English

PS, Xhaçka: Dorëheqjen e Priftit e ka në dorë populli jo Berisha i cili është vet fajtor

Tiranë, 14 janar NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka doli sot para mediave për të reaguar mbi deklaratën e ministrit të Energjitikës, Dritan Prifti i cili u shpreh një ditë më parë se dorëheqjen e tij ka të drejtë ta kërkojë vetëm kryeministri Berisha.

Sipas Xhaçkas dorëheqjen e Priftit po e kërkon një popull i tërë dhe kryeministri nuk ka si kërkon një gjë të tillë kur është vetë përgjegjës i përmbytjeve në veri të vendit.

"Dje Partia Socialiste i bëri me dije opinionit publik, se si ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, me një shpërfillje të paprecedentë përballë katastrofës që po na kanosej, i hipi avionit dhe vijoi udhëtimin e tij turistik pesë ditor në Turqi.

Teksa niveli i ujit në kaskadat e hidrocentraleve të vendit tejkalonte nivelin dhe normat maksimale të lejuara dhe teksa përgatitej hapja e portave për shkarkimin e ujit që në mënyrë të paevitueshme do të sillte përmbytjen e veriut të vendit, pikërisht në këto momente njeriu përgjegjës për menaxhimin e kësaj situate zgjodhi të braktiste detyrën dhe të shkonte për pushime.

Teksa banorët përballeshin me fundjavën e tmerrit Ministri Prifti shijonte fundjavën e luksit" tha Xhaçka.

"Po dje, përballë këtij fakti të turpshëm, kur pritej të jepej dorëheqja apo largimi nga posti qeveritar, Dritan Prifti reagoi me cinizëm duke theksuar se të drejtën morale dhe ligjore për shkarkimin e tij e kanë vetëm dy emra: Sali Berisha e Ilir Meta.

Jo zotëri nuk ta kërkon Sali Berisha dorëheqjen se ai është përgjegjësi kryesor i kësaj katastrofe që përmbyti veriun, shkatërroi shtëpi, toka, të mbjella e bagëti. Por është një popull i tërë, i cili refuzon të drejtohet nga qeveria e votave të vjedhura, e cila në këtë vit te ri nuk di të sjellë asgjë tjetër përveçse fatkeqësi" përfundoi deputetja socialiste.

k.k/NOA

KOMENTE