English

Politika e luanëve dhe e dhelprave

Në pjesën shqiptare të Maqedonisë është vështirë të shohësh oxhaqe industrialë, pa asnjë zonë të lirë ekonomike (pjesa maqedonase i ka katër të tillë), ndërsa buxheti i shtetit qe shumë kohë nuk bën investime zhvillimore në këtë pjesë të vendit. E gjithë kjo është strategji e politikës maqedonase dhe trajtimit që i bëhet pjesës shqiptare në shtet

Hasan Saliu*

Lajmi se 150 mijë qytetarë të Maqedonisë e braktisën menjëherë vendin sapo u hoqën vizat, dhe atë jo për turizëm, tregon për dëshpërimin e madh të tyre dhe paperspektivën që shohin ata në vendin e tyre. Shumica e të larguarve janë shqiptarë, ndërsa po të merret parasysh fakti zyrtar se çerekun e popullsisë së këtij vendi e përbëjnë shqiptarët, ndërsa shumica e të larguarve rishtazi janë shqiptarë, kjo dëshmon se shqiptarët të paktën pesë herë më shumë se maqedonasit janë duke e braktisur Maqedoninë. Kjo tregon se shqiptarët nuk shohin asnjë perspektivë punësimi në atë vend. Dhe, kjo perspektivë shihet vërtet e zymtë. Në pjesën shqiptare të Maqedonisë është vështirë të shohësh oxhaqe industrialë, pa asnjë zonë të lirë ekonomike (pjesa maqedonase i ka katër të tillë), ndërsa buxheti i shtetit qe shumë kohë nuk bën investime zhvillimore në këtë pjesë të vendit.

E gjithë kjo është strategji e politikës maqedonase dhe trajtimit që i bëhet pjesës shqiptare në shtet. Krahas dozës së madhe shoviniste të estabilishmentit maqedonas, gatishmëria e madhe e shqiptarëve për ta braktisur vendin është edhe pasojë e dështimit të faktorit politik të shqiptarëve në Maqedoni. Partitë shqiptare, herë njëra e herë tjetra, kur janë opozitë, janë mbrojtës "luanë" të barazisë së shqiptarëve me maqedonasit, por ku bëhen pjesë e Qeverisë bëhen mbrojtëse "dhelpra" të barazisë së shqiptarëve në shtet dhe mbrojtës "luanë" të interesave klanore partiake. Ky avaz është duke vazhduar qe gati dy dekada, pa asnjë ndryshim. Në vitin 2001 u zhvillua edhe një konflikt i armatosur për barazi kombëtare, por nëntë vjet më vonë gjendja mbetet e pandryshuar në thelb, edhe përkundër disa ndryshimeve kozmetike konstitucionale. Madje, të lejuar qëllimisht të zhyten në biznese korruptive dhe me ministra të emëruar mediokër, shqiptarët shpesh edhe shtantazhohen. Se deri në çfarë mase është degraduar faktori politik shqiptar tregon edhe fakti se përderisa përfaqësuesit e BE-së kërkonin deri para disa muajsh implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, parti shqiptare në Qeverinë e atjeshme shkonin një hap përtej servilizmit të zakonshëm, duke deklaruar se kjo marrëveshje paqësore është implementuar 99 për qind. Si pasojë e këtij qëndrimi, kushti specifik i Maqedonisë për anëtarësim, ai i Marrëveshjes së Ohrit, nuk ekziston më për kancelaritë e Brukselit. Madje, pozitën e skajshme inferiore partitë shqiptare janë duke dëshmuar edhe duke mos qenë, jo vetëm pjesëmarrëse në vendimin për çështjen e emrit të shtetit, por madje as pjesë e këtij debati.

