English

Papandreu: Greqia kërkon stabilitet për kosovarët

Athinë, 4 janar, NOA - Stabiliteti i rajonit dhe e drejta ndërkombëtare janë baza e politikës që do të ndjekë qeveria greke, e kryesuar nga kryeministri Papandreu. Një fakt të tillë ky i fundit e ka theksuar gjatë një interviste, i pyetur për qëndrimin që do të mbajë qeveria që ai drejton ndaj pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, qëndrimi i Greqisë është që të krijohet një mjedis i sigurt dhe përparues për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetin serb.

I pyetur nëse është ushtruar presion mbi Greqinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe nëse qëndrimi i Greqisë do të ndryshojë në këtë drejtim, Papandreu tha se Greqisë i intereson mbi të gjitha stabiliteti i rajonit.

"Qëndrimi i Greqisë për këtë çështje është mirë i njohur dhe nuk do të ndryshojë. Stabiliteti i rajonit dhe e drejta ndërkombëtare janë bazë e politikës tonë. Jemi të përkushtuar në tentativat e krijimit të një ambienti të sigurt dhe prosperues për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetin serb", mësohet të jetë shprehur kreu i qeverisë së re greke.

Sipas tij, rëndësi të madhe paraqet fakti i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe religjoze në Kosovë, e cila ka rëndësi të madhe për Greqinë, duke nënkuptuar kishat ortodokse.

n.e/NOA

KOMENTE