English

Rama në Shkodër: Qeveria të zgjidhë situatën në veri, dhe të mos merret me opozitën

Shkodër, 10 janar NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka bërë thirrje sot nga Shkodra, qeverisë që të zgjidhë situatën e krijuar nga përmbytjet në veri, në vend që që të merret me opozitën. I shoqëruar nga deputeti socialist, Pandeli Majko, kreu i opozitës inspektoi sot zonat e përmbytura në qarkun e Shkodrës dhe më pas doli në një konferencë për shtyp nga qyteti i Shkodrës.

"Në çdo vend të emancipuar në rastet e fatkeqësive duhen ngritur struktura me bazë partiake, komunitare, sociale e individuale, që nuk quhen struktura paralele, por struktura solidariteti si një shprehje e një vetëdije qytetare evropiane në shekullin e 21, që për fat të keq nuk është vetëdija e atyre që sot kanë përgjegjësinë për shkaktimin e kësaj katastrofe dhe sot kanë paturpësinë që të bëjnë politike me katastrofën duke u marrë me opozitën ndërkohë që duhet të merren me njerëzit" tha Rama.

Ndërkohë që në fjalën e tij, deputeti Pandeli Majko tha se opozita i ka mëshuar faktit se "çfarë ndodhi e çfarë po ndodh aktualisht". "Nisur nga qëndrimet e institucioneve të ndryshme përfshi dhe Presidentin e Republikës, të cilët duan ti japin një pamje rozë situatës që po ndodh, me shumë respekt për institucionin e Presidentit të Republikës, dëshiroj të them se aktualisht situata në qarkun e Shkodrës nuk ka nevojë për deklarime komisarësh, por ka nevojë për një reagim në nivelin e situatës" deklaroi deputeti socialist Majko.

k.k/NOA

KOMENTE