English

Koordinatorja e OKB në Kosovë, flet mbi tërmetin në Haiti

Prishtinë, 14 Janar NOA/Hajdin Islami - Ekipi i Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë shpreh brengosjen më të thellë për banorët e Haitit pas tërmetit të fuqishëm që goditi bregdetin e Karaibeve mbrëmjen e vonë të datës 12 janar.

Ekipi i Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë gjithashtu shpreh solidaritetin me shumë kolegë të Kombeve të Bashkuara që shërbejnë në Haiti dhe që janë prekur nga kjo katastrofë.

"Ky tërmet i fuqishëm ka goditur një vend që është ndër më të varfrit në Hemisferën Perëndimore me 80 për qind të popullsisë që jetojnë nën kufijtë e varfërisë dhe me 54% prej tyre në varfëri të thellë. Kjo është një tragjedi e përmasave të mëdha" - tha Osnat Lubrani, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

"Zemrat tona janë me ato të popullit të Haitit dhe me kolegët tanë nga Kombet e Bashkuara që gjenden atje. Ne ngushëllohemi paksa duke ditur se Kombet e Bashkuara po bëjnë gjithçka munden për të siguruar një përgjigje ndaj fatkeqësisë e për të shpëtuar jetë; si edhe për të mobilizuar një përgjigje ndërkombëtare për të ndihmuar vendin që të përballojë këtë krizë", - vijoi ajo.

Ndërtesat dhe infrastruktura në Port-au-Prince, kryeqytet i vendit, kanë pësuar dëme të ndjeshme, ndërkohë që shërbimet bazë, përfshirë ujin dhe energjinë elektrike janë pranë kolapsit.

Numri i plotë i të vdekurve, që mund të shkojë në qindra, është ende i panjohur. Misioni për Stabilitet i Kombeve të Bashkuara në Haiti (MINUSTAH) në Port-au-Prince ka pësuar dëme serioze, së bashku me një numër tjetër godinash të Kombeve të Bashkuara, si dhe një numër i madh i personelit të Kombeve të Bashkuara nuk mund të kontaktohet për momentin, sipas të dhënave të fundit nga selia e Kombeve të Bashkuara.

MINUSTAH që është vendosur në vend në vitin 2004 ka më shumë se 9 000 anëtarë të personelit si ushtarakë dhe policë, ndërkohë që numri i stafit civil është rreth 2 000 persona.

h.i/r.b/NOA

KOMENTE