English

Berisha, me banorë të shpërngulur: Do të kompensoheni një më një

"Dua t'ju garantoj se çdo dëmtim i krijuar nga ujërat, duke filluar nga lodrat e këtyre vogëlushëve, tek librat, orenditë dhe çdo gjë tjetër, deri te të mbjellat dhe gjithçka që ju ka ndodhur, qeveria do ta kompensojë"

Shkodër, 13 Janar NOA Update - "Dua t'ju garantoj se çdo dëmtim, i krijuar nga ujërat, duke filluar nga lodrat e këtyre vogëlushëve, tek librat, orenditë, dhe çdo gjë tjetër, deri tek të mbjellat dhe gjithçka që ju ka ndodhur, qeveria do ta kompensojë".

Këtë garanci dha sot kryeministri Sali Berisha, kur menjëherë pas mbledhjes së qeverisë së zhvilluar në Bashkinë e Shkodrës, u takua me banorë të shpërngulur nga zonat e përmbytura, të cilët janë strehuar në ambientet e hotel "Rozafa".

Duke përshkruar në këmbë rrugën drejt hotel "Rozafa", Kryeministri u përshëndet përzemërsisht me qytetarët, të cilët e falënderuan atë për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria u ka dhënë në këto momente të vështira për ta.

"Me projekte madhështore dhe përkujdesje maksimale do të bëjmë çdo gjë që ujërat të jenë mrekullia e Shkodrës dhe të mos shndërrohen në përmbytje dhe fatkeqësi", - premtoi Kryeministri.

Duke iu drejtuar banorëve të evakuuar, Berisha theksoi se qeveria ka qenë në çdo moment në ndjekje të situatës, si dhe i siguroi banorët se do të bëhet çdo gjë për të dëmshpërblyer të gjitha dëmet e krijuara nga përmbytja.

"Së pari, dua t'ju siguroj se çdo minutë dhe çdo orë kemi qenë dhe jemi me dhimbjen tuaj. Së dyti, dua t'ju garantoj se çdo dëmtim i krijuar nga ujërat, duke filluar nga lodrat e këtyre vogëlushëve, tek librat, orenditë dhe çdo gjë tjetër, deri te të mbjellat dhe gjithçka që ju ka ndodhur, qeveria do ta kompensojë. Unë tani po vij nga një mbledhje qeverie, të cilën e zhvilluam sot në Shkodër. Projekte shumë të mëdha do të nisin për qëllime të shumëfishta".

Shefi i qeverisë pohoi se sot "Livadhet" janë ende nën ujë, por siguroi se shumë shpejt, me fillimin e punimeve për by-passin, i cili do të jetë edhe by-pass edhe argjinaturë, lagjja do t'i largohet me shpejtësi të madhe përmbytjeve.

"Sot nisi thellimi i Bunës, që është një thellim për emergjencë, por që ne do të hartojmë projektin dhe do ta bëjmë të plotë atë. Jam jashtëzakonisht i frymëzuar dhe i inkurajuar nga qëndrimi i juaj", - tha Berisha.

Në këtë kuadër, ai u tha banorëve se këtë fatkeqësi reale natyrore ju e përballuat me guxim, kurajë, vendosmëri dhe shkallë të lartë qytetarie.

"Të gjitha këto kanë bërë që në Shqipëri dhe kudo të ketë një simpati dhe solidaritet të madh për ju. Shpresoj që sa më shpejt të evakuohen ujërat dhe ne do të bëjmë çdo gjë për evakuim të shpejtë të tyre", - theksoi kryeministri.

Më tej, Berisha u interesua edhe për kushtet në të cilat po trajtohen banorët e shpërngulur në mjediset e vëna në dispozicion nga qeveria.

Banorët u shprehën të kënaqur, me kushtet që u janë ofruar, me ushqimin e bollshëm dhe mikpritjen e gjithanshme që është ofruar.

"Jam 55 vjeç dhe mbaj mend edhe përmbytjen që ndodhi në 1963, si dhe shumë përmbytje të tjera që na kanë ndodhur, - iu drejtua kryeministrit një banor i Bahçallëkut, një prej lagjeve më të dëmtuara të qytetit të Shkodrës. Por dua t'jua falënderoj, pasi asnjëherë nuk na janë gjendur pranë si kësaj radhe, me këtë ndihmë të jashtëzakonshme".

***

Po sot, një numër i madh mësuesish dhe nxënës të shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës, kishin ardhur për t'iu gjendur pranë familjeve të evakuuara nga përmbytja.

Kryeministri Berisha iu bëri me dije banorëve të lënduar nga kjo fatkeqësi natyrore se qeveria është e angazhuar maksimalisht në kapërcimin e pasojave të përmbytjes, por edhe për t'i dhënë fund një herë e mirë kërcënimit të Shkodrës nga ujërat, përmes projekteve madhore.

"Ne do të bëjmë gjithçka për të kapërcyer këto pasoja. Dhe do të bëjmë gjithçka tjetër, me projekte shumë të mëdha dhe shumë të kushtueshme, për t'i bërë sa më minimale pasojat", - tha Berisha.

Duke pohuar se ujërat e shumtë, terreni i Shkodrës, kërkojnë një përkujdesje të madhe, që të mos mund të shndërrohen në fatkeqësi, Berisha u tha banorëve: "Do të bëjmë gjithçka, si me thellimin e Bunës, një projekt ndër më të kushtueshmit dhe më madhështorët për vendin; me by-passin që nuk do të jetë më një rrugë e zakonshme, por do të jetë një argjinaturë e ngritur për t'ju mbrojtur nga liqeni dhe çdo gjë tjetër, në mënyrë që ujërat të jenë mrekullia e Shkodrës dhe të mos shndërrohen në përmbytje dhe fatkeqësi", theksoi Kryeministri Berisha".

r.d/e.r/NOA

KOMENTE