English

SHBA, një incident i ri me avionët. Qeveria: Që sot, kontrolle të rrepta udhëtarëve

Nju Xhersi, 4 janar, NOA - Një incident është shënuar në një nga terminalet e aeroportit në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi një pasagjer kaloi në pjesën e sigurisë së aeroportit, duke shmangur procedurat e sigurisë.

Autoritetet amerikane raportojnë se ky person ende nuk është gjetur, por se janë bllokuar menjëherë të gjithë terminalet, duke lejuar për disa orë më pas udhëtimin normal të pasagjerëve.

Incidenti ndodhi pas rritjes së masave të sigurisë si pasojë e sulmit të dështuar terrorist në ditën e Krishtlindjeve, kur një 23-vjeçar nigerian tentoi të hedhë në erë një sasi eksplozivi në një aeroplan të linjës Delta, me të cilin udhëtonin mbi 200 pasagjerë.

Nga ana e saj, qeveria amerikane ka bërë me dijeni se duke filluar nga dita e sotme do të zbatojë masa më të rrepta sigurie për pasagjerët që udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara. Masat parashohin kontrollin e imtësishëm të udhëtarëve nga 14 shtete që janë në listën e vendeve që sponsorizojnë terrorizmin. Nga Uashingtoni raportohet se kontrolli do të përfshijë edhe skanimin e veshjeve dhe të trupit, kontrollin e imtësishëm të bagazheve për udhëtarët nga Kuba, Irani, Sudani dhe Siria. Pasagjerët nga vende si Afganistani, Pakistani, Algjeria, Iraku, Libani, Libia, Nigeria, Arabia Saudite, Somalia dhe Jemeni do të përballen me kontrolle shtesë. n.e/NOA

KOMENTE