English

Duke ecur në këpucët e tjetrit

Këto arnime që po i bëjnë martesës politike koalicioni aktual qeverisës vetëm sa e shndërrojnë qeverisjen në një martesë që mbanë si veshje të jashtme të saj një petk të arnuar ku në këtë mënyrë edhe jeta e kësaj martese politike nga brenda do shuhej nga dita në ditë dhe do dhjamosej nga ngufatja për të mos dalë lakuriq kriza e brendshme e martesës politike e koalicionit qeverisës si dhe për të mos futur në rend dite zgjedhjet e parakohshme nacionale, e që në fakt janë të pashmangshme

Gjon Keka*

Ndërkohë që vitet ikin njëra pas tjetrës problemet dhe zhvillimet e përgjithshme ne shtetin e mbikëqyrur të Kosovës kanë mbetur ende tepër shqetësuese, pothuajse të njëjtat në procesin e sfidimit të tyre edhe brenda këtij viti të ri që kemi hyrë tanimë. Sfidat e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës janë pjesë e proceseve që duhet t'i përballojë me përgjegjësi dhe aftësi më të lartë „lidershipi" dhe institucionet e Kosovës në rrugën e forcimit të shtetit demokratik dhe ligjor si dhe të rrugës së proceseve të integrimit në familjen evropiane.

Politika kosovare duhet që të demonstrojë aftësinë e saj shtetërore me anë të autoritetit dhe legjitimitetit që ka ashtu që edhe sfidat që vijnë si nga brenda ashtu edhe nga jashtë t'i sfidoj me anë të fuqisë së saj politike dhe të autoritetit që ka në mbarë Kosovën. Siç mësojmë në të drejtën ndërkombëtare, sovraniteti është ushtrimi në mënyrë legjitime i pushtetit të një shtet mbi tërë territorin e tij.

Dhe në lidhje me këtë duke ditur se Kosova është shtet dhe ka sovranitetin e saj de jure atëherë është e drejtë ligjore për ta bërë këtë, pra për të shtrirë tërë autoritetin e tij shtetëror në tërë territorin e saj, dhe po ashtu duke ditur se Kosova është shtet de facto atëherë ajo duhet që të demonstroj aftësinë e saj shtetërore në mënyrë faktike dhe reale në tërë vendin e saj ashtu që ky efekt praktik i saj të ndihet edhe ne veprimet që ndërmerr në ruajtjen e sovranitetit të saj nga dëmtime që vijnë sidomos nga strukturat paralele siç janë ato ne veri të Mitrovicës dhe pjesët tjera të etnitetit serb.

Sidoqoftë ajo që po ndodhë në këtë fillim vit në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës është rezultat i mosaftësisë qeverisëse të lidershipit kosovarë dhe sjelljes së tyre ndaj proceseve të shtetit në mënyrë fëmijërore dhe të çuditshme. Por kjo gjithashtu lidhet edhe me këtë se lidershipi i Kosovës si duket ka hyrë në politikë nga fati e rastësia e jo nga profesioni dhe përvoja e thellë dhe aftësia për punuar për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit dhe afrimin e tij te dera e integrimit në sistemin e vlerave evropiane.

Eshtë pikërisht edhe një nga këto pengesa që po përjeton shteti i Kosovës duke pasur një lidership të tillë të cilët nuk kanë aftësi dhe forcë për t'iu kundërvë problemeve potenciale që dalin rrugës, sepse një lidership i përgatitur dhe i aftë për të mbajtur në duar të sigurta telekomandën e shtetit nuk lejon nëpërkëmbjen e qytetarit dhe nuk lejon gjithashtu lojëra të fqinjëve siç është rasti i politikës destruktive serbe ndaj Kosovës dhe veglave te saj brenda Kosovës, pra strukturave paralele që të trazoj sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.

