English

Një Kryeministër me meny

Kryeministrat kukulla nuk i donim, e ky që është aktualisht po na duket tepër i fortë

Nga Berat Buzhala

Ka histori të ndryshme për mënyrën se si janë zgjedhur Kryeministrat e Kosovës, që prej kohës kur ne kemi pasur të drejtë të kemi Qeveri. Thuhet se doktori, Bajram Rexhepi, ka qenë kujdestar në spital, kur e kanë lajmëruar se fati i tij ishte prerë. Do të bëhej shef i ekzekutivit të vendit. Për Bajramin tjetër, Kosumin, thuhet se edhe bashkëshortja e tij ishte hutuar paksa kur ai e ka ftuar në një darkë solemne me Kryeministrin e nesërm të Kosovës. Agim Çeku, në disa intervista, ka treguar se si Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka pyetur nëse e kishte lexuar Gazetën Express të asaj dite. Çeku i ishte përgjigjur pozitivisht. Ambasadori i kishte thënë se lajmi kryesor në ketë gazetë ishte i saktë dhe ai ishte zgjedhur për të qenë Kryeministër. Këta tre të apostrofuar, dy Bajrama dhe një Agim, përbashkoheshin në dy pika: ishin njerëz të mirë, por që askush kurrë s'i ka pyetur se kur "është Bajram", e lë më për politika më të mëdha. Kanë qenë njerëz të mirë, të ndershëm e patriotë, por që qeveritë e tyre drejtoheshin prej zyrave partiake. Opinioni ishte lodhur me Kryeministra kukulla. Kërkohej një dorë e fortë që ulet në Zyrën e Kryeministrit dhe që është po ashtu Kryeministër. Në këtë kronologji nuk e harrova, por nuk e përfshiva qëllimshëm Kryeministrin 100 ditor, Ramush Haradinaj. Ekziston një mit nëpër qytet se gjatë këtyre 100 ditëve Kosova ishte bërë lule e dritë, por mandej erdhi Kosumi dhe e dreqosi gjithë atë punë që ishte bërë. Kush e solli Bajramin në atë pozitë, nuk ka rëndësi apo jo? Sido që të jetë, edhe në rastin e largimit të Haradinajt nga posti i shefi i ekzekutivit qytetarëve u kishte mbetur pikë, sepse tek ish Komandanti i Rrafshit të Dukagjinit e shihnin një Kryeministër autoritar dhe që respektohej nga Ministrat. Kurse, Kosumi, e më pas Çeku, konsiderohej se nën 1, ata marrin urdhrat direkt prej AAK-së, dhe nën dy, edhe më ato urdhra duhej të bënin kompromis me partinë gjigante të asaj kohe, LDK-në. Deri kur aprovohej një vendim ose një projekt, ai stërkeqej aq shumë sa gati e humbte formën iniciale. Kështu është qeverisur deri në nëntor të vitit 2007, kur Kryeministër u zgjodh Hashim Thaçi. Partia e tij kishte dalë më e madhja në vend dhe prapa tij nuk qëndronte ndonjë Kryeministër kujdestar. Dy vjet kanë kaluar qyshkur Thaçi është zgjedhur shef i ekzekutivit. Një pjesë e shoqërisë civile dhe disa media e kanë një vërejtje: Kryeministri është shumë autoritar. Disa e quajnë diktator, e disa antieuropian. Këto epitete, dorën në zemër të pakëndshme edhe për vetë diktatorët, Kryeministrit i bëhen publikisht. Komentuesit, ose botuesit gjysmë klandestin të mediave, e dinë që po të ishin të vërteta ato që i thonë, diktatorët do të interesoheshin pak për ta. Për bizneset e tyre, legale dhe ilegale. Disa prej shkruesve e dinë çka janë diktatorët dhe diktaturat. I kanë përfaqësuar diktatorët, në vende diktatoriale. Mirëpo, në ketë shtetin tonë, në ngritje e sipër, deri më sot askujt nuk i ka munguar asnjë qime prej