Në anën tjetër, pala maqedonase është treguar praktikisht mjaft stratege, madje "risheljiane". Në këtë kontekst, jo vetëm që ka pasur sukses strategjia "përçaj e sundo", por madje ka bërë që shqiptarët me muaj e vite të merren me pasojat e një provokimi maqedonas. Në këtë kontekst, menjëherë pas luftës së armatosur për "të drejtat e shqiptarëve", pala maqedonase ndërmerrte herë pas here aksione policore, si në Malësinë e Shkupit, Tetovës, më pastaj në Brodec etj. Pas gjithë këtyre aksioneve me të plagosur e viktima shqiptarë dhe shumë të burgosur, subjekteve shqiptare do t'u duheshin të merreshin me "shërimin e plagëve" të këtyre aksioneve. Pasi kalonin disa muaj dhe harrohej aksioni, ndërmerrej tjetri, duke i bërë shqiptarët që të ndihen të lumtur, kur pala maqedonase "nuk ngucej". Të tjerat harroheshin. Askush në këtë atmosferë nuk mendonte për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, apo avancimin e statusit të tyre. Kur aksioneve policore u kaloi koha, strategjia maqedonase sërish e vinte në lojë politikën shkurtpamëse shqiptare në Maqedoni. Abrogimi i ligjit për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar sërish e nxiti debatin brendashqiptar, duke i bërë shqiptarët që të merren me vetveten. Kur pas disa muajsh të tërë konsumoheshin energjitë euforike dhe shkurtzgjatëse të shqiptarëve, pala maqedonase e lëshonte një tullumbace tjetër: vënia e vizave për shtetasit e Shqipërisë, apo edhe të Kosovës. Kur konsumohej debati dhe energjitë, pasonte hapi tjetër: provokimi nëpërmjet enciklopedisë. Ndërsa, ai i fundit, gjithashtu pritet të djegë energji politike të shqiptarëve, të paktën për një vit: shqiptarët tani obligohen me ligj që nga klasa e parë ta mësojnë gjuhën maqedonase. Kjo kurrë nuk ka qenë, as edhe në diktaturën e egër socialiste. Kështu, filloristët shqiptarë në Maqedoni që nga mosha 6-vjeçare obligohen që ta mësojnë edhe maqedonisht. Dhe, pasi reagimi i flluskave politike të marrë fund, mbase pala maqedonase do të dalë me ndonjë "margaritar" të ri, duke i lënë shqiptarët ta bëjnë në vazhdimësi punën e Sizifit, madje edhe më keq.

Kështu, subjektet politike shqiptare do të kujdesen për t'u marrë vetëm me reagime ndaj veprimeve politike maqedonase dhe t'i ruajnë bizneset e krerëve partiakë, ndërsa popullsia e gjetur para një situate të defetizmit politik e ekonomik, gjithnjë e më shumë do të kërkojë zgjidhje, duke u larguar nga vendi. Ky largim i një pjese të popullsisë shqiptare nga Maqedonia drejt Perëndimit vjen si pasojë e qartë e paperspektivës ekonomike dhe mosdurimit nga amoraliteti i skajshëm i faktorit politik shqiptar. Me pakësimin e vazhdueshëm të trupit elektoral shqiptar në Maqedoni, pa dyshim që më e fituara do të jetë politika. Në radhë të parë, fituese do të jetë politika maqedonase, ajo e cila rrit fuqinë e saj tek elektorati maqedonas me qëndrimin e shtrënguar kundrejt shqiptarëve. Fituese e dytë do të jetë politika e tanishme shqiptare në Maqedoni, sepse tendenca për ta shtuar kontrollin dhe disiplinuar elektoratin (elemente jodemokratike të cilat janë dëshmuar vërtet shumë shpesh) do të rritej; do të binte presioni i elektoratit ndaj subjekteve politike, ndërsa këto të fundit do ta shtonin fuqinë ekonomike të krerëve dhe klaneve partiake. Faktori shqiptar në Maqedoni do të shkojë drejt relativizmit, e deri në fillimin e heshtjes së problemeve kolektive.

Andaj, tendenca e filluar e largimit të 150 mijë qytetarëve është vetëm fillimi. Të tjera shifra mund të raportohen për largimin e shqiptarëve nga Maqedonia, por mbase në të ardhmen ato nuk do të paraqesin statistikë interesante për të qenë lajm.

(*) Dërguar nga autori, publicist në Maqedoni

KOMENTE