English

Pollo kryeson Komisionin Qendror për regjistrimin e popullsisë dhe banesave të vitit 2011

Tiranë, 14 janar NOA - Ministri, Genc Pollo mblodhi sot Komisionin Qendror për regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave (REPOBA), i cili përbëhet nga 12 ministra si dhe ofiqarë e specialistë të fushës.

Detyra e këtij komisioni është të drejtojë Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe të Banesave të vitit 2011, i cili do të japë një pamje aktuale dhe të saktë të realitetit.

Pyetësori miratohet sot, në parim nga Komisioni dhe pas një konsultimi 6- mujor do të aprovohet përfundimisht.

Gjatë kësaj mbledhje ministri Pollo tha se regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave është një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm, që qeveria do të ndërmarrë në vitin 2011, është një aktivitet që i shërben mirëqeverisjes, zhvillimit institucional të saj, jep një panoramë të plotë zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend dhe që do të shërbejë për një bazë të mirë për të ndërtuar politika të drejta, në mënyrë që paratë publike të shpenzohen me efektivitet.

"Sot do të miratohet në parim nga Komisioni pyetësori për regjistrimin e popullsisë dhe pas një konsultimi 6-mujor do të miratohet përfundimisht. Por risia këtë vit në këtë pyetësor është që përmban, për herë të parë pas shumë dekadash, përkatësinë etnike dhe fetare.

Ky proces do të kryhet në mënyrë shumë profesionale, nga INSTAT dhe me një mbështetje të madhe ekspertësh nga BE dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Është një operacion që vërtet kushton shumë financiarisht, por na jep një bazë të dhënash deri tani të padisponueshme dhe të domosdoshme për të ecur përpara" tha Pollo.

Sipas Pollos, qëllimi kryesor i Regjistrimit të Popullsisë është të japë një panorame aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Por, në rastin e Shqipërisë, Regjistrimi duhet të jetë gjithashtu edhe një pikënisje për një sistem të qëndrueshëm të statistikave aktuale të popullsisë sipas vrojtimeve.

k.k/NOA

KOMENTE