English

Tadiç "devijon" qëllimin e vizitës në Kosovë: Doja Serbinë, që do të thotë Kosovën, në BE

Prishtinë, 7 janar NOA - Pavarësisht se vizita e presidentit serb Boris Tadiç në Kosovë ishte e parashikuar vetëm si një vizitë fetare dhe aspak politike, kjo nuk e ka penguar Tadiçin të lëshojë një deklaratë "bombë".

"Kosova është pjesë e Serbisë" këtë duket se ka dashur të thotë Tadiç kur u shpreh se "Unë do të doja të shihja jo vetëm Serbinë, që do të thotë Kosovën, në BE, por edhe të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore që të integrohen sa më shpejt në BE, me shpresë në vitin 2014".

Këtë deklaratë Presidenti serb Boris Tadiç e ka thënë gjatë qëndrimit të tij në Deçan për të festuar Krishtlindjet Ortodokse.

Vizita e tij u lejua nga autoritetet e vendit, me kushtin që Tadiç të mos e keqpërdorë atë për qëllime politike.

Presidenti serb, arriti në Manastirin e Deçanit nën masa të rrepta sigurie të ofruara nga forca paqeruajtëse KFOR.

Në mesazhin e tij për Krishtlindjet Ortodokse ai ka bërë thirrje për paqe, duke theksuar se ajo është më se e domosdoshme për popujt e Ballkanit, që, sipas tij, jetojnë në një hapësirë shumë komplekse dhe të rënduar.

"Duke e shënuar lindjen e Krishtit, dërgojmë mesazh paqeje te të gjithë njerëzit, pavarësisht nga identiteti i tyre; mesazh paqeje të gjithë atyre, të cilët sot dhe nesër shënojnë këtë festë të krishterë, por edhe atyre që nuk e festojnë, sepse ky është një shans edhe për ata që kanë qenë të përçarë dhe në mosmarrëveshje, të pajtohen, t'i shtrijnë dorën njëri-tjetrit, të merren vesh më mirë seç janë marrë vesh gjatë gjithë vitit të kaluar" tha presidenti serb në Manastirin e Deçanit.

k.k/NOA

Â

KOMENTE