Megjithëkëtë ajo që po ndodhë tani në Kosovë është një defekt diplomatik dhe politik që i ka rrënjët në marrëveshjet e mëparshme, dhe pikërisht këto marrëveshje kanë bërë që sot veriu i Mitrovicës të mbetet një territor i diskutueshëm, i cili është një zonë diskutabile që ndanë fatet e njerëzve dhe është pikërisht ky mur që krijoj diplomacia dhe politika e naivitetit dhe servilitetit në atë kohë kur do duhej të vendosej drejtë historikisht.

Duhet theksuar se integriteti territorial i një shteti e në këtë rast i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës është parimi bazë i së drejtës ndërkombëtare, prandaj duke u bazuar në këtë parim thelbësor ajo nuk duhet lejojë struktura paralele dhe agresive që cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, pastaj që fusin fitilin brenda etniteteve për të destabilizuar dhe për ta humbur apo më mirë për ta minuar rrugën e demokracisë dhe të shtet-ndërtimit të Kosovës si dhe aspiratës së saj në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Ndërkaq në anën tjetër kriza e qeverisë, respektivisht partive të martuara politikisht dhe pa asnjë vullnet dhe përgjegjësi po e qojnë qeverisjen e këtij koalicioni të panatyrshëm në një dilemë rrugësh dhe vullnetesh të përziera, në njërën anë flitet se nga thyerja emocionale brenda një nate e këtij koalicioni vitin që lamë pas tani copat e saj po i mbledhin disa nga dëshira për të mbajtur pushtetin me zor e disa nga frika se humbja është e sigurt po u divorcuan. Dhe i dhanë hapësirë zgjedhjeve të parakohshme. Mbajtja me zor e martesës politike është e dëmshme, e pafrytshme dhe nuk i sjell progres dhe as zhvillim të shëndosh demokracisë, institucioneve dhe në përgjithësi shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.

Në demokraci mbajtja me zor e martesave politike apo koalicioneve qeverisëse ka sjellë gjithmonë sëmundjen e demokracisë pastaj sistemit institucional, politik, qeverisës si dhe ka pasur një jetë tepër të shkurtër të rrugës së saj të gjatë që ata kanë menduar ta ecin së bashku me karrocën e thyer dhe me lojërat e nxehta brenda emocioneve instiktive të partive të martuara politikisht dhe pa vullnet të brendshëm. Me një fjalë riformatizimi apo ringjyrimi i ndërtesës së këtij koalicioni aktual qeverisës është vetëm një infuzion i shkurtër dhe një qëndisje e keqe e proceseve të institucioneve demokratike dhe të sistemit politik të shëndosh që duhej të prodhonte fryte dhe aftësi vizionare për të dalluar rrugën e progresit dhe të ardhmërisë së demokracisë së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës nga rruga e mbylljes së poreve të demokracisë dhe funksionalizmit të institucioneve në përgjithësi.

Këto arnime që po i bëjnë martesës politike koalicioni aktual qeverisës vetëm sa e shndërrojnë qeverisjen në një martesë që mbanë si veshje të jashtme të saj një petk të arnuar ku në këtë mënyrë edhe jeta e kësaj martese politike nga brenda do shuhej nga dita në ditë dhe do dhjamosej nga ngufatja për të mos dalë lakuriq kriza e brendshme e martesës politike e koalicionit qeverisës si dhe për të mos futur në rend dite zgjedhjet e parakohshme nacionale, e që në fakt janë të pashmangshme.

Ndërsa në kuadër të këtij refleksioni duhet nënvizuar edhe këtë se një argument i fuqishëm për demokracinë e një shteti juridik e demokratik është para së gjithash hiqja e dilemave dhe pengesave të brendshme, lufta kundër korrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, zbardhja e politicideve, ulja e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë politike etj., etj, ashtu që qytetarët e Kosovës duke qenë të sigurt dhe duke parë funksionalizimin e institucioneve të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të tij arrijnë që të pajtohen me politikat e sotme të institucioneve të Kosovës.

