English

Përmbytjet në Shkodër, QSUT e mjekët profesorë ofrojnë pagën e tyre mujore

Tiranë, 14 janar NOA - Profesorati i fakultetit të Mjekësisë do të ofrojë një pagë mujore në ndihmë të familjeve që u përmbytën në zonën e Nënshkodrës.

Dekani i fakultetit të Mjekësisë Alfred Priftanji i ka bërë thirrje kolegëve që t'i dërgojnë ndihmat e tyre në numrin e llogarisë bankare të hapur për të përmbyturit në veri.

"Unë personalisht do të ofroj 50 mijë lekë të reja, ju ftoj dhe ju të ofroni diçka simbolike në ndihmë të familjeve që u prekën nga fatkeqësia natyrore", iu drejtua dekani profesorëve të fakultetit.

Nismës së profesorëve të fakultetit i është bashkuar dhe stafi mjekësor i QSUT.

Drejtori i saj, Ilir Dashi, deklaroi se i gjithë stafi mjekësor duhet të kontribuojë për t'i ardhur në ndihmë familjeve të përmbytura.

Ndërkohë mjekë të ndryshëm të QSUT propozuan që paga mujore e tyre të derdhet direkt nga drejtoria në llogarinë bankare.

Sipas drejtorit të QSUT, Ilir Dashi përveç ndihmës simbolike që do të ofrojnë mjekët, është bërë gati dhe një plan emergjence për të përballuar situata të tilla siç ndodhi në Shkodër.

b.m/NOA

KOMENTE