English

Qendra Kulturore Tirana me projekte dhe vizione të reja

Tiranë, 5 janar NOA - Viti 2010 ka nisur me një sërë ambiciesh dhe energji pozitive për Qendrën Kulturore Tirana.

Në pak vite ky institucion ka treguar se po ristrukturohet dhe po kërkon gjithmonë e më shumë të jetë më pranë publikut artdashës me projekte, salla të reja dhe veprimtari gjithëpërfshirëse.

Teatri i Metropolit që muajin e fundit të vitit 2009 ka nisur provat për komedinë "Playboy i trojeve tona" premiera e së cilës do të jetë në fund të muajit shkurt 2010, e cila do të shfaqet në sallën "Bodrum" që përurohet me autorin irlandez John Millington Synge.

Premiera e dytë e Teatrit të Metropolit pritet të jetë në muajin prill 2010 me komedinë "Testamenti i Ri" nga Sacha Guitry, e cila do të vihet në sallën e re "Glob" me kapacitet prej 300 vendesh. Salla "Bodrum" dhe salla "Glob" e çojnë në tre numrin e sallave të Teatrit të Metropolit.

Në projektet ambicioze të këtij teatri priten premiera të tjera , ku drejtuesit shprehen se do të kenë bashkëpunime me regjisorë të huaj të teatrit Rumun, Francez etj, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesë e këtij teatri.

Teatri i Metropolit për fëmijë i hap dyert në datat 16 dhe 17 Janar 2010 me dy shfaqje premierë : "Në ballon e luleve" përshtatur nga përralla "Lulet e Idës së vogël" e autorit H.K. Andersen dhe "Druvari i mirë" përshtatur nga përrallat e vëllezërve Grim. Mesjava do të sjellë këto shfaqje për kopshtet dhe fëmijët në nevojë.

Cirku i Metropolit do të vazhdojë çdo të shtunë dhe të diel ora 11.00 dy shfaqjet premierë me rastin e 50 vjetorit të cirkut: "Të kapërcesh ylberin" dhe "Qielli pikon yje".

Në mesjavë për nxënësit e shkollave të kryeqytetit do të shfaqet një kombinim i të dyja shfaqjeve në oraret e kërkuara.

Ansambli Folklorik "Tirana" dhe Banda e Qytetit pas ristrukturimit në përputhje me vizionin dhe strategjinë e re të kësaj qendre kulturore që çdo dite e më shumë po rrezaton energji dhe ambicie për të plotësuar kërkesat gjithmonë në rritje të spektatorin kryeqytetas, do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e të gjitha evenimenteve dhe festimeve në kryeqytet e më gjerë.

m.s/NOA

KOMENTE