English

Patozi: Ne, gati për hetimin e zgjedhjeve, PS të marrë shumicën në komision

Tiranë, 20 janar NOA - Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës u shpreh se mazhoranca është e gatshme që t'i japë opozitës shumicën në komisionin Parlamentar, ndërsa vlerësoi projekt-rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës e cila kërkon pjesëmarrjen e opozitës në Kuvend.

"Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike shpreh vlerësimin për projekt-rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e cila kërkon pjesëmarrjen e opozitës në parlament si dhe ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e fundit në Shqiperi.

Dëshiroj që me këtë rast, të përshëndes qëndrimin e shprehur sot publikisht të kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, në mbështetje të këtyre kërkesave" deklaroi Patozi.

Sipas tij, mazhoranca, që qeveris vendin, ashtu siç ka deklaruar edhe herë të tjera, është e gatshme që t'i japë opozitës shumicën në këtë komision Parlamentar.

"Ne jemi plotësisht dakord për një hetim të plotë dhe të ndershëm, në përputhje me Kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregullat e shtetit ligjor.

Më duhet të theksoj gjithashtu, se kjo mazhorancë ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për dialog me opozitën, por ky komunikim duhet të zhvillohet në rrafshin institucional, dhe jo në rrugë" përfundoi Astrit Patozi.

k.k/NOA

KOMENTE