English

Pas festave, 630 të dënuar rikthehen në qelitë e burgjeve

Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një dosje ku përfshihen emrat e 400 personave të cilëve do t'u konvertohet dënimi nga vuajtje në burg në dënim alternativ me angazhim në punë të ndryshme publike

Tiranë, 13 Janar NOA - Plot 630 persona të cilët vuajnë dënime të ndryshme në burgjet e vendit, pasi përfituan nga lejet speciale të lirisë së përkohshme festive, janë kthyer në vendet e vuajtjes së dënimit, bëjnë të ditur për agjencinë NOA burime nga Ministria e Drejtësisë.

Zyrtarët e dikasterit vlerësojnë se aplikimi i kësaj m ase lehtësuese për një pjesë të të burgosurve, ka ndikuar në përmirësimin e jetës së tyre dhe përballimin e vuajtjes së dënimit, si dhe afrimit edhe më shumë me jetën e njerëzve pa probleme me drejtësinë.

Personat që përfituan liri të përkohshme, ishin kryesisht të dënuar që kanë dy vjet dhe më pak burgim për të kryer, gratë shtatzëna, djemtë në moshë nën 20 vjeç të dënuar për krime të ndryshme dhe nëna me fëmijë.

Ndërkohë, mësohet se Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një dosje ku përfshihen emrat e 400 personave të cilëve do t'u konvertohet dënimi nga vuajtje në burg në dënim alternativ me angazhim në punë të ndryshme publike.

Ministria e Drejtësisë nuk dha detaje të mëtejshme për këtë projekt që pritet të zbatohet ditët në vazhdim, por tha se ai po realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e përgjithshme të Burgjeve.

e.r/NOA

KOMENTE