English

Berisha: Përmbytjet, evakuim për gratë, fëmijët dhe moshat e thyera

Burrel, 5 Janar NOA - Kryeministri Sali Berisha ka inspektuar sot në mesditë argjinaturën e lumit Mat në Milot dhe më tej i është drejtuar zonave problematike përreth duke kërkuar që të evakuohen sa më shpejt banorët që rrezikohen nga përmbytjet.

Berisha u shpreh se situata është aktualisht e vështirë duke shtuar se kushtet atmosferike nuk po e ndihmojnë aspak gjendjen.

Ndërsa duke evidentuar si problematik faktin se shumë familje nuk duan të largohen nga banesat e tyre, kërkoi që të paktën gratë, fëmijët dhe moshat e thyera, të evakuohen në mënyrë të menjëhershme.

Kryeministri është nisur për në Ishull Shëngjin për t'u drejtuar edhe atje me thirrjen për evakuim nga zonat e përmbytura dhe në rrezik eventual.

Tre ditë më parë, Berisha duke vizituar zonat e përmbytura në Qarkun e Lezhës dhe Shkodrës, tha se situatat më të fundit vijnë si pasojë e ngrohjes globale dhe premtoi angazhim qeveritar për të përballuar me masa konkrete që situata të mos precipitojë.

Shefi i qeverisë inspektoi nga afër zonat ku situata ishte më e rëndë, si në Ishull Shëngjin e Fushë Kuqe si dhe në Shkodër, ku përmbytjet janë më të theksuara në komunat Gur i Zi, Ana e Malit dhe Bërdicë.

Nëse në rastin e Lezhës përmbytja erdhi si pasojë e baticave të detit, në Shkodër, fshatrat po përmbyten për shkak se digat po hapen nga niveli shumë i lartë i ujit që ka arritur aty çka detyron autoritetet të ndërmarrin këtë hap.

Batica në Lezhë dhe ngrohja globale si faktor

Në zonën e Ishull Shëngjin, banorët i thanë korrespondentit të NOA se një baticë e fuqishme, një ngritje e detit, ka çarë argjinaturën.

Banorët të thonë se kjo gjë më parë nuk ka ndodhur ndonjëherë, nuk është regjistruar ndonjëherë në këtë shkallë.

Ata ngrenë problemin se situata nuk është e thjeshtë dhe në takimin që vendorët patën sot me kryeministrin, u pohua fakti se i gjithë gjiri i Drinit, është shumë e kërcënuar.

Këtë pohim e përforcon kryeministri i cili thotë se jo vetëm gjiri i Drinit, por "ç'është e vërteta i kërcënuar në përgjithësi është bregu i Adriatikut, më shumë se Joni, sepse është fushor, kurse ai është shkëmbor, diçka më ndryshe".

Berisha evidentoi se këto janë efektet direkte të ngrohjes globale dhe duke iu referuar baticës, tha se kjo valë që erdhi nga Afrika.

Ndërkohë, mësohet se shkarkimet e ujërave kanë qenë shumë të mëdha nga Mati, por prapëseprapë nuk janë ato që kanë sjellë këtë situatë. Fatmirësisht argjinaturat e Matit kanë funksionuar shumë mirë.

"Hidrovori funksionon tërësisht, por shikoni çfarë fenomeni kemi, këto janë ujërat që vijnë nga sipër, dhe hidrovori i evakuon ato, kurse deti është rreth dy metra më larg sesa ujërat e ëmbla, dhe kjo për shkak të rritjes së nivelit të detit, se kjo është një gjë e pazakontë", - theksoi shefi i qeverisë.

Nisur nga kjo situatë e re emergjente për vendin, Berisha tha se kërkohen masa jashtëzakonisht aktive, se tërë kjo zonë është e ulët, madje edhe përtej Shëngjinit, pjesa e Rërës së Hedhur dhe Velipoja, gjendet në të njëjtën situatë.

Kryeministri i tha vendorëve se "po bëjmë ringritjen e argjinaturave", - por shtoi se këtu një projekt i madh kombëtar duhet për të bërë atë që Holanda ka bërë në shekuj.

Në fakt, për shkak të nivelit të ulët të tokës, ne nuk kemi pasur atë problem që njihet në Holandë, por tani për shkak të ngritjes së nivelit të deteve nga ngrohja globale, ky fenomen shfaqet, dhe rrezikon të përsëritet si precedent edhe këtu.

Ekspertët thonë se ndonëse nga hidrocentralet e Shkopetit dhe të Ulzës kanë shkarkuar të marra së bashku rreth 700 apo 800 metër kub në ditë, përveç turbinave, kanë funksionuar shumë mirë argjinaturat e Matit dhe nuk kemi pasur asnjë problem, por problemet kësaj here i kemi nga rritja e nivelit të detit.

Ndërkohë në Shkodër, prefekti, me porosi të kryeministri, ka vendosur të shpallë gjendjen e emergjencës, në komunat e Dajcit, Velipojës, Obotit.

E vërteta është se prurjet në lumenjtë e veriut që derdhen në Drin janë shumë të mëdha ndaj duke pohuar situatën, Berisha tha sot nga Shkodra, se "këto prurje do të imponojnë një regjim të ri shkarkimi, në mënyrë që të vendosim sigurinë të parën".

e.r/r.b/NOA

KOMENTE