kokës, për mendimin e tij të lirë. Dhe kështu duhet të ndodhë edhe në të ardhmen. Qeveria nuk guxon t'i dënojë, t'i frikësojë apo t'i ndjekë në çfarëdo forme, vetëm pse e ka thënë një të vërtetë apo të pavërtetë në median e tij. Mirëpo, t'i harrojmë për pak çaste këto opinione, e le të merremi me problemet reale që e presin këtë Qeveri dhe këtë Kryeministër. Çka do të bëja unë po të isha Kryeministër i Kosovës? Në gjysmën e mandatit të kësaj Qeverie, kanë filluar tashmë të procedohen disa projekte shumë interesante për zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërtimi i Autostradës që e lidh kombin, shpallja e tenderit të vonuar për TC Kosova C, ndërtimi i HC të Zhurit, shitja e Valës 900 dhe projekteve të kësaj natyre kapitale. Lajm jashtëzakonisht inkurajues paraqet bashkëpunimi i serbëve lokalë, hiq ata që jetojnë në pjesën veriore, me autoritetet e Republikës së Kosovës. Ky trend duhet të ushqehet me marifet, në mënyrë që të kemi arsye të kërkojmë me ngulm realizimin e masterplanit për shtrirjen e pushtetit edhe në veriun e vendit. Realizimin e këtyre synimeve do ta shtyja fuqishëm përpara. Si Bibël, përpara vetes do ta mbaja Raportin e Progresit të Komisionit Europian, i cili nuk ka qenë gjithaq i errët, siç e përshkruan opozita dhe mediat e afërta më të, por as i mrekullueshëm, siç deshi Kryeministri t'ia shesë opinionit. Prej tavolinës së punës kurrë nuk do ta largoja as Raportin e Freedom House, e as raportet tjera të organizatave respektabile që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e shprehjes dhe të besimit dhe zgjedhjeve të lira. Bazuar mbi këto raporte, në mënyrë autoritare, nëse dëshironi quajeni edhe diktatoriale, do t'i futesha ndryshimeve qeveritare, gjithmonë duke bashkëpunuar ngushtë me partnerin tjetër në qeverisje. Para vetës këto ditë Kryeministri e ka edhe sfidën e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Televizionit të Kosovës. Me apo pa fajin e tij, RTK ka qenë Thembra e Akilit të kësaj qeverisje. Kryeministri Thaçi, e posaçërisht zëvendësi i tij Hajredin Kuçi, i cili nuk është që nuk ka treguar zell për t'i futur ngapak duart rreth mediumit publik, duhet që pa kurrfarë rezerve t'i ftojnë të gjithë të interesuarit që ta monitorojnë procesin e zgjedhjes së drejtorit të ardhshëm, e vetë të qëndrojnë sa ma larg prej tij. Fundja, emri që do të zgjidhet në krye të këtij mediumi, do të tregojë se sa larg Qeveria ka qëndruar prej procesit. Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër as nuk guxojnë të bien nën ndikimin e analizave të analistëve/politikanë, e as nuk guxojnë t'i injorojnë raportet që bëhen për Kosovën nga institucionet ndërkombëtare. Kur Hashim Thaçi ishte zgjedhur Kryeministër i Kosovës, kjo gati nuk ka paraqitur lajm. Ai nuk ishte zgjedhur në darka me diplomatë, e as me short, por sepse i kishte fituar zgjedhjet. Prandaj, askush nuk ka pritur prej tij që ndonjë qejfprishuri prej zgjedhjeve të vitit 2007 t'ia ledhatojë sedrën, e as nuk pret prej tij që të bëjë kompromis me mandatin që e ka fituar. Prej tij pritet vetëm t'i përmbushë premtimet e bëra në vitin 2007.

(*) Kryeredaktor, "Express", Prishtinë

KOMENTE