj se ka munguar krejtësisht në këtë pjesë të Kosovës. Është mirë që mekanizmat ndërkombëtarë kanë vendosur një funksionim të rendit, por kjo është e pamjaftueshme. Juridiksioni i Kosovës akoma ka vështirësi me u shtri në veri dhe ka një agresivitet të Serbisë në pjesën e veriut.

Viti që po lëmë pas ka shënuar edhe ndërrimin e dy misioneve ndërkombëtare që kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në Kosovë, por qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mos jenë krejtësisht të kënaqur me Misionin e BE-së. Ka mundur të bënte Eulex-i më shumë që Kosova të funksiononte më mirë?

- Mendoj se nuk ka mundur të bënte më shumë. Cilido mekanizëm ndërkombëtar i akredituar në Kosovë, e i cili vjen në rolin ndihmës, nuk mundet me pasë rol prijës. Me pri jemi ne, Prishtina zyrtare. Sikur ne të funksionojmë mirë, atëherë edhe ndihma do të ishte dukshëm më e efektshme. Por, meqë ka pasur dëmtime në praktikat qeverisëse dhe një stagnim në trendet e mira, atëherë është e pamundur që një mekanizëm ndërkombëtar me dhënë rezultatet e duhura.

Autoritetet e Prishtinës patën paralajmëruar se viti 2009 do të sillte numrat e njohjeve që do të hapnin rrugën për anëtarësimin e Kosovës në OKB, por kjo nuk ndodhi.

- Ne duhet t'i falenderojmë ata që na kanë njohur dhe duhet tu bëjmë thirrje edhe të tjerëve që ta bëjnë një gjë të tillë, sepse Kosova është një rast në vete. Shumë vende e demokraci na kanë në agjendë si temë pozitive, por nuk besoj se kemi bërë punë të mirë që të kishim më shumë njohje. Nuk është bërë punë e mirë as nga diplomacia e Kosovës.

Unë them se trendet tona kanë reflektuar edhe në pozicionin e jashtëm të Kosovës dhe unë dyshoj që lidershipi aktual institucional mund të premtojë një njohje më të madhe apo një përmirësim të pozicionit të jashtëm të Kosovës.

Ju vazhdimisht keni qenë kritik për qeverinë e zotit Thaçi, por megjithatë Kosova ka pasur rezultate të ndjeshme. Kosova është bërë anëtare e FMN-së, e Bankës Botërore dhe janë hapur disa procese, le të themi, integruese të Kosovës.

- Këto rezultate janë vetëm rezultate të nisjes sonë si shtet. Ne i kemi marrë vetëm rezultatet që kanë ardhur me momentin e shpalljes së Kosovës shtet, por nuk kemi krijuar fitore të tjera të reja, që nuk kanë qenë pjesë e këtij momenti.

Unë them se hetohet një zbehje e pozicionit të Kosovës jashtë. Unë e çmoj edhe FMN-në edhe Bankën Botërore, dhe kjo është një gjë e mirë, por e pamjaftueshme. Që t'iu japë një pamje më të qartë. Ne nuk jemi as në federatat ndërkombëtare të sporteve dhe kjo flet se ka një mungesë të një vizioni se si Kosova me qenë pjesë e botës.

Një ngjarje e shënuar e vitit ishte edhe procesi për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Autoritetet e Prishtinës, kanë thenë se atje janë paraqitur në mënyrë të denjë.

- Jo, mos harroni se ka pasur një neglizhencë të plotë të institucioneve të vendit për mundësinë që Kosova të mos shkonte fare në Gjykatë. Sikur të ishte shfryëzuar koha në momentin e duhur për të marrë më shumë njohje ndërkombëtare, atëhere nuk do të ishim fare në Gjykatën Ndërkombëtare. Unë them se vet fakti se ne kemi mbërritur në Gjykatë është dështim për ne. Institucionet e vendit nuk kishin vizion për këtë çështje. Unë them se ne duhet t'u kërkojmë falje vendeve që është dashur të na mbronin në këtë Gjykatë, sepse rasti jonë ka mundur të mos shkonte fare atje.

Në fund të vitit 2009 pati disa zhvillime jo të zakonshme, ndër to edhe zgjedhjet, të cilat megjithë vleresimet tuaja se ato përmbushën standardet demokratike, u zhvilluan me shumë probleme. Ka pasur vlerësime se këto zhvillime mund të krijojnë përshtypjen se Kosova nuk është një shtet serioz, për çfarë edhe ju duhet të keni përgjegjësi?

- Unë mund t'iu them se ne kemi jetuar një tregues për një gjendjeje jo të mirë të demokracisë në vend. Ky tregues është dhe pozicioni i opozitës në shoqëri. Ne e kemi ndjerë tendencën e qeverisë për një kontroll total në jetë, për t'i kontrolluar të gjithë sektorët e jetës. Unë jam munduar që të ndikoj që të mos ndodhë totalitarizmi në vend dhe nuk ka ndodhur totalitarizmi, dhe kjo është ngjarja më e mirë.

Viti 2010 do t'i vërë kapak zgjedhjeve lokale, do të përfundojë procesi në GJND dhe ndoshta do të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme.

- Është me interes që Kosova t'i paraprijë momentit dhe të funksionojë në drejtimin e duhur pas vendimit të Gjykatës për Kosovën. Unë them se ne nuk guxojmë që diplomacia serbe ta këtë iniciativën pas këtij vendimi, sepse do të krijohej një situatë e pa favorshme për shumë vende që duan të na njohin. Është me rëndësi edhe përmbyllja e zgjedhjeve komunale dhe duhet të shkohet edhe në zgjedhje të përgjithshme. Mendoj se presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, me vendimin e tyre për t'i shtyrë zgjedhjet, nuk i kanë bërë shërbim të mirë vendit. Ata e kanë mundësinë me e ndërpre një trend negativ për Kosovën, sepse zgjedhjet e përgjithshme janë dalja e duhur nga gjendja e krijuar në vend.

BBC

KOMENTE