English

Zv/Presidenti i Bankës Botërore: Shqipëria është histori suksesi

Tiranë, 14 Janar NOA - Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore Philippe Le Houa©rou i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, u shpreh sot se për këtë institucion financiar, më i rëndësishmi në glob, Shqipëria është histori suksesi, me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit.

Këto arritje të rëndësishme, theksoi ai, janë produkt i reformave të vazhdueshme strukturore dhe ngritjes së institucioneve të tregut në Shqipëri, fryt i një menaxhimi të mirë makroekonomik, një sektori privat sipërmarrës, një medie vibrante, një shoqërie civile në rritje dhe e një sistemi politik pluralist.

Zv/presidenti i BB-së u shpreh se tani që Shqipëria e ka fituar statusin e një vendi me një nivel mesatar të ardhurash, Banka Botërore tashmë ka kënaqësinë ta kalojë Shqipërinë në grupin e vendeve që përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, duke ndihmuar kështu aksesin tashmë në rritje të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve.

"Përmes strategjisë sonë të re të partneritetit për Shqipërinë, ambicia jonë është të vazhdojmë të jemi një partner i besueshëm dhe efektiv i popullit shqiptar. Jemi të vendosur për të mbështetur përpjekjet tuaja për të ndërtuar një Shqipëri gjithëpërfshirëse nga pikëpamja sociale, të menaxhuar mirë financiarisht, me një mjedis të qëndrueshëm e që do të bëhet një anëtare me të drejta të plota në BE", - nënvizoi Zv/presidenti i BB-së.

Ai lajmëroi më tej se po iniciojmë përgatitjen e strategjisë së re të partneritetit me Shqipërinë për vitet 2010-2013 dhe presim të realizojmë një partneritet të fuqishëm dhe të frytshëm për vitet që vijnë, ndërsa Shqipëria përparon në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian.

"Ne kemi mbështetur shumë vende në rajon, ndërsa ato përshkonin rrugë të ngjashme dhe besojmë në këtë kontekst, se Shqipërisë mund t'i ofrojmë mundësi përfitimi nga këto përvoja, në veçanti, në ruajtjen e progresit të bërë deri tani dhe për përballimin e sfidave të reja", - tha Le Houérou.

Përvoja historike e fqinjëve tuaj, - vijoi ai, - ka treguar se sa i brishtë mund të jetë zhvillimi, nëse ai nuk është gjithëpërfshirës nga pikëpamja sociale, etnike dhe politike. Në këtë këndvështrim, Le Houérou tha se Shqipëria dallohet si një vend që është menaxhuar jashtëzakonisht mirë në këtë drejtim, duke kontribuar kështu edhe në stabilitetin rajonal.

Më pas, Le Houérou ka folur mbi krizën aktuale financiare dhe ekonomike që tha se na ka treguar se sa i brishtë mund të jetë progresi, pa pasur mbështetjen e një supervizioni të mirë bankar dhe një politike të shëndoshë fiskale.

"Sigurisht që aftësia e Shqipërisë në menaxhimin e krizës deri tani, është dëshmi e mësimeve që ajo ka nxjerrë vet nga e kaluara e saj", - vlerësoi Le Houérou.

Megjithatë, në kushtet kur ndikimi i krizës vazhdon të rritet, - theksoi z. Le Houérou, - ne do t'ju inkurajonim që të mbaheni fort në traditën tuaj të një politike fiskale të shëndoshë, të duruar dhe të kujdesshme, që e ka ndihmuar këtë ekonomi në të kaluarën, që mbetet fleksibël dhe që rritet fuqishëm prej 19 vjetësh.

e.r/NOA

KOMENTE