English

Aksident në zonën e përmbytur në Dajç, humb jetën 12-vjeçari

Shkodër, 14 Janar NOA - Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në zonën e përmbytur të Dajçit në Shkodër duke shënuar viktimën e parë të kësaj periudhe disa ditore emergjence, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Ngjarja ndodhi në orën 21.00 të mbrëmjes së Enjte, në aksin rrugor Shirq - Mushan të Komunes Dajç, pikërisht tek vendi i quajtur kryqëzimi i Dajçit.

Burimet në vendngjarje i thanë agjencisë NOA se automjeti tip veture e markës "Fiat Bravo", me targa të huaja, që drejtohej nga 19-vjeçari banor vendas në qendër Dajç, Gjovalin Daka, ka dalë nga rruga, duke u përplasur me një pemë.

Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën gjatë transportimit për në Spitalin Rajonal Shkodër, R. Hoti, 12 vjeç, banues po në qendër Dajç, i cili po udhëtonte si pasagjer në mjetin e lartpërmendur.

Ndërkohë drejtuesi i mjetit ka pësuar dëmtime pa probleme serioze. Policia tha se me të marrë ndihmën e duhur mjekësore, Daka, do të shoqërohet në ambientet e Komisariatit te të Policisë Shkodër.

Policia tha se është ende e paqartë për shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik për fëmijën 12 vjeçar.

r.d/r.b/NOA

KOMENTE