Ndërsa rrëzimi i këtyre argumenteve të qëndrueshmërisë politike bënë që qytetarët të humbin besimin në institucione dhe në vetë shtetin e tyre dhe arrijnë te shkalla tjetër e kërkimit të një shansi i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të ndryshuar ata që janë në pushtet, ose për të ndryshuar politikat me të cilat ata nuk pajtohen në asnjë mënyrë dhe me të cilat e ndiejnë veten dhe ardhmërinë e tyre të pasigurt gjatë rrugëtimit të vendit të tyre nga pushtetarët e tyre dhe politikat e tyre të gabuara.

Pastaj çështja e vizitës së presidentit të Serbisë Boris Tadiç në Kosovës është një vizitë pa asnjë efekt politik dhe diplomatik, por duhet theksuar se i vetmi efekt që mund të jetë në kuadër të kësaj vizite është trashja e mentalitetit bizantin të pakicës serbe dhe ushqimi i ëndrrave të zbrazëta se Kosova gjoja ende është në iluzionet e tyre dhe se politika e Beogradit ka një kujdes ndaj tyre. Siç dihet nuk është hera e parë që presidenti serb viziton Kosovën, më herët i është bërë e mundur nga një konsensus i brendshëm në mes të administratës së UNMIK-ut dhe qeverisë së përkohshme të Kosovës, ndërsa tani po i bëhet e mundur nga vet institucionet legjitime të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, kjo në shikimin e parë është e çuditshme, ndërsa në të dytën është absurde dhe e pakuptueshme. Vizita e presidentit të Serbisë do duhej ndalohej për dy arsye shumë të rëndësishme;

e para përderisa nuk ndërron qëndrimi i Beogradit zyrtar ndaj shtetit të mbikëqyrur të Kosovës dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe e dyta përderisa shteti serbë nuk kërkon falje publike për krimet gjenocidale të kryera ndaj popullit të Kosovës.

Dhe krejt në fund nga e gjithë kjo mund të thuhet se „lidershipi" i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës po krijon një imazh të çuditshëm dhe skeptik karshi proceseve dhe rrugës së ndërtimit të shtetit të Kosovës si dhe proceseve të integrimit në strukturat euroatlantike. Sjellja e „lidershipit" dhe aftësia e tyre për të ndikuar pozitivisht në proceset e shtetndërtimit, pastaj për t'i kontribuar drejt me efektivitet dhe me sukses shtetit dhe rrugës së Kosovës pothuajse është zbeh dhe nuk po lenë hapësirë që në të ardhmen të mbahen mend si një „lidership i referencës" në historinë e re të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Sepse siç shihet „lidershipi" i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës po ecën në këpucët e dikujt tjetër, duke harruar se këpucët e politikanit dhe diplomatit e liderit nuk të bëjnë të tillë, njeriu mund të vesh këpucët e llojllojshme por ai mbetet i tillë çfarë është, si duket këpucët e politikanëve janë shndërruar në këpucë të biznesmenëve politikë.

Fati mund të sjell të mbathësh këpucë politikanësh, të veshësh petk mbretërish të kësaj bote e të lypësh në skelë më të lartë, por e rëndësishme është që atyre t'ia japësh vlerat që i takojnë dhe t'i kontribuosh vendit në mënyrë të zgjuar dhe të përgjegjshme e vizionare, duke mos harruar kurrë se nga skela mund edhe të zbresësh poshtë thellësisht poshtë. Prandaj është e një rëndësie jetike që "lidershipi" i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës të mbathë këpucët e një „lidershipi të thjeshtë e me vlera të vërteta" ashtu që të punojnë në mënyrë të pandalshme në mbjelljen e demokracisë së shëndosh, në forcimin e institucioneve demokratike, shtetit juridik, zhvillimin ekonomik, dhe në ndërtimin e rrugës së sigurt të Kosovës drejtë integrimit në familjen evropiane.

(*) Dërguar nga autori, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

* Opinionet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërish qëndrimin e NOA

KOMENTE