English

Përgjegjësia për panikun

Problemeve që po shoqërojnë zonën e përmbytur po u shtohet tani dhe mundësia e përmbytjes së disa lagjeve të qytetit të Shkodrës si dhe dëmtimi i ndjeshëm i Urës mbi Drin që lidh Tropojën me Tiranën

Mero Baze*

Kryeministri Berisha po përpiqet të hapë një debat publik të panevojshëm mbi përmbytjet, i cili ka të bëjë me panikun e mundshëm që mund të përhapet mes banorëve pas gjendjes së krijuar. Deri më sot, media, e cila ka mbuluar situatën në terren, ka qenë shumë e përgjegjshme në informacionet e transmetuara dhe i ka shërbyer më mirë se qeveria stabilizimit të situatës

Asnjë gazetar dhe asnjë media, përveç medies pro qeveritare nuk i bën jehonë as panikut zyrtar që kryeministri Berisha përhapi me deklaratat e tij tri ditë më parë duke përsëritur për dy herë se vendi gjendet në prag të katastrofës dhe se digat e Drinit po rrinë si shpata e Demokleut mbi kokën e qytetarëve. Pra nëse ka një person zyrtar dhe privat, në këtë vend që ka ngjallur panik është kryeministri Berisha dhe nëse duhet të aplikohet ndonjë masë ndaj dikujt që përhap panik duhet të aplikohet ndaj kryeministrit Berisha. Përtej panikut zyrtar, gjithë aktorët e tjerë të shoqërisë kanë qenë të përgjegjshëm.

Media, opozita, por edhe autoritete vendore kanë qenë të përmbajtur dhe janë fokusuar rreth solidaritetit dhe evakuimit si dy prioritetet emergjente për këtë situatë. I vetmi që shpalli rrezikun me panik dhe i vetmi që po flet po kundër panikut është vetëm kryeministri Berisha.

Më qesharakë akoma bëhen disa ministra të tij, të cilët në kulmin e një krize sociale dhe fatkeqësie njerëzore, flasin për kapje armiqsh e sabotatorësh që flasin në mënyrë anonime në telefona. Në historinë e përhapjes së panikut nuk bëjnë punë përgjigjet e telefonave, derisa kemi një kryeministër që ka folur hapur.

Kush mendon se ai ka bërë dëm me panikun që ka përhapur, të veprojë kundër tij. E gjithë kjo përpjekje për t'i dhënë një tablo konspirative në këtë histori, është tregues i dështimit të qeverisë me krizën dhe përpjekjen për të gjetur elemente të tjerë mediatikë për të tërhequr vëmendjen nga paaftësia për ta menaxhuar atë. Atë që duan sot banorët e Shkodrës dhe Nënshkodrës, nuk është kush i ka folur në vesh apo kush u ka dërguar sms, por kush do t'i strehojë, kush do tua ruajë pasurinë dhe kush do t'i kompensojë për këtë tragjedi që u ndodhi nga faji i qeverisë.

Nëse kryeministri Berisha ka përgjigje të qarta për këtë, banorët qetësohen vetë dhe s'ka zot që t'i trembë. Nëse nuk i qetëson dot për tragjedinë që u shkaktoi, dhe sikur në hotel me pesë yje t'i çojë, nuk ua heq dot panikun për të sotmen dhe të nesërmen e tyre të pasigurt nën qeverisjen e tij.

(*) Dërguar nga autori, botues i "TemA"

KOMENTE