English

Niset në Heart Kontigjenti i 6-të Paqeruajtës

Tiranë, 14 janar NOA - Në Brigadën e Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr u zhvillua sot ceremonia e përcjelljes së Kontigjentit të 6-të Paqeruajtës, që do të kryejë misionin e radhës në Herat të Afganistanit.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i cili gjatë fjalës së tij, ka përshëndetur trupat pjesëmarrëse duke shprehur bindjen se ky mision do të jetë pjesë e sukseseve të Forcave të Armatosura Shqiptare, në misionet paqeruajtëse kudo në botë.

"Natyrisht është nder, por edhe përgjegjësi e madhe për ju, sepse do të përfaqësoni një vend anëtar të NATO-s, mbi të gjitha vlerat dhe detyrimet që rrjedhin nga ky fakt. Ju po shkoni në mision në një kohë kur Forcat e Armatosura janë angazhuar fuqimisht për përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në ultësirën veriperëndimore të vendit", - është shprehur Imami.

Në këtë kontekst, ai i ka drejtuar një falënderim të veçantë gjithë ushtarakëve, të cilët i janë përgjigjur me një gatishmëri maksimale situatës së pazakontë në Shkodër e Lezhë, duke demonstruar kështu se janë forcë profesionale, e denjë përkrah vendeve të NATO-s.

Kontigjenti 6-të është pjesë e Batalionit të 2-të Këmbësorisë, i cili vepron në përbërje të Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe përbëhet nga një kompani prej 112 oficerësh, nënoficerësh dhe ushtarësh profesionistë.

Ai do të zëvendësojë Kontigjentin e 5-të dhe do të vazhdojë të kryejë misionin e tij në bazën ushtarake të Heratit, në kuadër të misionit ISAF të NATO-s, nën drejtimin e komandës italiane.

Misioni do të zgjasë gjashtë muaj, i fokusuar në detyra të tilla si: ruajtjen, mbrojtjen dhe sigurimin e bazës ushtarake në Herat, të personelit të saj, infrastrukturës dhe pajisjeve të tjera të kësaj baze të rëndësishme ushtarake, si dhe detyra të tjera në interes të këtij operacioni paqeruajtës ndërkombëtar.

Ky mision është vazhdim i 30 misioneve të kryera nga Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe i gjashti në Herat të Afganistanit, në mbështetje të operacioneve paqeruajtëse kundër terrorizmit.

k.k/NOA

KOMENTE