English

Shuhet përkthyesi i mirënjohur shqiptar, Pashko Gjeçi

Tiranë, 21 janar, NOA Nga Milena Selimi - U nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të sotëm përkthyesi i mirënjohur, Pashko Gjeçi. Historia e Pashko Gjeçit, njeriut që bëri Danten të fliste shqip me ‘Komedinë Hyjnore', është nga më të jashtëzakonshmet e Letrave Shqipe. Ai u mor me disa nga autorët më të mëdhenj të historisë së letërsisë, ku spikasin Dante dhe Gëte me "Faustin". Ka një nga fatet më tragjike të jetës dhe vitet e fundit të jetës i kaloi në gjendje shumë të rëndë.

I ka pësuar të gjitha gjërat, të cilat mund t'i pësonte një njeri në realitetin shqiptar. Është rritur jetim, i varfër, ka bërë burg, ka vuajtur pa fund dhe është censuruar.

I lindur më 1918 në qytetin e Shkodrës, ai do të shkollohej në Kolegjin e Jezuitëve. Falë rezultateve të tij, do të vazhdonte shkollën për filozofi në Itali, ndërsa do të ishte ministri i Arsimit të asaj kohe (vitet '40), Ernest Koliqi, që do ta bindte të kthehej në Shqipëri: "Kthehu në Shqipëri të japësh kontributin tënd".

Ashtu si ishte parashikuar, ai u emërua profesor i Latinishtes dhe italishtes në gjimnazin e Shkodrës, ku edhe kishte qenë më parë nxënës. Ai jepte mësim, ndërsa përkthimet i botonte tek "Shkëndija".

Lufta e gjen kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve të Durrësit, por këtu merr fund dhe liria e tij. Pas një burgu pesë vjeçar, ai shkon në Fushë Krujë dhe helmin e shpëton duke përkthyer poetin e tij të preferuar Danten.

Do të rehabilitohet shumë vonë dhe këtë herë do të dalë në pension në Ndërmarrjen e Librit Shkollor. Vetëm një vit më parë 92- Vjeçari u nderua si përkthyesi më i mirë I vitit në Çmimet Kult 2009, për veprën e tij "Fausti".

Mirënjohja e bashkëkohësve, me pak çmimet e fundit, s'ka mjaftuar për të qetësuar nderimin e munguar të tij. Banonte me bashkëshorten e tij në një apartament modest dhe krejt i harruar.

KOMENTE