English

Nis normalizimi i situatës nga përmbytjet, Fierza shënon rënie

Tiranë, 9 janar, NOA - Niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës sa po vjen dhe ulet nga dita në ditë, gjë që për ekspertët po krijon premisa për normalizimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në veri të vendit. Një fakt të tillë e kanë referuar të dhënat e fundit të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, por edhe vetë ministri i Energjetikës, sipas të cilit niveli i Fierzës është ulur me afro 80 cm.

Me shifrat aktuale të kuotuara, vlerësohet se Fierza po i drejtohet gjendjes së saj normale, në një kohë kur pika kritike në rezervuarin e hidrocentralit të Fierzës është 296 metra.

Por gjithsesi, ekspertët pohojnë se moti është një aleat i pashmangshëm në situatën e rëndë të krijuar, pasi sipas tyre ecuria e nivelit të ujit në ditët në vijim do të varet nga moti.

Nga ana e tyre, metereologët parashikojnë që reshjet e shiut të vazhdojnë të paktën edhe për një javë të tërë me të tilla ritme siç kanë qenë ditët e fundit, duke e rënduar tej mase situatën.

Sipas të dhënave më të fundit zyrtare nga ministria e Brendshme, në qarkun e Shkodrës janë përmbytur rreth 2.100 shtëpi dhe një sipërfaqe toke prej rreth 9.100 hektarësh.

Ndërsa forcat e policisë dhe ato të ushtrisë po vazhdojnë operacionin e evakuimit të popullatës nga zonat problematike të përmbytura.

n.e/NOA

KOMENTE