English

Suedia dhe Sllovenia hapin ambasadat e tyre në Tiranë

Tiranë, 21 Janar NOA - Qeveria suedeze vendosi hapjen e ambasadës në Shqipëri, duke e ngritur rangun e Zyrës përfaqësuese suedeze, që aktualisht funksionon prej disa vitesh në vendin tonë në atë të një Ambasade. E njëjta gjë u vendos edhe në lidhje me Kosovën.

Sipas agjencive të lajmeve suedeze, Suedia do të mbyllë 6 Ambasada dhe do të hapë 10 të reja. Do mbyllen Ambasadat suedeze në Bratislavë, Dakar, Dublin, Lubjanë, Luksemburg dhe Sofia brenda këtij viti.

Në të njëjtën kohë, prezenca diplomatike e Suedisë do të forcohet në Kaukaz dhe në Ballkan duke ngritur nivelin e përfaqësimit aktual në Prishtinë, Tbilisi (Gjeorgji), Chisinau (Moldavi) dhe në Tiranë.

Siç bëhet e ditur edhe në komunikatën përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme qeveria suedeze synon të forcojë prezencën e saj në Ballkan e Kaukaz nëpërmjet ngritjes së nivelit të përfaqësimit nga zyrat ekzistuese në atë të ambasadës.

Hapja e ambasadës suedeze në vendin tone do t'i japë një impuls të ri e do të ndikojë në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona si në kuadrin dypalësh ashtu edhe në kuadër të përpjekjeve tona për integrim europian.

Vendimi i sotshëm i qeverisë suedeze përfshin hapjen e dhjetë ambasadave të reja dhe mbylljen e gjashtë ambasadave të mëparshme. Ambasadat e reja, që kryesisht do të jenë ngritje e nivelit të zyrave përfaqësuese suedeze të mëparshme, do të hapen në Shqipëri, Kosovë, Gjeorgji, Moldavi, në disa vende afrikane si dhe në Bolivi e Kamboxhia.

Ambasadat suedeze, që do të mbyllen gjatë këtij viti janë ato të Sllovakisë, Irlandës, Sllovenisë, Luksemburgut, Bullgarisë dhe Senegalit.

Ministri i Jashtëm, z. Bild, tha: "Ne duam të jemi present atje ku paratë tona për mbajtjen e ambasadave të përdoren në mënyrën më të dobishme. Është pozitive që ne mund t'i përdorim burimet tona për të forcuar prezencën tone në një numër vendesh që ndodhen pranë nesh".

Ministrja e Bashkëpunimit për Zhvillim, znj. Gunila Karlson tha: "Ngritja e nivelit të zyrave tona përfaqësuese në ambasada është pjesë e procesit të mbështetjes për implementimin e ndihmës sonë për zhvillim ndaj atyre vendeve me të cilat kemi marrëveshje afatgjata bashkëpunimi për zhvillim. Një prezence më e forte në vend është shumë e rëndësishme për implementimin e një bashkëpunimi për zhvillim me cilësi të lartë e të orientuar nga rezultatet".

Në lidhje me vendimin për të mbyllur një numër ambasadash ekzistuese z. Bild tha se brenda kuadrit të bashkëpunimit të ngushtë, që ekziston midis vendeve të BE-së, ka hapësira për zhvillimin e formave të reja për mbajtjen e kontakteve bilaterale në të ardhmen.

Me vendimin e sotëm, deri në fund të këtij viti, Suedia në harkun kohor të 20 vjetëve (1990-2010) do të ketë hapur 40 misione të reja dhe mbyllur 54 të tilla.

Gjithashtu nga burime konfidenciale behet e ditur se edhe Sllovenia do të hapë së shpejti Ambasadën e saj në Tiranë. Ky lajm vjen menjëherë pas hapjes edhe të Ambasadës Sllovake, çelja e së cilës inaugurohet nesër, nga Ministrat Lajcek dhe Meta.

e.r/NOA

KOMENTE